Të mësojmë udhën e shkëlqyer të dashurisë
Kosova, Libani dhe Irlanda. Këta janë emrat që kanë dalë shpesh në lajme vitet e fundit. Në mendjet e njerëzve, këta emra krijojnë skena gjakderdhjesh, bombardimesh dhe vrasjesh. Sigurisht, konfliktet e dhunshme të shkaktuara nga dallimet fetare, raciale, etnike e të tjera nuk janë gjë e re. Në fakt, faqet e historisë janë të mbushura plot me këto konflikte që i kanë sjellë vuajtje të panumërta njerëzimit.
DUKE parë që luftërat kanë ekzistuar gjatë gjithë historisë, shumë veta kanë arritur në përfundimin se luftërat janë vërtet të pashmangshme dhe se është e natyrshme që njerëzit të urrejnë njëri-tjetrin. Megjithatë, këto pikëpamje janë tërësisht në kundërshtim me mësimet e Fjalës së Perëndisë, Biblës. Në Shkrime deklarohet prerazi: «Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.» (1. Gjonit 4:8) Është e qartë se Krijuesi dëshiron që njerëzit ta duan njëri-tjetrin.
Bibla zbulon, gjithashtu, se njeriu u krijua sipas shëmbëllimit të Perëndisë. (Zanafilla 1:26, 27) Kjo do të thotë se njerëzimit i është dhënë aftësia për të pasqyruar cilësitë e Perëndisë, ku më e rëndësishmja është dashuria. Kur është kështu, përse njerëzit përgjatë historisë kanë dështuar në mënyrë kaq të mjerueshme të tregojnë dashuri? Edhe një herë, Bibla na ndihmon që të thellohemi. Është kështu sepse çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, u rebelua kundër Perëndisë dhe ra në mëkat. Për pasojë, të gjithë pasardhësit e tyre trashëguan mëkatin dhe papërsosmërinë. Në Romakëve 3:23 shpjegohet: «Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.» Aftësia që na ka dhënë Perëndia për të dashur është dëmtuar nga mëkati ynë i trashëguar dhe nga papërsosmëria. A do të thotë kjo se njerëzit nuk mund ta duan njëri-tjetrin? Çfarë shprese ka që një ditë të gëzojmë marrëdhënie paqësore e të dashur me njerëzit e tjerë?
Duhet të mësojmë të duam Perëndinë
Perëndia Jehova e di se pavarësisht nga të gjitha të tjerat, njerëzimi ende mund të tregojë dashuri. Ja përse ai kërkon që të gjithë ata të cilët duan t’i pëlqejnë atij, të tregojnë sa më shumë dashuri që munden. Kjo kërkesë u bë e qartë nga Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, kur iu kërkua të përmendte se cili ishte urdhërimi më i madh në Ligjin që iu dha Izraelit. Ai tha: «‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.’ Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.»—Mateu 22:37-40.
Gjithsesi, shumë njerëz mendojnë se e kanë shumë të vështirë të duan dikë që nuk mund ta shohin, dhe ne njerëzit nuk mund ta shohim Perëndinë Jehova, sepse ai është Frymë. (Gjoni 4:24) Por, ajo që bën Perëndia ndikon ditë për ditë te ne, përderisa të gjithë varemi nga gjërat e shumta të mira që ai krijoi për dobinë tonë. Apostulli Pavël e theksoi këtë fakt, kur tha: «[Perëndia] nuk e la veten pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim.»—Veprat 14:17.
Edhe pse të gjithë përfitojnë në një mënyrë ose në një tjetër nga sigurimet e Krijuesit, relativisht pak njerëz i janë mirënjohës atij ose nxiten për ta falënderuar. Prandaj, ne duhet të bëjmë një vlerësim të të gjitha gjërave të mira që ka bërë Perëndia për ne dhe të meditojmë për cilësitë e mrekullueshme që përshkojnë gjithçka që bën ai. Kjo duhet të na aftësojë që të dallojmë mençurinë e mrekullueshme dhe fuqinë e Krijuesit tonë të Madh. (Isaia 45:18) Mbi të gjitha, duhet të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë Perëndie i dashur është ai, për faktin që, jo vetëm na ka dhënë jetën, por ka bërë të mundur të gëzojmë kënaqësitë e shumta të saj.
Për shembull, mendo për shumëllojshmërinë e pafund të luleve të bukura që krijoi Perëndia në tokë. Sa gjë e mrekullueshme është që ai na dha edhe aftësinë për të parë dhe për të provuar kënaqësi të madhe nga këto gjëra të bukura! Në mënyrë të ngjashme, Perëndia siguroi të gjitha llojet e ushqimit të shëndetshëm, i cili na mban në jetë. Sa kujdes ka treguar duke na krijuar edhe me shqisën e të shijuarit, me qëllim që të mund të provojmë këtë kënaqësi të të ngrënit! A nuk janë këto prova domethënëse se Perëndia na do me të vërtetë dhe se ka ndër mend interesat tona më të mira?—Psalmi 145:16, 17; Isaia 42:5, 8.
Përveçse na e ka bërë të njohur veten me anë të «librit të natyrës», Krijuesi na e tregon se çfarë lloj Perëndie është, me anë të Fjalës së tij, Biblës. Kjo sepse në Bibël janë dokumentuar shumë nga gjërat e dashura që ka bërë Perëndia në të kaluarën dhe bekimet e shumta që premton t’i japë njerëzimit në të ardhmen e afërt. (Zanafilla 22:17, 18; Eksodi 3:17; Psalmi 72:6-16; Zbulesa 21:4, 5) Mbi të gjitha, Bibla na zbulon shprehjen më të madhe të dashurisë së Perëndisë ndaj njerëzimit, dhënien e Birit të tij të vetëmlindur për të qenë Shpenguesi ynë, me qëllim që të lirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. (Romakëve 5:8) Në fakt, sa më shumë që të mësojmë rreth Krijuesit tonë të dashur, aq më shumë nxitemi ta duam atë me gjithë zemër.
Të mësojmë të duam të tjerët
Siç e theksoi Jezui, përveçse të duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë, ne duhet të duam të afërmin tonë si vetveten. Në fakt, dashuria e Perëndisë na detyron të duam të tjerët. Apostulli Gjon shpjegoi: «Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë, edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.» Më tej, ai theksoi: «Po të thotë dikush: ‘Unë e dua Perëndinë’ dhe e urren vëllanë e vet, është gënjeshtar, sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë që nuk e sheh? Dhe ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.»—1. Gjonit 4:11, 20, 21.
Sot jetojmë në një botë ku pjesa më e madhe e njerëzve tregojnë një qëndrim prej uni, duke qenë «dashurues të vetvetes» pikërisht siç kishte parathënë Bibla. (2. Timoteut 3:2, BR) Prandaj, nëse duam të mësojmë udhën e shkëlqyer të dashurisë, duhet të bëjmë përpjekje serioze për të përtërirë mendjen dhe për të imituar Krijuesin tonë të dashur, në vend që të ndjekim udhët egoiste të njerëzve në përgjithësi. (Romakëve 12:2; Efesianëve 5:1) Perëndia është edhe «mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët» dhe «bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë». Meqë Ati ynë qiellor jep një shembull të tillë të shkëlqyer, ne duhet të përpiqemi të jemi mirëdashës dhe gati për të ndihmuar këdo. Duke vepruar kështu, mund të provojmë se jemi ‘bij të Atit tonë që është në qiej’.—Luka 6:35; Mateu 5:45.
Disa herë, rezultati i këtyre veprave të dashura është se njerëzit ndihmohen për t’u bërë adhurues të Perëndisë së vërtetë. Disa vite më parë, një shtëpiake, një Dëshmitare e Jehovait, u përpoq ta ndante mesazhin e Biblës me fqinjën e saj, por ajo vetëm sa e refuzoi prerazi. Megjithatë, ajo nuk u shkurajua nga ky reagim. Në vend të kësaj, vazhdoi të ishte e sjellshme dhe ta ndihmonte fqinjën. Në një rast e ndihmoi për t’u transferuar në një shtëpi tjetër. Në një rast tjetër, mori masa që dikush ta shoqëronte fqinjën në aeroport për të takuar të afërmit e saj. Më vonë, fqinja pranoi një studim biblik dhe u bë një e krishterë e zellshme, pavarësisht nga persekutimi shumë i ashpër i burrit të vet. Tamam, ato shprehje dashurie vunë themelin për bekimet e përhershme.
Nëse jemi të ndershëm, do ta pranojmë se dashuria që ka Perëndia për ne nuk vjen sepse ne kemi një bollëk cilësish të admirueshme. Përkundrazi, ai na do edhe pse kemi shumë të meta dhe mangësi. Po kështu, edhe ne duhet të mësojmë të duam të tjerët pavarësisht nga të metat e tyre të shumta. Nëse stërvitemi për të dalluar dhe për të çmuar cilësitë e mira të të tjerëve në vend që të kërkojmë të metat, do ta kemi shumë më të lehtë të ndiejmë dashuri për ta. Ajo që ndiejmë për ta mund të shkojë madje përtej dashurisë së drejtuar nga parimet dhe të përfshijë përzemërsinë e ngrohtë dhe simpatinë që ekziston mes miqve të ngushtë.
Ta lëmë dashurinë të rritet
Dashuria dhe miqësia duhen ushqyer e kultivuar dhe mes përbërësve thelbësorë për të bërë këtë gjë janë sinqeriteti dhe ndershmëria. Disa përpiqen t’i fshehin mangësitë e tyre për të lënë një përshtypje të favorshme te njerëzit që duan t’i bëjnë miq. Megjithatë, kjo mënyrë shpesh dështon, pasi të tjerët më së fundi i zbulojnë faktet dhe ndiejnë neveri nga kjo pandershmëri. Prandaj, nuk duhet të kemi frikë për t’u bërë të ditur të tjerëve se si jemi në të vërtetë, edhe pse kemi mangësi, të cilat po përpiqemi t’i kapërcejmë. Kjo mund të na ndihmojë për të zënë shoqëri me ta.
Për shembull një Dëshmitare në moshë të shkuar në një kongregacion në Lindjen e Largët ka shumë pak arsimim. Megjithatë, ajo kurrë nuk përpiqet t’ua fshehë të tjerëve këtë fakt. Ajo e pranon hapur, për shembull, se nuk është në gjendje t’u tregojë të tjerëve se si të përcaktojnë nga profecitë biblike dhe nga historia, që Kohët e Johebrenjve mbaruan në vitin 1914.a Gjithsesi, ajo jep një shembull kaq të mirë me zellin për shërbimin, si edhe me dashurinë dhe bujarinë për vëllezërit, saqë e quajnë me përzemërsi «perla» e kongregacionit.
Në disa kultura, shfaqja e përzemërsisë haptazi nuk shihet me sy të mirë, pasi njerëzve u mësohet të mbajnë një sjellje formale me edukatë në marrëdhëniet me të tjerët. Edhe pse është gjithnjë e mirë të sillemi me edukatë e të jemi të kujdesshëm, nuk duhet të lejojmë që një sjellje e tillë t’i mbytë ose t’i fshehë ndjenjat tona për të tjerët. Jehovai nuk u ndie me turp për të shprehur përzemërsinë e tij për popullin e zgjedhur, Izraelin e lashtë, duke u thënë: «Të kam dashur me një dashuri të përjetshme.» (Jeremia 31:3) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pavël u tha bashkëbesimtarëve të tij në Selanik: «Duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, po edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.» (1. Thesalonikasve 2:8) Prandaj, ndërsa përpiqemi të kultivojmë përzemërsi të sinqertë për të tjerët, është më shumë në harmoni me mësimin e Biblës që t’i lëmë këto ndjenja të shprehen në mënyrë të natyrshme në vend që t’i ndrydhim.
Kërkohen përpjekje të vazhdueshme
Të mësojmë të ndiejmë dhe të tregojmë dashuri për të tjerët është një proces i vazhdueshëm. Bërja e kësaj kërkon shumë përpjekje nga ana jonë, sepse na duhet të punojmë fort për të kapërcyer papërsosmëritë tona, si edhe për t’i rezistuar ndikimit të fortë të kësaj bote pa dashuri. Megjithatë, shpërblimet e mëdha që sjell kjo, i bëjnë vërtet të vlefshme përpjekjet.—Mateu 24:12.
Edhe në këtë botë shumë të papërsosur, mund të gëzojmë marrëdhënie më të mira me të tjerët, gjë që do të sjellë si rezultat shumë gëzim, paqe dhe kënaqësi për vete e për të tjerët. Duke bërë këto përpjekje, mund të provojmë se jemi të denjë për shpresën e mrekullueshme të të jetuarit përgjithmonë në botën e re të Perëndisë. Mbi të gjitha, duke mësuar udhën e shkëlqyer të dashurisë, mund të fitojmë miratimin dhe bekimet e Krijuesit tonë të dashur, tani dhe për përjetësinë!
[Shënimi]
a Për hollësi shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 1, faqet 132-135, anglisht.
[Figurat në faqen 10]
Dashuria e krishterë mund të tregohet me veprime dashamirëse
[Burimi i figurës në faqen 8]
FOTO E OKB-së 186226/M. Grafman