A është vallë dëshmi arkeologjike e ekzistencës së Jezuit?
«DËSHMI për Jezuin, e shkruar në gur.» Kështu shpallte në kapakun e saj revista Biblical Archaeology Review (nëntor-dhjetor 2002). Në atë kapak paraqitej një kuti me eshtra, ose një eshtërore, prej guri gëlqeror, e gjetur në Izrael. Eshtëroret u përdorën gjerësisht ndër judenjtë gjatë periudhës së shkurtër prej shekullit të parë p.e.s. e deri në vitin 70 të e.s. Ajo që e bëri veçanërisht të rëndësishme këtë eshtërore ishte një mbishkrim aramaik në njërën anë të saj. Studiuesit e pranuan se aty ishte shkruar: «Jakovi, biri i Jozefit dhe vëllai i Jezuit.»
Sipas Biblës Jezui i Nazaretit kishte një vëlla që quhej Jakov, i cili konsiderohej si biri i Jozefit, burrit të Marisë. Kur Jezu Krishti i mësoi njerëzit në qytetin e tij të lindjes, ata që po e dëgjonin pyetën të mahnitur: «A s’është ky biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet nëna e tij Marie dhe vëllezërit e tij, Jakov, Jozef, Simon dhe Judë? Po motrat e tij, a nuk janë të gjitha me ne?»—Mateu 13:54-56; Luka 4:22; Gjoni 6:42.
Po, mbishkrimi tek eshtërorja përputhet me përshkrimin e Jezuit nga Nazareti. Andre Lëmeri, një autoritet në mbishkrimet e lashta dhe shkrimtari i artikullit të përmendur më lart i revistës Biblical Archaeology Review, pohon që, në rast se Jakovi i përmendur në mbishkrim ishte gjysmëvëllai i Jezu Krishtit, atëherë kjo do të ishte «dëshmia më e lashtë arkeologjike jobiblike për Jezuin». Hershel Shanksi, redaktori i revistës, vëren se eshtërorja «është diçka e prekshme dhe e dukshme e cila i përket kohës së personazhit unik më të rëndësishëm që ka jetuar ndonjëherë në tokë».
Sidoqoftë që të tre emrat që lexohen në mbishkrimin e eshtërores ishin të zakonshëm në shekullin e parë. Prandaj është e mundur që përveç familjes së Jezu Krishtit të ekzistonte edhe një familje tjetër në të cilën disa pjesëtarë të saj quheshin Jakov, Jozef dhe Jezu. Lëmeri bën këtë llogaritje të përafërt: «Në Jerusalem, gjatë dy brezave përpara vitit 70 të e.s., kishte . . . ndoshta rreth 20 veta që mund të quheshin ‘Jakovi ose Jakobi biri i Jozefit dhe vëllai i Jezuit’. » Prapëseprapë ai mendon se ka një mundësi prej 90 për qind që Jakovi i eshtërores të ishte gjysmëvëllai i Jezu Krishtit.
Po ashtu ka edhe një faktor tjetër që i bën disa të besojnë se Jakovi te mbishkrimi ishte gjysmëvëllai i Jezu Krishtit. Edhe pse në këto mbishkrime ishte e zakonshme të përmendej i ati i të vdekurit, shumë rrallë përmendej i vëllai. Për këtë arsye disa studiues besojnë se ky Jezu në këtë rast duhet të ketë qenë dikush i rëndësishëm, duke i bërë ata të mendojnë se ai ishte Jezu Krishti, themeluesi i krishterimit.
A është e mirëfilltë eshtërorja?
Çfarë është një eshtërore? Është një kuti ose arkë ku vendoseshin eshtrat e një individi të vdekur pasi trupi i tij të ishte tretur në një guvë varrimi. Shumë eshtërore që ndodheshin në vendet e varrimit përreth Jerusalemit u plaçkitën. Kutia me mbishkrimin për Jakovin në të u zbulua në një treg gjërash antike dhe jo në një vend gërmimi të njohur zyrtarisht. Zotëruesi i eshtërores thuhet ta ketë blerë atë disa qindra dollarë në vitet 70 të shekullit të 20-të. Kështu origjina e eshtërores është e mbuluar nga misteri. Brus Çiltoni, profesor në kolegjin Bard në Nju-Jork, thotë: «Nëse nuk mund të thuhet se ku u gjet një objekt dhe ku ka qenë gjatë pothuajse 2.000 vjetëve, atëherë nuk mund të pretendohet që të krijohet një lidhje mes objektit dhe njerëzve që mund të përmenden në të.»
Për të siguruar bazën arkeologjike që i mungonte, Andre Lëmeri e dërgoi eshtëroren në Ekspertizën Gjeologjike të Izraelit. Atje ekspertët verifikuan se eshtërorja ishte bërë prej guri gëlqeror në shekullin e parë ose të dytë të e.s. Ata raportuan se «nuk u gjet asnjë shenjë e përdorimit të veglave ose instrumenteve të sotëm». Sidoqoftë studiues të Biblës që u intervistuan nga gazeta The New York Times shprehën mendimin se «kjo dëshmi rrethanore që mbështet lidhjen me Jezuin ishte ndoshta dëshmi e fortë, por prapëseprapë mbetet dëshmi rrethanore».
Revista Time komentoi se «pothuaj asnjë njeri i arsimuar në ditët e sotme nuk dyshon që Jezui ka jetuar». Prapëseprapë shumë veta mendojnë se përveç Biblës duhet të ketë edhe dëshmi të tjera për ekzistencën e Jezuit. A duhet të jetë arkeologjia baza për besimin e dikujt në Jezu Krishtin? Çfarë dëshmish kemi për vërtetësinë historike të «personazhit unik më të rëndësishëm që ka jetuar ndonjëherë në tokë»?
[Burimet e figurave në faqen 3]
Majtas, eshtërorja e Jakovit: Fotografi e AFP-së/J.P. Moczulski; djathtas, mbishkrimi: Fotografi e AFP-së/HO