Si të kultivojmë dashuri të vërtetë?
«Dashuria është ilaçi për çdo sëmundje; dashuria është jeta.»—Living to Purpose, nga Xhozef Xhonsoni, 1871.
SI MËSON një njeri të dojë? Duke studiuar psikologji? Duke lexuar manuale? Duke parë filma romantikë? Aspak. Para së gjithash njerëzit mësojnë të duan prej shembullit dhe stërvitjes së prindërve. Fëmijët do të mësojnë kuptimin e dashurisë po qe se jetojnë në një mjedis me përzemërsi të ngrohtë dhe shohin se prindërit i ushqejnë e i mbrojnë, komunikojnë me ta dhe interesohen shumë për ta. Gjithashtu mësojnë të duan kur prindërit i mësojnë që t’u përmbahen parimeve të shëndosha të së drejtës e të së gabuarës.
Dashuria e vërtetë është më shumë sesa vetëm përzemërsi ose ndjenjë. Ajo vepron vazhdimisht në dobi të interesave më të mira të të tjerëve, edhe nëse ata nuk e çmojnë plotësisht aty për aty, gjë që shpesh ndodh me fëmijët kur u jepet disiplinë e dashur. Shembulli i përsosur i një personi që shfaq dashuri altruiste është vetë Krijuesi. Apostulli Pavël shkroi: «Biri im, mos e nënçmo disiplinën nga Jehovai, as mos u ligështo kur qortohesh prej tij; sepse atë që e do, Jehovai e disiplinon.»—Hebrenjve 12:5, 6.
Prindër, si mund ta imitoni Jehovain në mënyrën se si e shfaqni dashurinë në familje? Sa i rëndësishëm është shembulli që lini në marrëdhëniet me njëri-tjetrin si burrë e grua?
Mësojuni dashurinë fëmijëve me anë të shembullit tuaj
Nëse je një burrë, a e çmon ose a e vlerëson shumë gruan tënde dhe a e trajton me nder e respekt? Në rast se je një grua, a je e dashur me burrin tënd dhe a e mbështet atë? Bibla thotë se burri dhe gruaja duhet ta duan e ta respektojnë njëri-tjetrin. (Efesianëve 5:28; Titit 2:4) Kur e bëjnë një gjë të tillë, fëmijët shohin drejtpërdrejt dashurinë e krishterë në veprim. Sa mësim i fuqishëm dhe i vlefshëm që mund të jetë ky!
Prindërit nxitin dashurinë në familje edhe kur u përmbahen normave të larta në lidhje me gjëra të tilla, si: zbavitja, morali, synimet dhe përparësitë. Anembanë botës shumë njerëz kanë parë se Bibla është një ndihmë e madhe për të vendosur norma të tilla në familje. Kështu ata vetë kanë qenë dëshmi e gjallë se vërtet Bibla ‘është e frymëzuar nga Perëndia dhe e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’. (2 Timoteut 3:16) Në fakt parimet dhe udhëheqja morale që gjenden në atë që quhet Predikimi në Mal, shihen nga shumica e njerëzve si të pashoqe për të na drejtuar në jetë.—Mateu, kapitujt 5 deri 7.
Kur e tërë familja kërkon udhëheqjen e Perëndisë dhe u përmbahet normave të tij, secili ndihet më i sigurt dhe fëmijët ka më shumë të ngjarë që kur të rriten të kenë dashuri dhe respekt për prindërit. Anasjelltas, në një shtëpi me norma të dyfishta, të mangëta ose me shumë lëshime, fëmijët mund të bëhen të pezmatuar, të zemëruar dhe rebelë.—Romakëve 2:21; Kolosianëve 3:21.
Ç’të themi për prindërit e vetëm? A janë në një situatë shumë të pafavorshme për t’u mësuar dashurinë fëmijëve të tyre? Jo medoemos. Megjithëse nuk ka asgjë më të mirë sesa të kesh një nënë e një baba të mirë që bashkëpunojnë si një skuadër, përvoja tregon se cilësia e marrëdhënieve familjare mund të plotësojë në një farë mase mungesën e dashurisë që vjen kur mungon njëri nga prindërit. Në qoftë se je një prind i vetëm, përpiqu fort të zbatosh parimet biblike në shtëpinë tënde. Po, një proverb thotë: «Ki besim tek Zoti [Jehovai, BR] me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua»—përfshirë edhe shtegun e të qenët prind.—Fjalët e urta 3:5, 6; Jakovit 1:5.
Shumë të rinj me cilësi të shkëlqyera janë rritur me një prind të vetëm dhe tani po i shërbejnë me besnikëri Perëndisë në mijëra kongregacione të krishtere të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës. Kjo është një dëshmi se edhe prindërit e vetëm mund të kenë sukses që t’ua mësojnë dashurinë fëmijëve.
Si mund të kultivojnë të gjithë dashuri?
Bibla paratha se «ditët e fundit» do të karakterizoheshin nga mungesa e ‘përzemërsisë së natyrshme’, domethënë, mungesa e afërsisë së natyrshme që kanë zakonisht pjesëtarët e familjes me njëri-tjetrin. (2 Timoteut 3:1, 3) Gjithsesi edhe ata që mund të jenë rritur në një mjedis ku mungonte përzemërsia, mund të mësojnë të kultivojnë dashurinë. Si? Duke mësuar nga Jehovai, i cili është vetë Burimi i dashurisë dhe që shfaq dashuri e përzemërsi ndaj të gjithë atyre që i drejtohen për ndihmë atij me gjithë zemër. (1 Gjonit 4:7, 8) Një psalmist tha: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti [Jehovai, BR] do të më pranonte.»—Psalmi 27:10.
Jehovai e shpreh dashurinë e tij për ne në shumë mënyra të ndryshme. Në to përfshihen udhëheqja atërore nëpërmjet Biblës, ndihma e frymës së shenjtë dhe mbështetja e ngrohtë e vëllazërisë së krishterë. (Psalmi 119:97-105; Luka 11:13; Hebrenjve 10:24, 25) Le të shqyrtojmë se si këto tri masa mund t’ju ndihmojnë të keni më shumë dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin.
Udhëheqje atërore e frymëzuar
Për të kultivuar një lidhje të ngushtë me dikë, duhet ta njohim mirë atë. Jehovai, duke e zbuluar veten me anë të faqeve të Biblës, na fton t’i afrohemi atij. Megjithatë vetëm leximi i Biblës nuk mjafton. Duhet t’i zbatojmë mësimet e saj dhe të përjetojmë dobitë që vijnë më pas. (Psalmi 19:7-10) Isaia 48:17 thotë: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.» Po, Jehovai, vetë personifikimi i dashurisë, na mëson për të mirën tonë—jo sepse do që të na kufizojë lirinë me rregulla të panevojshme.
Njohuria e saktë e Biblës na ndihmon gjithashtu të kemi më shumë dashuri për njerëzit. Është kështu, sepse e vërteta e Biblës na mëson pikëpamjen e Perëndisë për njerëzit dhe na tregon parimet që duhet të na udhëheqin në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Me këto informata kemi një bazë të fortë për të kultivuar dashurinë për të afërmin. Apostulli Pavël tha: «Për këtë vazhdoj të lutem, që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më shumë me bollëk, në njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese.»—Filipianëve 1:9.
Për ta ilustruar se si dashuria mund të drejtohet siç duhet nga ‘njohuria e saktë’, shqyrtoni të vërtetën themelore që thuhet te Veprat 10:34, 35: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» Perëndia i vlerëson njerëzit prej veprave të tyre të drejta dhe prej frikës së perëndishme, jo prej kombësisë ose racës. A nuk duhet ta shohim edhe ne të afërmin me të njëjtën paanësi?—Veprat 17:26, 27; 1 Gjonit 4:7-11, 20, 21.
Dashuria—Një fryt i frymës së Perëndisë
Ashtu si shiu, që bie në kohën e duhur mbi një kopsht me pemë, ndihmon për të pasur një prodhim të mbarë, fryma e Perëndisë mund të prodhojë tek individët e ndjeshëm cilësi që Bibla i përshkruan si «fryti i frymës». (Galatasve 5:22, 23) Më kryesorja në këtë fryt është dashuria. (1 Korintasve 13:13) Por si e marrim frymën e Perëndisë? Një mënyrë thelbësore është nëpërmjet lutjes. Nëse lutemi për frymën e Perëndisë, ai do të na e japë. (Luka 11:9-13) A «vazhdoni» të luteni për frymën e shenjtë? Po qe se po, atëherë fryti i saj i çmuar, përfshirë dashurinë, do të bëhet edhe më i dukshëm në jetën tuaj.
Sidoqoftë ka edhe një lloj tjetër fryme që vepron në kundërshtim me frymën e Perëndisë. Bibla e quan ‘fryma e botës’. (1 Korintasve 2:12; Efesianëve 2:2) Ajo përbën një ndikim të lig dhe burimi i saj nuk është askush tjetër përveçse Satana Djallit, ‘sundimtarit të kësaj bote’ të larguar nga Perëndia. (Gjoni 12:31) Ashtu si era ngre pluhur dhe mbeturina, ‘fryma e botës’ ngjall dëshira të dëmshme që e gërryejnë dashurinë dhe kënaqin dobësitë e mishit.—Galatasve 5:19-21.
Njerëzit e thithin këtë frymë të ligë kur i lejojnë vetes të ndikohen nga mënyra materialiste dhe egoiste e të menduarit, nga qëndrimet e dhunshme e nga pikëpamja e shtrembër dhe shpesh e zvetënuar për dashurinë, pikëpamje e cila është kaq e zakonshme në botë. Në qoftë se doni të keni më shumë dashuri të vërtetë, duhet t’i rezistoni me vendosmëri frymës së botës. (Jakovit 4:7) Megjithatë mos besoni në forcën tuaj; kërkoni ndihmën e Jehovait. Fryma e tij—forca më e fuqishme në univers—mund t’ju forcojë dhe t’ju bëjë të keni sukses.—Psalmi 121:2.
Mësoni dashurinë nga vëllazëria e krishterë
Ashtu si fëmijët mësojnë të shfaqin dashuri duke e përjetuar atë në shtëpi, të gjithë ne—të rinj e të moshuar—mund ta rritim dashurinë duke u shoqëruar me të krishterë të tjerë. (Gjoni 13:34, 35) Në të vërtetë një prej qëllimeve kryesore të kongregacionit të krishterë është që të sigurojë një mjedis në të cilin individët të mund ‘të nxiten për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’.—Hebrenjve 10:24.
Një dashuri e tillë çmohet në mënyrë të veçantë nga ata që mund të jenë ‘keqtrajtuar dhe hallakatur’ në botën pa dashuri që na rrethon. (Mateu 9:36) Përvoja ka treguar se kur një individ në moshë të rritur gëzon marrëdhënie të ngrohta, kjo gjë mund ta ndihmojë të kapërcejë shumë prej pasojave të këqija të një fëmijërie pa dashuri. Sa e rëndësishme është pra, që të gjithë të krishterët e kushtuar t’i mirëpresin përzemërsisht personat e rinj që fillojnë të shoqërohen me ta!
«Dashuria nuk shuhet kurrë»
Bibla thotë se «dashuria nuk shuhet kurrë». (1 Korintasve 13:8) Pse? Apostulli Pavël thotë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk acarohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen.» (1 Korintasve 13:4, 5) Është e qartë se kjo dashuri nuk është një koncept imagjinar ose një ndjenjë sipërfaqësore. Përkundrazi—ata që e shfaqin janë të vetëdijshëm për zhgënjimet dhe dhembjet e jetës, por nuk lejojnë që ato t’ua shkatërrojnë dashurinë për të afërmin. Një dashuri e tillë është vërtet «një lidhje e përsosur bashkimi».—Kolosianëve 3:12-14.
Shqyrtoni shembullin e një 17-vjeçareje të krishterë në Kore. Kur ajo filloi t’i shërbente Perëndisë Jehova, familja nuk e miratoi vendimin e saj dhe vajzës iu desh të largohej nga shtëpia. Gjithsesi në vend që të zemërohej, u lut për këtë gjë, duke lejuar që Fjala dhe fryma e Perëndisë t’ia modelonin mënyrën e të menduarit. Më pas ajo filloi t’i shkruante shpesh familjes, duke shprehur në letrat e saj përzemërsinë e ngrohtë e të çiltër që ndiente për ta. Si rrjedhim dy vëllezërit e saj të mëdhenj filluan të studionin Biblën dhe tani janë të krishterë të kushtuar. Edhe mamaja dhe vëllai i vogël e pranuan të vërtetën e Biblës. Së fundi babai, i cili e kishte kundërshtuar me tërbim, ndryshoi qëndrim. Vajza Dëshmitare shkruan: «Të gjithë u martuam me të bashkëkrishterë dhe tani në familjen tonë bëjnë pjesë 23 adhurues të bashkuar.» Çfarë fitoreje e dashurisë!
A doni të kultivoni dashuri të vërtetë dhe të ndihmoni të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë? Atëherë drejtojuni Jehovait, Burimit të kësaj cilësie të çmuar. Po, merrni për zemër Fjalën e tij, lutuni për frymën e shenjtë dhe shoqërohuni rregullisht me vëllazërinë e krishterë. (Isaia 11:9; Mateu 5:5) Sa të ngroh zemrën të dish se së shpejti të gjithë të ligjtë nuk do të jenë më dhe do të mbeten vetëm ata që praktikojnë dashuri të vërtetë të krishterë! Vërtet, dashuria është sekreti i lumturisë dhe i jetës.—Psalmi 37:10, 11; 1 Gjonit 3:14.
[Figurat në faqen 6]
Lutja dhe studimi i Fjalës së Perëndisë do të na ndihmojnë të kultivojmë dashuri të vërtetë