Përgatitu për Mijëvjeçarin që ka rëndësi!
MBRETËRIMI Mijëvjeçar i Krishtit do t’i sjellë bekime të panumërta familjes njerëzore. Nën drejtimin e dashur të Jezuit, njerëzimi do të ngrihet nga gjendja e tij e tanishme e mjeruar, në përsosmërinë e lavdishme. Mendo se çfarë mund të nënkuptojë kjo për ty. Do të kesh shëndet rrezatues! Imagjino të ngrihesh çdo mëngjes duke u ndier më mirë se një ditë më parë. Miliona burra, gra dhe fëmijë mezi presin të jetojnë në atë kohë të lumtur. Ata i vendosin shpresat aty dhe luten për të. Studimi i Biblës i ka bindur se këto bekime mund të jenë të tyret.
Megjithatë, para se të fillojë Mbretërimin e tij Mijëvjeçar, Jezu Krishti duhet ta çlirojë tokën nga të gjithë ata që i kundërvihen sundimit të tij. Këtë do ta bëjë në betejën që në Bibël quhet Harmagedon. (Zbulesa 16:16) Të krishterët e vërtetë në tokë nuk do të luftojnë në atë luftë. Ajo është lufta e Perëndisë. Gjithashtu, ajo nuk do të kufizohet në një vend të vetëm gjeografik. Bibla thotë se ajo luftë do të arrijë deri në skajet më të largëta të tokës. Armiqtë e sundimit të Krishtit do të asgjësohen. Asnjë prej tyre nuk do të shpëtojë!—Jeremia 25:33.
Pastaj Jezui do ta drejtojë vëmendjen nga Satana Djalli dhe demonët e tij. Përfytyroje skenën siç e pa shkrimtari i librit të Zbulesës: «Pashë një engjëll [Jezu Krishtin] që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës dhe një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani dhe e lidhi për një mijë vjet.» (Zbulesa 20:1, 2) Më vonë, Satanai dhe demonët e tij do të shkatërrohen përgjithmonë.—Mateu 25:41.
Nga Harmagedoni do të mbijetojë ‘një shumicë e madhe, të cilën askush nuk [është] në gjendje ta numërojë’. (Zbulesa 7:9, BR) Krishti do t’i udhëheqë këta që të nxjerrin plotësisht dobi nga «burimet e ujërave të jetës», tamam siç i udhëheq një bari delet e tij drejt ujërave jetëshpëtuese. (Zbulesa 7:17, BR) Duke mos u penguar në përparimin e tyre frymor nga Satanai dhe nga demonët e tij, këta të mbijetuar nga Harmagedoni do të ndihmohen gradualisht për të kapërcyer prirjet e tyre mëkatare derisa më në fund të arrijnë përsosmërinë!
Nën sundimin e dashur të Krishtit, kushtet e jetesës do të përmirësohen vazhdimisht. Perëndia Jehova, nëpërmjet Jezu Krishtit, do të eliminojë të gjitha shkaqet e dhimbjes dhe të pikëllimit. Ai «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim». (Zbulesa 21:4) Profeti Isaia e plotëson tablonë, duke thënë: «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve, atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.» (Isaia 35:5, 6) Veç kësaj, të vdekurit, «të mëdhenj e të vegjël», do të kthehen përsëri në jetë me perspektivën për të mos vdekur kurrë më!—Zbulesa 20:12.
‘Shumica e madhe’ që do të mbijetojë nga Harmagedoni po mblidhet që tani. Ata po bëhen gati për Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit. Edhe pse nuk e dinë se kur do të fillojë ky mbretërim, ata janë të sigurt se në kohën e duhur të Perëndisë, ai do të nisë. Ti mund të jesh mes këtyre personave, por duhet, gjithashtu, të bëhesh gati, jo duke shitur zotërimet e tua dhe duke udhëtuar në ndonjë vend gjeografik, por duke marrë njohuri të saktë për Perëndinë Jehova dhe për qëllimet e tij, me anë të një studimi të Biblës. Pa kërkuar ndonjë pagesë dhe pa të detyruar aspak, Dëshmitarët e Jehovait do të të tregojnë me kënaqësi se si mund të nxjerrësh dobi ti dhe familja jote nga një studim i Biblës. Botuesit e kësaj reviste do të jenë të lumtur të sigurojnë informacione të mëtejshme.
[Kutia në faqen 7]
Një mijë vjetët: realë apo simbolikë?
Duke qenë se pjesa më e madhe e librit biblik të Zbulesës u shkrua në gjuhë simbolike, lind një pyetje. Po Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit që përmendet në Zbulesë? Është një periudhë reale apo simbolike?
Të gjithë treguesit vërtetojnë se bëhet fjalë për një periudhë reale njëmijëvjeçare. Shqyrto: apostulli Pavël i referohet Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, gjatë të cilit do të gjykohet njerëzimi, si një ditë. (Veprat 17:31; Zbulesa 20:4) Apostulli Pjetër shkroi se për Jehovain një ditë (24 orë) është si një mijë vjet. (2. Pjetrit 3:8) Kjo tregon se kjo «ditë» gjykimi është një mijë vjet e gjatë në kuptim të mirëfilltë. Përveç kësaj, në Zbulesën 20:3, 5-7, BR, lexojmë katër herë, jo për «një mijë vjet», por për «të një mijë vitet». Kjo duket se tregon një periudhë me kohëzgjatje të përcaktuar.