BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/9 f. 21-26
  • Çfarë kërkon Jehovai prej nesh sot?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Çfarë kërkon Jehovai prej nesh sot?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë kërkon Jehovai?
  • Rëndësia e dashurisë
  • Si japim prova të dashurisë sonë?
  • Pse mund të duket e vështirë?
  • Një ligj dashurie i shkruar në zemër
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Dashuria dhe drejtësia në kongregacionin e krishterë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • A jeni ndër ata që Perëndia i do?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Duaje Perëndinë që të do
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/9 f. 21-26

Çfarë kërkon Jehovai prej nesh sot?

«Një zë nga reja [tha]: ‘Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar; dëgjojeni atë.’»—MATEU 17:5, BR.

1. Kur e përmbushi Ligji qëllimin e tij?

JEHOVAI i dha kombit izraelit Ligjin, me aspektet e tij të shumta. Në lidhje me to, apostulli Pavël shkroi: «Ato ishin kërkesa ligjore që kishin të bënin me mishin dhe u vendosën deri në kohën e caktuar, për të ndrequr gjërat.» (Hebrenjve 9:10, BR) Kur bëri që një mbetje izraelitësh ta pranonte Jezuin si Mesinë ose Krishtin, Ligji e përmbushi qëllimin e tij. Kështu, Pavli deklaroi: «Përfundimi i ligjit është Krishti.»—Romakëve 10:4; Galatasve 3:19-25; 4:4, 5.

2. Cilët ishin nën Ligj dhe kur u çliruan prej tij?

2 A do të thotë kjo se ne sot nuk jemi më nën detyrimin e Ligjit? Faktikisht, pjesa më e madhe e njerëzimit nuk ka qenë kurrë nën Ligj, siç e shpjegoi psalmisti: «[Jehovai] ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij. Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër dhe ato nuk i njohin dekretet e tij.» (Psalmi 147:19, 20) Kur Perëndia vendosi besëlidhjen e re mbi bazën e flijimit të Jezuit, as kombi izraelit nuk qe më nën detyrimin për t’ju bindur Ligjit. (Galatasve 3:13; Efesianëve 2:15; Kolosianëve 2:13, 14, 16) Pra, nëse Ligji nuk është më i detyrueshëm, çfarë kërkon Jehovai prej atyre që dëshirojnë t’i shërbejnë atij sot?

Çfarë kërkon Jehovai?

3, 4. (a) Çfarë kërkon në thelb Jehovai prej nesh sot? (b) Pse duhet të ecim pas gjurmëve të Jezuit?

3 Gjatë vitit të fundit të shërbimit të Jezuit, apostujt e tij, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni, e shoqëruan atë në një mal të lartë, që ka mundësi të ketë qenë një kreshtë e malit Hermon. Atje, ata panë një vizion profetik të Jezuit në lavdinë e madhërishme dhe dëgjuan vetë zërin e Perëndisë që deklaroi: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar; dëgjojeni atë.» (Mateu 17:1-5, BR) Në thelb, kjo është ajo që kërkon Jehovai prej nesh, domethënë, të dëgjojmë dhe të ndjekim shembullin dhe mësimet e Birit të tij. (Mateu 16:24) Kështu, apostulli Pjetër shkroi: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij.»—1. Pjetrit 2:21.

4 Pse duhet të ecim pas gjurmëve të Jezuit? Sepse, duke imituar atë, ne imitojmë Perëndinë Jehova. Jezui e njihte shumë nga afër Atin, duke qenë se kishte kaluar miliarda të panumërt vitesh me të në qiell, para se të vinte në tokë. (Fjalët e urta [Proverbat] 8:22-31; Gjoni 8:23; 17:5; Kolosianëve 1:15-17) Kur ishte në tokë, Jezui e përfaqësoi me besnikëri Atin e tij. Ai shpjegoi: «I them këto gjëra, ashtu si Ati më ka mësuar.» Në fakt, Jezui e imitoi Jehovain me kaq saktësi, saqë mundi të thoshte: «Kush më ka parë mua, ka parë Atin.»—Gjoni 8:28; 14:9.

5. Nën cilin ligj janë të krishterët dhe kur hyri në fuqi ky ligj?

5 Çfarë përfshin të dëgjosh Jezuin dhe ta imitosh atë? A do të thotë kjo të jesh nën ndonjë ligj? Pavli shkroi: «Unë për vete nuk jam nën ligj.» Këtu ai po i referohej «besëlidhjes së vjetër», besëlidhjes së Ligjit, e cila u bë me Izraelin. Gjithsesi, Pavli pranoi se ishte «nën ligjin e Krishtit». (1. Korintasve 9:20, 21, BR; 2. Korintasve 3:14) Me përfundimin e besëlidhjes së vjetër të Ligjit, hyri në fuqi një ‘besëlidhje e re’ që përfshinte «ligjin e Krishtit», të cilit të gjithë shërbëtorët e Jehovait sot janë të detyruar t’i binden.—Luka 22:20; Galatasve 6:2; Hebrenjve 8:7-13.

6. Si mund të përshkruhet ‘ligji i Krishtit’ dhe si i bindemi ne atij?

6 Jehovai nuk e dha «ligjin e Krishtit» në formën e një kodi, duke e organizuar në kategori të ndryshme, siç ishte bërë me besëlidhjen e vjetër të Ligjit. Ky ligj i ri për ithtarët e Krishtit nuk përfshin një listë të gjatë me gjëra që duhen bërë e gjëra që s’duhen bërë. Megjithatë, në Fjalën e tij Jehovai ruajti katër tregime të plota të jetës dhe të mësimeve të Birit të tij. Për më tepër, Perëndia frymëzoi disa nga ithtarët e hershëm të Jezuit, që të siguronin udhëzime të shkruara në lidhje me mënyrën e sjelljes, çështjet e kongregacionit, sjelljen brenda familjes dhe me çështje të tjera. (1. Korintasve 6:18; 14:26-35; Efesianëve 5:21-33; Hebrenjve 10:24, 25) Kur e vëmë jetën në harmoni me shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit, si edhe kur u vëmë veshin këshillave të shkrimtarëve të frymëzuar të Biblës të shekullit të parë, po i bindemi «ligjit të Krishtit». Këtë kërkon Jehovai prej shërbëtorëve të tij sot.

Rëndësia e dashurisë

7. Si e theksoi Jezui thelbin e ligjit të tij, gjatë Pashkës së fundit që kaloi me apostujt?

7 Edhe pse nën Ligj dashuria ishte e rëndësishme, në ligjin e Krishtit ajo është vetë qendra ose thelbi i tij. Ky fakt u theksua nga Jezui, kur u mblodh me apostujt e tij për të kremtuar Pashkën e vitit 33 të e.s. Sipas përmbledhjes së apostullit Gjon të asaj që ndodhi atë natë, fjalët e përzemërta të Jezuit përfshinin 28 referime për dashurinë. Kjo gjë u theksoi apostujve të tij thelbin ose frymën e ligjit të tij. Në mënyrë domethënëse, Gjoni e filloi tregimin e ngjarjeve të asaj mbrëmjeje historike me fjalët: «Përpara festës së Pashkës, Jezui, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.»—Gjoni 13:1.

8. (a) Ç’gjë tregoi se mes apostujve kishte një debat të vazhdueshëm? (b) Në ç’mënyrë u dha Jezui apostujve të tij një mësim në lidhje me përulësinë?

8 Jezui i deshi apostujt e tij, edhe pse ishte përpjekur, pa ndonjë sukses të dukshëm, t’i ndihmonte që të kapërcenin dëshirën e tepruar për pushtet e pozitë. Disa muaj përpara se të mbërrinin në Jerusalem, ‘ata kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi’. Gjithashtu, pikërisht para se të futeshin në qytet për Pashkën, debati për pozitën u ndez përsëri. (Marku 9:33-37; 10:35-45) Fakti që ky ishte një problem i vazhdueshëm tregohet nga ajo që ndodhi pak pasi apostujt hynë në dhomën e sipërme, për të marrë pjesë në atë që do të ishte Pashka e tyre e fundit së bashku. Në atë moment, askush nuk përfitoi nga mundësia për të bërë shërbimin e zakonshëm të mikpritjes, domethënë t’u lante këmbët të tjerëve. Për t’u dhënë atyre një mësim në lidhje me përulësinë, vetë Jezui u lau këmbët.—Gjoni 13:2-15; 1. Timoteut 5:9, 10.

9. Si e trajtoi Jezui situatën që ndodhi pas Pashkës së fundit?

9 Pavarësisht nga ai mësim, vër re se çfarë ndodhi përsëri, pasi u kremtua Pashka dhe pasi Jezui themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij të afërme. Tregimi i Ungjillit të Lukës thotë: «Midis tyre lindi një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.» Në vend që të zemërohej me apostujt dhe t’i qortonte, me dashamirësi Jezui i këshilloi ata rreth nevojës për të qenë të ndryshëm nga sundimtarët botërorë që janë të etur për pushtet. (Luka 22:24-27) Më pas, dha atë që mund të quhet guri i qoshes në ligjin e Krishtit, duke thënë: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin, sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34.

10. Cilin urdhërim u dha Jezui dishepujve të tij dhe çfarë përfshinte ky?

10 Më vonë po atë mbrëmje, Jezui nxori në pah se deri ku duhej të shkonte dashuria e ngjashme me dashurinë që tregoi ai. Jezui tha: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si unë ju kam dashur juve. Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.» (Gjoni 15:12, 13) A po thoshte Jezui se ithtarët e tij duhej të ishin gati të vdisnin për bashkëbesimtarët, nëse situata do ta kërkonte këtë? Gjoni, një dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje, e kuptoi pikërisht kështu, sepse më vonë ai shkroi: «Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai [Jezu Krishti] e dha jetën e vet për ne; edhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.»—1. Gjonit 3:16.

11. (a) Si e përmbushim ne ligjin e Krishtit? (b) Çfarë shembulli dha Jezui?

11 Pra, ne nuk e përmbushim ligjin e Krishtit thjesht duke u mësuar të tjerëve për të. Duhet, gjithashtu, të jetojmë dhe të sillemi si Jezui. Vërtet, Jezui përdori fjalë të bukura e të zgjedhura mirë në fjalimet e tij. Megjithatë, ai mësoi edhe me anë të shembullit. Ndonëse Jezui kishte qenë një krijesë e fuqishme frymore në qiell, ai përfitoi nga rasti për t’u shërbyer interesave të Atit të tij në tokë dhe për të treguar se si duhet të jetojmë. Ai ishte i përulur, dashamirës dhe tregonte konsideratë, duke ndihmuar ata që ishin të rënduar e të shtypur. (Mateu 11:28-30; 20:28; Filipianëve 2:5-8; 1. Gjonit 3:8) Gjithashtu, Jezui i nxiti ithtarët e tij të donin njëri-tjetrin, siç i kishte dashur ai vetë.

12. Përse mund të thuhet se ligji i Krishtit nuk e minimizon nevojën për të dashur Jehovain?

12 Çfarë vendi zë në ligjin e Krishtit dashuria për Jehovain, urdhërimi më i madh i Ligjit? (Mateu 22:37, 38; Galatasve 6:2) Një vend të dorës së dytë? Në asnjë mënyrë! Dashuria për Jehovain dhe dashuria për të bashkëkrishterët tanë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. Një person nuk mund ta dojë me të vërtetë Jehovain pa dashur edhe vëllanë e vet, sepse apostulli Gjon vërejti: «Po të thotë dikush: ‘Unë e dua Perëndinë’ dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar. Sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?»—1. Gjonit 4:20; krahaso 1. Gjonit 3:17, 18.

13. Cili ishte efekti i bindjes së dishepujve ndaj urdhërimit të ri të Jezuit?

13 Kur u dha dishepujve urdhërimin e ri për ta dashur njëri-tjetrin ashtu siç i kishte dashur ai, Jezui përshkroi efektin që do të kishte kjo gjë. «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi,—tha ai,—nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Sipas Tertulianit, i cili jetoi më shumë se njëqind vjet pas vdekjes së Jezuit, dashuria vëllazërore e të krishterëve të hershëm pati pikërisht këtë efekt. Tertuliani citoi disa jo të krishterë që thoshin për ithtarët e Krishtit: ‘Shiko sa e duan njëri-tjetrin dhe sa të gatshëm janë madje të vdesin për njëri-tjetrin.’ Mund të pyesim veten: ‘A tregoj unë një dashuri të tillë për të bashkëkrishterët, një dashuri që provon se jam dishepull i Jezuit?’

Si japim prova të dashurisë sonë?

14, 15. Çfarë mund ta bëjë të vështirë t’i bindemi ligjit të Krishtit, por çfarë mund të na ndihmojë për t’ju bindur atij?

14 Për shërbëtorët e Jehovait është jetësore të shfaqin një dashuri si ajo e Krishtit. Por a nuk të duket e vështirë të duash të bashkëkrishterët që shfaqin tipare egoiste? E pra, siç e kemi parë, edhe apostujt bënë fjalë dhe u përpoqën të ndiqnin interesat e tyre. (Mateu 20:20-24) Edhe galatasit u grindën mes tyre. Pasi theksoi se dashuria për të afërmin përmbushte Ligjin, Pavli i paralajmëroi ata: «Sepse, nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni [shfaroseni] njëri nga tjetri.» Pasi vuri në kontrast veprat e mishit me frytet e frymës së Perëndisë, Pavli shtoi këshillën: «Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.» Pastaj, apostulli nxiti: «Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.»—Galatasve 5:14–6:2.

15 A po kërkon tepër prej nesh Jehovai, duke kërkuar bindjen ndaj ligjit të Krishtit? Edhe pse mund të jetë e vështirë të jemi dashamirës ndaj atyre që, në fakt, na kanë vrarë me fjalë të rënda dhe na kanë dëmtuar emocionalisht, jemi të detyruar të ‘bëhemi imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur dhe të ecim në dashuri’. (Efesianëve 5:1, 2) Duhet të vazhdojmë t’i kushtojmë vëmendje shembullit të Perëndisë, i cili «e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne». (Romakëve 5:8) Duke marrë iniciativën për të ndihmuar të tjerët, ku përfshihen edhe ata që na kanë keqtrajtuar, mund të kemi kënaqësinë të dimë se po imitojmë Perëndinë dhe po i bindemi ligjit të Krishtit.

16. Si japim prova të dashurisë sonë për Perëndinë dhe për Krishtin?

16 Duhet të mbajmë ndër mend se provat e dashurisë sonë i japim me atë që bëjmë, jo thjesht me atë që themi. Edhe Jezuit në një rast iu duk e vështirë të pranonte një aspekt të vullnetit të Perëndisë, për shkak të gjithë asaj që përfshihej në të. «O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë!»—u lut Jezui. Por, menjëherë shtoi: «Megjithatë, mos u bëftë vullneti im, por yti.» (Luka 22:42) Pavarësisht nga të gjitha ato që duroi, Jezui bëri vullnetin e Perëndisë. (Hebrenjve 5:7, 8) Bindja është një provë e dashurisë sonë dhe tregon se ne e pranojmë që udha e Perëndisë është më e mira. «Sepse kjo është dashuria e Perëndisë,—thotë Bibla,—që ne të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1. Gjonit 5:3) Gjithashtu, Jezui u tha apostujve të tij: «Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.»—Gjoni 14:15.

17. Cilin urdhërim të veçantë u dha Jezui ithtarëve të tij dhe si e dimë se ai ka vlerë për ne sot?

17 Çfarë urdhërimi tjetër të veçantë u dha Krishti ithtarëve të vet, përveç atij për të dashur njëri-tjetrin? Ai i urdhëroi që të bënin veprën e predikimit, për të cilën i kishte stërvitur. Pjetri tha: «Ai na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë.» (Veprat 10:42) Jezui kishte urdhëruar në mënyrë specifike: «Shkoni, pra dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8) Jezui zbuloi se këto udhëzime do të kishin vlerë edhe për ithtarët e tij sot, në ‘kohën e mbarimit’, sepse tha: «Ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në të gjithë botën si një dëshmi për të gjithë kombet dhe atëherë do të vijë mbarimi.» (Danieli 12:4; Mateu 24:14) Sigurisht, është vullneti i Perëndisë që ne të predikojmë. Megjithatë, disa mund të mendojnë se Perëndia po kërkon tepër prej nesh, duke na kërkuar të bëjmë këtë vepër. Por a është kështu me të vërtetë?

Pse mund të duket e vështirë?

18. Çfarë nuk duhet të harrojmë kur vuajmë ngaqë po bëjmë atë që kërkon Jehovai?

18 Siç e kemi parë, përgjatë historisë Jehovai u ka kërkuar njerëzve të plotësonin kërkesa të ndryshme. Dhe, siç ka qenë e ndryshme ajo që u është kërkuar të bëjnë, ashtu ka qenë edhe natyra e sprovave që kanë pasur. Biri i dashur i Perëndisë kaloi sprovat më të vështira dhe së fundi u vra në mënyrën më mizore, sepse po bënte atë që i kërkonte Perëndia. Por, kur vuajmë ngaqë bëjmë atë që kërkon Jehovai prej nesh, duhet të mos harrojmë se nuk është ai përgjegjës për sprovat tona. (Gjoni 15:18-20; Jakovit 1:13-15) Rebelimi i Satanait solli si pasojë mëkatin, vuajtjet dhe vdekjen, prandaj ai është personi që ka krijuar rrethanat, të cilat shpesh ua kanë bërë shumë të vështirë shërbëtorëve të Jehovait të bëjnë atë që Jehovai kërkon prej tyre.—Jobi 1:6-19; 2:1-8.

19. Pse është një privilegj të bëjmë atë që na ka kërkuar Perëndia, nëpërmjet Birit të tij?

19 Nëpërmjet Birit të tij, Jehovai i ka drejtuar gjërat në mënyrë që në këtë kohë të mbarimit, shërbëtorët e Tij të shpallin në mbarë tokën se i vetmi ilaç për të gjitha vuajtjet njerëzore është sundimi i Mbretërisë. Kjo qeveri e Perëndisë do të eliminojë të gjitha problemet në tokë: luftën, krimin, varfërinë, plakjen, sëmundjet dhe vdekjen. Gjithashtu, Mbretëria do të sjellë një parajsë të lavdishme tokësore, në të cilën do të ringjallen edhe të vdekurit. (Mateu 6:9, 10; Luka 23:43; Veprat 24:15; Zbulesa 21:3, 4) Çfarë privilegji është të shpallësh lajmin e mirë të këtyre gjërave! Është e qartë, pra, se nuk ka asnjë problem në atë që na kërkon Jehovai të bëjmë. Përgjegjës për kundërshtimin që hasim janë Satana Djalli dhe bota e tij.

20. Si mund ta përballojmë çfarëdolloj sfide që na paraqet Djalli?

20 Si mund ta përballojmë me sukses çfarëdolloj sfide që na paraqet Satanai? Duke mbajtur ndër mend këto fjalë: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» (Fjalët e urta 27:11) Duke lënë sigurinë e jetës qiellore për të bërë vullnetin e Atit të tij në tokë, Jezui i siguroi Jehovait një përgjigje për Satanain që e kishte përfolur. (Isaia 53:12; Hebrenjve 10:7) Kur ishte njeri, Jezui i qëndroi çdo sprove që i bënë, madje edhe vdekjes në një shtyllë mundimesh. Nëse ndjekim atë si Shembullin tonë, edhe ne mund t’u qëndrojmë vuajtjeve dhe të bëjmë atë që kërkon Jehovai prej nesh.—Hebrenjve 12:1-3.

21. Si ndihesh për dashurinë që kanë treguar Jehovai dhe Biri i tij?

21 Sa shumë dashuri kanë treguar për ne Perëndia dhe Biri i tij! Për shkak të flijimit të Jezuit, njerëzimi i bindur ka perspektivën e jetës përgjithmonë në Parajsë. Prandaj, le të mos lejojmë asgjë të na e errësojë shpresën tonë. Përkundrazi, le të marrim personalisht për zemër atë që bëri të mundur Jezui, siç e mori për zemër Pavli, i cili tha: ‘Biri i Perëndisë . . . më deshi dhe dorëzoi veten për mua.’ (Galatasve 2:20, BR) Tregofshim mirënjohje nga zemra për Perëndinë tonë të dashur, Jehovain, i cili nuk kërkon kurrë tepër prej nesh!

Si do të përgjigjesh?

◻ Çfarë kërkon Jehovai prej nesh sot?

◻ Si e theksoi Krishti rëndësinë e dashurisë gjatë mbrëmjes së tij të fundit me apostujt?

◻ Si mund të japim prova se e duam Perëndinë?

◻ Përse është një privilegj të bëjmë atë që na kërkon Jehovai?

[Figura në faqen 23]

Çfarë mësimi dha Jezui, duke u larë këmbët apostujve të tij?

[Figura në faqen 25]

Me gjithë kundërshtimet, predikimi i lajmit të mirë është një privilegj gëzimsjellës

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo