Ç’gjë i jep kuptim jetës suaj?
KENI kishte një punë goxha të mirë në një agjenci të suksesshme investimesh, kishte makinë luksoze dhe zotëronte një apartament për ta pasur zili në lagjen më të kamur të një qyteti të madh. Si parashutist i zoti, ai provonte emocionet e hedhjes nga mijëra metra lartësi. A s’ishte kjo një jetë e kënaqshme? Sipas The Wall Street Journal ai vetë u shpreh: «Jam 45 vjeç dhe jeta që bëj s’po më çon askund . . . Jeta ime është boshe.»
Elina iu kushtua me shpirt patinazhit në akull dhe arriti të bëhej një patinatore e njohur. Ajo e arriti famën që donte. «Por, ku përfundoi tërë ajo lumturi që mendoja se do të kisha?!—u ankua ajo.—Ndihesha krejt vetëm. Në fund do të plakesha. Paratë do t’i kisha me grushta, por ç’e do, jeta do të ishte shumë e zbrazët, nëse kjo është gjithçka që ofron ajo.»
I njohur si mjeshtër në përdorimin e ngjyrave, Hideoja ia kushtoi jetën artit. Ai nuk i shiste veprat e tij, se mendonte që kjo do të binte ndesh me normat dhe parimet e tij artistike. Nga fundi i jetës, kur ishte 98 vjeç, pjesën më të madhe të veprave ia dhuroi një muzeu. Ndonëse arti ishte jeta e tij, nuk ishte i kënaqur, pasi mendonte se do t’i duhej një përjetësi për ta përsosur.
Disa njerëz duan me mish e me shpirt të ndihmojnë të tjerët. Të marrim, për shembull, një person të rëndësishëm në një nga kinostudiot e Hollivudit. Duke qenë zëvendëspresident i një prej kompanive më të mëdha të filmit në Shtetet e Bashkuara, ai kishte të bënte me njerëz të njohur dhe bënte jetë luksi në një zonë banimi tepër të kushtueshme. Kur shkoi me pushime në Kamboxhia, teksa darkonte në një gjellëtore në Pnom-Pen, iu afrua një vajzë që po lypte. I dha një dollar dhe një pije freskuese. Vajza ishte më se e kënaqur. Megjithatë, natën tjetër ajo ishte sërish atje duke lypur. Ai e kuptoi se nevojitej shumë më tepër se aq.
Një vit më pas, ai vendosi të ndryshonte karrierë. La industrinë e zbavitjes për të ndihmuar të varfrit në Kamboxhia. Atje ngriti një shkollë ku sigurohej strehim, ushqim dhe shkollim. Megjithatë, atë vetë e mundojnë vazhdimisht ndjenja kontradiktore: nga njëra anë gëzimi dhe kënaqësia për atë që po bën, dhe nga ana tjetër dëshpërimi dhe zhgënjimi për problemet që s’kanë të sosur, me të cilat i duhet të përballet dita-ditës.
Katër individët që përmendëm më lart, mendonin se e dinin çfarë donin nga jeta. Megjithatë u ndien të zbrazët kur në fund e arritën synimin për të cilin derdhën mund. Po ju, çfarë doni nga jeta? Çfarë është gjëja më e rëndësishme në jetën tuaj? A jeni të sigurt se më vonë s’do t’ju vijë keq për jetën që bëtë?