BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/12 f. 26-29
  • Galaadi dërgon misionarë «deri në skajin e dheut»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Galaadi dërgon misionarë «deri në skajin e dheut»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shërbejini me besnikëri Jehovait dhe të afërmit
  • Instruktorët japin përkujtues të dashur
  • Misionarë me përvojë japin siguri
  • Të shmangim murtajën që vret gjendjen tonë frymore
  • Studentët e diplomuar të Fjalës së Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Një frymë vullnetmirë i sjell njerëzit në Galaad
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Të motivuar për të shërbyer
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Dita e diplomimit​—Një ditë e bukur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/12 f. 26-29

Galaadi dërgon misionarë «deri në skajin e dheut»

TASHMË ka më shumë se një gjysmë shekulli që Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit nxjerr misionarë. Më 11 shtator 1999, u diplomua klasa e 107-të e Galaadit. Ajo përbëhej nga 48 studentë të ardhur nga 11 vende, të cilët u caktuan në 24 shtete të ndryshme. Ata do t’u bashkohen radhëve të mijëra misionarëve të tjerë, të cilët kanë luajtur një rol domethënës në përmbushjen e fjalëve të fundit që tha Jezui para se të ngjitej në qiell. Ai paratha se dishepujt e tij do të ‘ishin dëshmitarë të tij . . . deri në skajin e dheut’.—Veprat 1:8.

Programi i diplomimit, që filloi në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju Jork, qe një ngjarje e rëndësishme që u organizua në ambiente të bukura. Studentët që po diplomoheshin ishin shumë të lumtur që në auditor ishin edhe të afërmit, miqtë e tyre dhe mysafirë. Duke përfshirë edhe ata që e dëgjuan dhe e panë programin me lidhjet audio dhe video nëpër komplekset e Bruklinit dhe të Uollkillit, totali i të pranishmëve qe 4.992 persona.

Shërbejini me besnikëri Jehovait dhe të afërmit

«Kush është në anën e Jehovait?» Kjo ishte tema e komenteve hyrëse të bëra nga Keri Barber, anëtar i Trupit Udhëheqës dhe drejtues i programit të diplomimit. Ai shpjegoi se kjo ishte çështja përballë së cilës u gjendën izraelitët në ditët e Moisiut. Studentëve që po diplomoheshin dhe të pranishmëve ai u kujtoi se shumë izraelitë humbën jetën në shkretëtirë, ngaqë nuk qëndruan me besnikëri në anën e Jehovait. Pasi ranë viktimë e idhujtarisë, ata ‘u ulën për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngritën për të dëfryer’. (Eksodi 32:1-29) Jezui i paralajmëroi të krishterët për të njëjtin rrezik: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete, që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.»—Luka 21:34-36.

Oratori tjetër, Xhin Smallej nga Reparti i Shkrimit, i pyeti studentët që po diplomoheshin: «A do të provoni se jeni një melhem?» Ai shpjegoi se fjala greke paregoria u adoptua në gjuhën angleze për të emërtuar një përzierje mjekësore që lehtëson dhembjet. Megjithatë, apostulli Pavël e përdori këtë fjalë shprehëse greke te Kolosianëve 4:11, për të përshkruar bashkëpunëtorët e tij. Në Përkthimin Bota e Re kjo fjalë përkthehet «ndihmë fuqizuese».

Në caktimet e tyre, misionarët e diplomuar mund të bëhen melhem i ditëve moderne në një mënyrë shumë praktike, duke u bërë me përulësi ndihmë fuqizuese për vëllezërit dhe për motrat e duke shfaqur një frymë dashurie dhe bashkëpunimi me misionarët e tjerë.

Më pas, Daniel Sidlik, anëtar i Trupit Udhëheqës, foli në lidhje me temën «Rregulla e Artë me anë të së cilës të jetojmë». Ai shpjegoi se parimi i lartë që tha Jezui në Mateun 7:12, «gjithçka . . . që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre», do të thotë që të bëjmë gjëra pozitive për të tjerët, jo vetëm të përmbahemi që të mos u bëjmë keq.

Për ta bërë me sukses këtë, kërkohen tri gjëra: të kemi një sy vëzhgues, një zemër me empati dhe të jemi të gatshëm për të ndihmuar. Duke bërë një përmbledhje, ai tha: «Nëse ndiejmë dëshirën për të ndihmuar, duhet ta bëjmë menjëherë. Duhet të bëjmë përpjekje të mëdha për t’u bërë të tjerëve atë që do të dëshironim të bënin ata për ne.» Kjo do të ishte veçanërisht e vërtetë për misionarët që do të shkonin në vende të tjera për t’i ndihmuar njerëzit që të praktikonin krishterimin e vërtetë.

Instruktorët japin përkujtues të dashur

Karl Adams, instruktor i Galaadit, i inkurajoi misionarët që po diplomoheshin me fjalët «Vazhdoni të rriteni». Në ç’aspekte? Së pari, në njohuri dhe në aftësinë për ta përdorur mirë këtë njohuri. Në Galaad studentët kishin mësuar se si të bënin kërkime për të kuptuar rrethanat dhe kontekstin e tregimeve biblike. Kishin marrë inkurajim për të shqyrtuar se si duhet të ndikojë në jetën e tyre çdo tregim. Ata ishin nxitur që të vazhdonin ta bënin këtë.

«Së dyti, vazhdoni të rriteni në dashuri. Dashuria është diçka që kur e ushqen, rritet. Kur e lë pas dore, mund të vdesë»,—tha vëllai Adams. (Filipianëve 1:9) Tani, si misionarë, ata do të kishin nevojë të rriteshin në dashuri në rrethana të ndryshme. Dhe, së treti: «Rrituni në hirin [dashamirësinë e pamerituar, BR] dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.» (2. Pjetrit 3:18) «Kjo është dashamirësia e mrekullueshme që na ka treguar Jehovai nëpërmjet Birit të tij,—tha oratori.—Dora-dorës që e rritim çmueshmërinë për këtë dashamirësi të pamerituar, do të na rritet kënaqësia që gjejmë në bërjen e vullnetit të Perëndisë dhe në kryerjen e asaj që na ka caktuar ai.»

Një instruktor tjetër i Galaadit, Mark Numar, foli në lidhje me temën «Pranojini me dashuri dhe do të mund t’i përballoni». Ai këshilloi: «Mësoni t’i pranoni me dashuri situatat sfiduese në jetën si misionarë dhe do të jeni në gjendje t’i përballoni ato. Jehovai i disiplinon ata që i do. Edhe sikur të mendoni se njëfarë këshille është e papeshuar mirë, duke qenë e fortë ose e padrejtë, dashuria për Jehovain dhe marrëdhënia që keni me të do t’ju ndihmojnë ta pranoni këshillën.»

Vëllai Numar theksoi se shërbimi misionar përfshin shumë detyra. «Por, po t’i bëni detyrat pa dashuri, do t’ju shkaktojnë pakënaqësi. Pa dashuri, punët e shtëpisë, si, për shembull: gatimi, pazari, pastrimi i frutave, zierja e ujit, mund të bëhen shumë të mërzitshme. Në atë moment, duhet të ndaleni dhe të pyetni veten: ‘Përse po i bëj këto?’ E, pra, nëse i thoni vetes: ‘Përpjekjet e mia i kontribuojnë shëndetit dhe lumturisë së misionarëve të tjerë’, atëherë nuk do ta keni të vështirë të duroni.» Duke bërë një përmbledhje, ai bëri thirrje: «Nëse bëhet fjalë për të pranuar disiplinën, për të përmbushur detyrat tuaja misionare ose për të zgjidhur mosmarrëveshjet, pranimi i secilës prej tyre me dashuri do t’ju japë mundësi të jeni të qëndrueshëm në caktimin tuaj. ‘Dashuria nuk dështon kurrë.’»—1. Korintasve 13:8, BR.

Më pas, instruktori i Galaadit, Uollas Livërëns, tregoi disa përvoja të këndshme që kishin pasur studentët ndërsa punonin me kongregacionet vendase. Përveç faktit që shkuan shtëpi më shtëpi, ata e përdorën stërvitjen e tyre misionare për të kërkuar njerëzit në vendqendrimet e kamionëve, nëpër lavanderitë publike, në stacionet e trenave dhe në vende të tjera.

Misionarë me përvojë japin siguri

Kur misionarët e rinj shkojnë në një vend të huaj, a është e nevojshme që të jenë në ankth? A mund t’i përballojnë ata sfidat e një caktimi në vend të huaj? Çfarë bëjnë Zyrat e Degëve për t’i ndihmuar këta të sapoardhur që të jenë të suksesshëm? Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, si edhe të tjerave, Steven Let nga Reparti i Shërbimit dhe David Splejn nga Reparti i Shkrimit, intervistuan vëllezër që po ndiqnin në atë kohë shkollën e Degës në Qendrën e Arsimimit Watchtower. Vëllezërit që u intervistuan shërbejnë në Komitete Dege në Spanjë, Hong Kong, Liberi, Benin, Madagaskar, Brazil dhe Japoni.

Këta shërbëtorë me përvojë të Jehovait, shumë prej të cilëve kanë shërbyer si misionarë për dekada, u dhanë siguri studentëve që po diplomoheshin, si edhe prindërve e të afërmve të tyre që ishin të pranishëm. Duke u bazuar në përvojën personale dhe në atë të misionarëve të tjerë, ata treguan se problemet dhe shqetësimet mund të trajtohen me sukses. Problemi që mund të përballojnë ndoshta është i madh, «por mund të zgjidhet dhe Shoqata na ndihmon për këtë», komentoi Raimo Kuokanen, një misionar në Madagaskar. «Ne nuk e zgjodhëm caktimin, por e morëm atë,—tha Östen Gustavson që tani shërben në Brazil.—Prandaj, vendosëm që të bënim më të mirën tonë për të qëndruar në të.» Xhejms Linton, i cili shërben në Japoni, tha se ajo që e ndihmoi ishte «prania e vëllezërve që tashmë kishin shërbyer në një caktim misionar». Shërbimi misionar është një mënyrë e lumtur dhe e kënaqshme për t’i shërbyer Jehovait dhe për t’u kujdesur për delet e tij.

Të shmangim murtajën që vret gjendjen tonë frymore

Theodor Xharaz, anëtar i trupit Udhëheqës, i cili është diplomuar në klasën e shtatë të Galaadit, në vitin 1946, mbajti fjalimin përmbyllës me temë «Sfida për ta mbajtur të gjallë gjendjen frymore». Duke përmendur së pari mizoritë e tmerrshme që po ndodhin në vende të ndryshme të botës, ai theksoi se në kohën tonë njerëzimit po i ndodhin katastrofat më të rënda.

Duke iu referuar Psalmit 91, vëllai Xharaz identifikoi ‘murtajën’ dhe ‘shfarosjen’ që kanë sëmurur dhe kanë vrarë frymësisht miliona njerëz përreth nesh. Djalli dhe sistemi i tij i lig kanë përdorur propagandën ngjashëm murtajës, të bazuar në intelektualizmin dhe në materializmin, për të dobësuar dhe për të vrarë gjendjen frymore, por Jehovai na siguron se kjo murtajë nuk do t’i afrohet ‘kujtdo që banon në strehën e Shumë të Lartit’.—Psalmi 91:1-7.

«Sfida,—tha vëllai Xharaz,—është të qëndrojmë të shëndetshëm në besim, të mbetemi në vendin e sigurt. Nuk mund të jemi si tallësit ‘që nuk kanë gjendje frymore’. Ky është një problem sot. Është një problem që e hasim të gjithë në organizatë. Mund ta hasni edhe ju në caktimin tuaj misionar.» (Judës 18, 19, BR) Por misionarëve që po diplomoheshin iu tha se mund ta mbanin me sukses gjendjen e tyre frymore në caktimet e tyre. Ata u nxitën që të shqyrtonin, për shembull, se si po qëndrojnë vëllezërit tanë në Rusi, në Azi dhe në vendet afrikane, pavarësisht nga vënia nën ndalime, kundërshtimi i fortë, talljet, propaganda ateiste dhe akuzat e rreme. Gjithashtu, në shumë raste, këtyre iu shtohen edhe problemet fizike, të shkaktuara nga konfliktet etnike dhe nga mungesa e gjërave të domosdoshme.

Kur në gjendjen tonë frymore ka një rënie, «është e nevojshme të gjejmë shkakun e problemit dhe pastaj të punojmë me të, duke përdorur këshillat e Fjalës së Perëndisë». U dhanë shembuj biblikë. Josiu u inkurajua ta lexonte kopjen e tij të Ligjit nën zë çdo ditë. (Jozueu [Josiu]1:8) Kur u gjet libri i Ligjit në ditët e Josias, Jehovai e bekoi zbatimin me besnikëri të udhëzimeve të dhëna aty. (2. Mbretërve 23:2, 3) Timoteu i njihte shkrimet e shenjta që nga foshnjëria. (2. Timoteut 3:14, 15) Bereasit ishin më tepër sesa dëgjues të mirë. Ata u konsideruan «të fisshëm nga mendja», sepse i shqyrtonin Shkrimet çdo ditë. (Veprat 17:10, 11, BR) Gjithashtu, Jezu Krishti është shembulli më i shquar i një personi që e njihte dhe e përdorte Fjalën e Perëndisë.—Mateu 4:1-11.

Në mbyllje, vëllai Xharaz i këshilloi me përzemërsi misionarët e rinj: «Tani jeni të përgatitur për të kryer caktimin tuaj misionar. Do të shkoni jashtë shtetit, në kuptim shumë të mirëfilltë, në shumë pjesë të ndryshme të tokës. Nëse hasim sfidën për ta mbajtur të gjallë gjendjen tonë frymore, atëherë nuk do të lëmë asgjë të na shpërqendrojë nga kryerja e asaj që kemi vendosur të bëjmë. Do të predikoni me zell, do t’i frymëzoni të tjerët që të imitojnë besimin tuaj dhe ne do të lutemi së bashku me ju që ata të cilët mësoni, Jehovai t’i bëjë të gjallë siç na ka bërë ne. Në këtë mënyrë, shumë njerëz të tjerë do t’i ikin katastrofës frymore që tani po godet mbarë botën. Ata do të bashkohen me ne, duke shtuar numrin e atyre që bëjnë vullnetin e Jehovait. Jehovai ju bekoftë për këtë qëllim.»

Pasi drejtuesi lexoi përshëndetjet nga vende të ndryshme përreth botës, erdhi koha për t’u dhënë diplomat studentëve që po diplomoheshin. Pastaj, vijoi leximi i një letre të përzemërt çmueshmërie të shkruar nga studentët. Sa mirënjohës ishin ata ndaj Jehovait dhe ndaj organizatës së tij, për stërvitjen speciale që kishin marrë dhe për caktimet e tyre si misionarë që shkojnë «deri në skajin e dheut»!—Veprat 1:8.

[Kutia në faqen 29]

Statistikat e klasës

Numri i vendeve të përfaqësuara: 11

Numri i shteteve ku u caktuan: 24

Numri i studentëve: 48

Numri i çifteve të martuara: 24

Mosha mesatare: 34

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 17

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 12

[Figura në faqen 26]

Diplomimi i klasës së 107-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

 1. Peralta, C.; Hollenbeck, B.; Shaw, R.; Hassan, N.; Martin, D.; Hutchinson, A. 2. Edwards, L.; Vezer, T.; Ceruti, Q.; Entzminger, G.; D’Aloise, L.; Baglieri, L. 3. Knight, P.; Krause, A.; Kasuske, D.; Rose, M.; Friedl, K.; Nieto, R. 4. Rose, R.; Backus, T.; Talley, S.; Humbert, D.; Bernhardt, A.; Peralta, M. 5. D’Aloise, A.; Humbert, D.; Dunn, H.; Gatling, G.; Shaw, J.; Ceruti, M. 6. Baglieri, S.; Krause, J.; Hollenbeck, T.; Martin, M.; Bernhardt, J.; Hutchinson, M. 7. Backus, A.; Dunn, O.; Gatling, T.; Vezer, B.; Knight, P.; Hassan, O. 8. Nieto, C.; Talley, M.; Friedl, D.; Kasuske, A.; Edwards, J.; Entzminger, M.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo