Në kërkim të një jete më të gjatë
«Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. Mbin si një lule, pastaj pritet, ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.»—Jobi 14:1, 2.
EDHE sot, pak veta do ta kundërshtonin këtë meditim mbi shkurtësinë e jetës, ndonëse u shkrua rreth 3.500 vjet më parë. Njerëzve nuk u ka pëlqyer asnjëherë të shijojnë shkurtimisht rininë dhe pastaj të plaken e të vdesin. Prandaj, gjatë gjithë historisë, kanë qenë të shumta metodat e përdorura për të zgjatur jetën.
Në kohën e Jobit, egjiptianët hanin herdhet e kafshëve, duke u përpjekur më kot për të rifituar rininë. Një nga objektivat kryesore të alkimisë së mesjetës ishte prodhimi i një eliksiri që mund të zgjaste jetën. Shumë alkimistë besonin se ari i prodhuar artificialisht do të jepte jetë të pavdekshme dhe se duke ngrënë në pjata ari, do të zgjatej jeta. Taoistët e lashtë kinezë mendonin se mund të ndryshonin përbërjen kimike të trupit, duke përdorur teknika si meditimin, ushtrimet e frymëmarrjes dhe dietën e të fitonin në këtë mënyrë pavdekësinë.
Eksploruesi spanjoll Huan Ponce de Leon njihet për kërkimin e tij të pangopur të burimit të rinisë. Një mjek i shekullit të 18-të rekomandonte në librin e tij, Hermippus Redivivus, që në stinën e pranverës të mbaheshin në një dhomë të vogël disa virgjëresha të reja, të mblidheshin frymënxjerrjet e tyre në një shishe dhe të përdoreshin si një ekstrakt jetëzgjatës. Është e qartë se asnjë prej këtyre metodave nuk pati sukses.
Sot, rreth 3.500 vjet pasi Moisiu dokumentoi thënien e Jobit, njeriu ka ecur në hënë, ka shpikur makina dhe kompjuterë, ka hetuar atomin dhe qelizën. Gjithsesi, pavarësisht nga të gjitha këto përparime teknologjike, akoma ‘jetojmë pak ditë dhe jemi plot shqetësime’. Është e vërtetë se në vendet e zhvilluara jetëgjatësia e pritshme është rritur shumë në krahasim me shekullin e kaluar. Por kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i përmirësimit të kujdesit shëndetësor, i masave më të efektshme higjienike dhe i të ushqyerit më të mirë. Për shembull, nga mesi i shekullit të 19-të e deri në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, jetëgjatësia mesatare në Suedi është rritur nga 40 në 75 vjet për burrat dhe nga 44 në 80 vjet për gratë. Por, a do të thotë kjo se dëshira e njeriut për një jetë më të gjatë është plotësuar?
Jo, sepse ndonëse në disa vende ka më shumë njerëz që arrijnë moshën e plakur, fjalët që shkroi Moisiu vite më parë zbatohen ende: «Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë . . . , sepse kalojnë me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10) A do të ketë ndonjë ndryshim në të ardhmen e afërt? A do të jetë në gjendje njeriu për të jetuar më gjatë në kuptimin e vërtetë të fjalës? Artikulli vijues do të trajtojë këto pyetje.