«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»
Përpara dhe pas—Ajo gjeti fuqinë për të ndryshuar
SANDRA, një grua nga Meksika, ishte delja e zezë e familjes. Të tjerët nuk silleshin mirë me të e nuk i shfaqnin përzemërsi, dhe kjo gjë ia shkatërroi vitet e adoleshencës. Ajo thotë: «E kalova adoleshencën me një ndjenjë të vazhdueshme zbrazëtie dhe shumë dyshime rreth arsyes përse ekzistoja e rreth jetës në përgjithësi.»
Kur ishte në shkollën e mesme, Sandra filloi të pinte verën që mbante në shtëpi i ati. Me kalimin e kohës nisi t’i blinte vetë pijet alkoolike dhe u bë një e alkoolizuar. «Nuk kisha asnjë motiv për të jetuar»,—pranon ajo. Për shkak të dëshpërimit, Sandra iu drejtua drogës. «E vetmja gjë që më ndihmonte t’i harroja problemet e mia,—thotë Sandra,—ishte ajo që mbaja në çantë, pra ndonjë shishe me pije alkoolike, disa pilula ose pak marihuanë.»
Pasi mbaroi shkollën e mjekësisë, Sandra u dha edhe më shumë pas alkoolit. U përpoq t’i jepte fund jetës, por mbijetoi.
Sandra kërkoi më kot ndihmë frymore dhe mbështetje emocionale te shumë fe. Meqë i kishte humbur shpresat dhe kishte rënë në dëshpërim, vazhdimisht i thërriste Perëndisë: «Ku je? Pse s’më ndihmon?!» Gati e kishte humbur fare respektin për veten në kohën kur një Dëshmitare e Jehovait foli me të. Kjo bisedë çoi në një studim biblik. Sandra u prek thellë kur mësoi se «Zoti [Jehovai, BR] qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer».—Psalmi 34:18.
Ajo që studioi Biblën me të e ndihmoi Sandrën të kuptonte se Perëndia Jehova e di që jemi të dobët për shkak të mëkatit dhe të papërsosmërisë që trashëguam nga Adami. Sandra e kuptoi se Perëndia e di që nuk mund të përputhemi në mënyrë të përsosur me normat e tij të drejta. (Psalmi 51:5; Romakëve 3:23; 5:12, 18) U ndie e lumtur kur mësoi se Jehovai nuk ndalet te dobësitë tona dhe as nuk pret nga ne më shumë se sa mund të bëjmë. Psalmisti pyeti: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?»—Psalmi 130:3.
Një e vërtetë biblike e rëndësishme që ia ngrohu zemrën Sandrës ishte flijimi shpërblerës i Jezu Krishtit. Nëpërmjet tij, duke treguar mëshirë, Jehovai u jep mundësinë njerëzve të bindur të kenë një qëndrim të drejtë pavarësisht nga papërsosmëritë. (1 Gjonit 2:2; 4:9, 10) Po, mund të marrim «faljen e shkeljeve tona» dhe kështu mund të ndihmohemi të kapërcejmë çdo ndjenjë pavlefshmërie.—Efesianëve 1:7.
Sandra nxori mësime të vlefshme nga shembulli i apostullit Pavël. Ai e çmoi shumë dashamirësinë që i kishte shfaqur Perëndia duke ia falur me dashuri gabimet e së kaluarës dhe duke e mbështetur në betejën e ashpër për të mposhtur dobësitë e vazhdueshme. (Romakëve 7:15-25; 1 Korintasve 15:9, 10) Pavli e ndreqi mënyrën e jetesës, ‘e rrahu me grushte trupin e tij dhe e drejtoi si një skllav’ me qëllim që të qëndronte në udhën që Perëndia e miratonte. (1 Korintasve 9:27) Nuk i lejoi prirjet mëkatare ta drejtonin si një skllav.
Dobësitë e Sandrës e mundonin atë, por ajo vazhdoi t’i luftonte. Iu lut me zjarr Jehovait që ta ndihmonte t’i mposhtte ato dhe kërkoi mëshirën e tij. (Psalmi 55:22; Jakovit 4:8) Duke e ndier interesimin e Perëndisë ndaj saj si individ, Sandra arriti ta ndryshonte krejtësisht jetën. «Është një kënaqësi për mua t’u mësoj Biblën të tjerëve, duke shërbyer në kohë të plotë»,—thotë ajo. Sandra pati privilegjin që të ndihmonte motrën më të madhe dhe motrën më të vogël që të njihnin Jehovain. Ndërsa ‘bën atë që është e mirë’, ajo gjithashtu i përdor vullnetarisht aftësitë e saj si mjeke në kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait.—Galatasve 6:10.
Çfarë ndodhi me veset e Sandrës? Ajo thotë plot siguri: «Mendjen e kam të kthjellët. Nuk pi më pije alkoolike, as duhan dhe as nuk marr më drogë. Nuk kam nevojë për to. Gjeta atë që po kërkoja.»
[Diçitura në faqen 9]
«Gjeta atë që po kërkoja»
[Kutia në faqen 9]
Parimet biblike në veprim
Më poshtë jepen disa parime biblike që i kanë ndihmuar shumë veta të çlirohen nga disa vese që të ndotin:
«Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) Perëndia i bekon ata që janë pastruar nga çdo ndotje, duke shmangur praktikat e papastra.
«Frika e Jehovait do të thotë të urresh të keqen.» (Proverbat 8:13, BR) Frika me nderim të thellë për Perëndinë e ndihmon një individ që të çlirohet nga veset e këqija, përfshirë abuzimin me drogën. Përveçse i pëlqen Jehovait, individi që ndryshon sjellje është i mbrojtur nga sëmundje të tmerrshme.
‘Jini të nënshtruar dhe të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve si sundimtarë.’ (Titit 3:1) Në shumë vende, të mbash ose të përdorësh drogë përbën shkelje të ligjit. Të krishterët e vërtetë nuk mbajnë dhe nuk përdorin droga të paligjshme.