BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w08 1/8 f. 18-23
  • A duhet përdorur emri Jehova në Dhiatën e Re?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A duhet përdorur emri Jehova në Dhiatën e Re?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çështje përkthimi
  • Si e kanë zgjidhur këtë çështje përkthyesit?
  • Dy arsye bindëse
  • Thirr «emrin e Jehovait»
  • A5 Emri i Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke
    Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
  • Sfida e njohjes së emrit të Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Jehovai
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Romakëve 10:13—«Do ta thërrasë emrin e Zotit»
    Shpjegim i vargjeve të Biblës
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
w08 1/8 f. 18-23

A duhet përdorur emri Jehova në Dhiatën e Re?

A KA rëndësi nëse emri i Perëndisë përdoret ose jo në Bibël? Me sa duket, për Perëndinë ka rëndësi. Emri i tij, i paraqitur nga katër shkronjat hebraike të njohura si Tetragrami, del gati 7.000 herë në tekstin origjinal hebraik, që sot njihet si Dhiata e Vjetër.a

Studiuesit e Biblës e pranojnë që emri i Perëndisë del në Dhiatën e Vjetër ose ndryshe Shkrimet Hebraike. Megjithatë, shumë mendojnë se në dorëshkrimet origjinale greke, ky emër nuk ka dalë në të ashtuquajturën Dhiatë të Re.

Po atëherë, çfarë ndodh kur një shkrimtar i Dhiatës së Re citon nga Dhiata e Vjetër pjesë në të cilat del Tetragrami? Në këto raste, pjesa më e madhe e përkthyesve përdorin fjalën «Zot» në vend të emrit të Perëndisë. Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re nuk ndjek këtë praktikë të përhapur, por e përdor emrin Jehova 237 herë në Shkrimet e Krishtere Greke apo në Dhiatën e Re.

Ç’probleme hasin përkthyesit e Biblës kur duhet të vendosin nëse do ta përdorin emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re? Ç’bazë ka që të përdoret emri i Perëndisë në këtë pjesë të Shkrimeve të Shenjta? Dhe si ndikon te ti përdorimi i emrit të Perëndisë në Bibël?

[Tabela dhe figurat në faqet 18, 19]

Çështje përkthimi

Dorëshkrimet e Dhiatës së Re që kemi sot, nuk janë ato origjinale. Dorëshkrimet origjinale që shkruan Mateu, Gjoni, Pavli e të tjerë, u përdorën aq shumë saqë, pa dyshim, u vjetëruan shpejt. Prandaj, u bënë kopje të tyre dhe. kur u vjetëruan edhe ato, u bënë kopje të tjera. Nga mijëra kopjet e Dhiatës së Re që ekzistojnë sot, shumica janë bërë të paktën dy shekuj pasi u shkruan tekstet origjinale. Me sa duket, në atë kohë, ata që kopjonin dorëshkrimet, ose e zëvendësonin Tetragramin me fjalën greke Kirios, që përkthehet «Zot», ose kopjonin dorëshkrime ku ishte bërë tashmë ky ndryshim.b

Duke pasur parasysh këtë, një përkthyes duhet të përcaktojë nëse ka prova të arsyeshme se Tetragrami është përdorur vërtet në dorëshkrimet origjinale greke. A ka prova të tilla? Shiko arsyetimet e mëposhtme:

  • Kur citoi ose lexoi nga Dhiata e Vjetër, Jezui përdori emrin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 6:13, 16; 8:3; Psalmi 110:1; Isaia 61:1, 2; Mateu 4:4, 7, 10; 22:44; Luka 4:16-21) Në ditët e Jezuit e të dishepujve të tij, ashtu si edhe sot, Tetragrami gjendej në kopjet e tekstit hebraik të asaj që shpesh quhet Dhiata e Vjetër. Mirëpo, për shekuj me radhë studiuesit mendonin se Tetragrami nuk ishte në dorëshkrimet e Septuagintës greke të Dhiatës së Vjetër, si edhe në dorëshkrimet e Dhiatës së Re. Pastaj, në mesin e shekullit të 20-të, studiuesve u ra në dorë diçka e jashtëzakonshme: ishin zbuluar disa fragmente të qëmoçme nga versioni i Septuagintës greke që ekzistonte në ditët e Jezuit. Në to gjendet emri i Perëndisë, i shkruar me shkronja hebraike.

  • Jezui e përdori emrin e Perëndisë dhe ua bëri të njohur të tjerëve. (Gjoni 17:6, 11, 12, 26) Jezui tha hapur: «Unë erdha në emër të Atit tim.» Gjithashtu, theksoi se i bënte veprat «në emër të Atit» të tij. Madje, vetë emri i Jezuit do të thotë «Jehovai është shpëtim».​—Gjoni 5:43; 10:25.

  • Emri i Perëndisë shfaqet në Shkrimet Greke në formën e shkurtuar. Te Zbulesa 19:1, 3, 4, 6, emri hyjnor është pjesë e termit «Halelujah». Shprehimisht, ky term do të thotë: «Lëvdoni Jah!» Jah është shkurtim i emrit Jehova.

  • Shkrimet e hershme judaike tregojnë se të krishterët judenj e përdornin emrin e Perëndisë në shkrimet e tyre. Tosefta, një përmbledhje me shkrim e ligjeve gojore, e përfunduar rreth vitit 300 të e.s., thotë për shkrimet e krishtere që digjeshin ditën e sabatit: «Ata nuk i mbrojnë nga zjarri librat e ungjillëzuesve dhe të minimëve [që mendohej se ishin të krishterët judenj]. I lënë të digjen aty ku janë, . . . librat dhe referimet me Emrin Hyjnor që gjenden në to.» Po aty citohen fjalët e rabinit José Galileas, i cili jetoi në fillim të shekullit të dytë të e.s., që thoshte se ditët e tjera të javës, «dikush duhet të grisë pjesët me Emrin Hyjnor që janë në to [shkrimet e krishtere] e t’i ruajë, kurse pjesën tjetër ta djegë». Pra, ka prova të forta se judenjtë e shekullit të dytë të e.s., besonin që të krishterët e përdornin emrin e Jehovait në shkrimet e tyre.

Emri hyjnor në tekstet biblike origjinale

Si e kanë zgjidhur këtë çështje përkthyesit?

A është Përkthimi Bota e Re e vetmja Bibël që e ka rivendosur emrin e Perëndisë kur ka përkthyer Shkrimet Greke? Jo. Bazuar në provat e mësipërme, shumë përkthyes të Biblës kanë menduar se emri i Perëndisë duhet rivendosur në përkthimin e Dhiatës së Re.

Për shembull, shumë versione të Dhiatës së Re në gjuhët afrikane, amerikane, aziatike dhe të ishujve të Paqësorit, e përdorin gjerësisht emrin e Perëndisë. (Shih tabelën në faqen 21.) Disa nga këto përkthime kanë dalë kohët e fundit, siç është Bibla në gjuhën rotumane (1999), ku emri Jihova përdoret 51 herë në 48 vargje të Dhiatës së Re, dhe versioni në gjuhën batak-tobe (1989) nga Indonezia, ku emri Jahova përdoret 110 herë në Dhiatën e Re. Emri i Perëndisë është përdorur edhe në përkthimet frënge, gjermane dhe spanjolle. Për shembull, Pablo Besoni e përktheu Dhiatën e Re në spanjisht në fillim të shekullit të 20-të. Në përkthimin e tij, emri Jehova përdoret te Juda 14 dhe ka rreth 100 shënime ku sugjerohet emri hyjnor si një përkthim i mundshëm.

Më poshtë janë disa shembuj të përkthimeve në anglisht që kanë përdorur emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re:

  • A Literal Translation of the New Testament . . . From the Text of the Vatican Manuscript, nga Herman Hajnfeteri (1863)

  • The Emphatic Diaglott, nga Benxhamin Uillsoni (1864)

  • The Epistles of Paul in Modern English, nga Xhorxh Barker Stivensi (1898)

  • St. Paul’s Epistle to the Romans, nga U. G. Radhërfordi (1900)

  • The Christian’s Bible​—New Testament, nga Xhorxh N. Lëfevrë (1928)

  • The New Testament Letters, nga J.W.C. Uandi, peshkop i Londrës (1946)

Botimi i vitit 2004 i përkthimit të njohur New Living Translation, në parathënie, poshtë titullit «Përkthimi i emrave hyjnorë», komentonte: «Në përgjithësi, tetragramin (JHVH) e kemi përkthyer në mënyrë të njëtrajtshme si ‘ZOTI’, duke përdorur shkronjat e mëdha, siç ka dalë në përgjithësi në përkthimet angleze. Kjo do ta dallojë nga emri adonai, të cilin e përkthejmë ‘Zot’.» Më pas, komentonte për Dhiatën e Re: «Fjala greke kirios përkthehet gjithnjë ‘Zot’, përveç rasteve kur përkthehet ‘ZOT’ sa herë që në Besëlidhjen e Re citohet drejtpërdrejt nga Dhiata e Vjetër, dhe teksti atje e ka me shkronja të mëdha.» (Kursivi është yni.) Prandaj, përkthyesit e kësaj Bible e pranojnë se Tetragrami (JHVH) duhet përfshirë në këto citime të Dhiatës së Re.

Është interesante se, poshtë titullit «Tetragrami në Dhiatën e Re», The Anchor Bible Dictionary komenton: «Ka prova se Tetragrami, Emri Hyjnor Jahveh, ka dalë në disa ose në të gjitha citimet nga Dhiata e Vjetër në Dhiatën e Re, kur kjo u shkrua fillimisht.» Gjithashtu, studiuesi Xhorxh Hauard thotë: «Meqë Tetragrami shkruhej ende në kopjet e Biblës greke [Septuagintës] që përbënin Shkrimet e kishës së hershme, është e arsyeshme të besojmë se shkrimtarët e Dhiatës së Re, kur cituan nga Shkrimi, e mbajtën Tetragramin në tekstin biblik.»

Dy arsye bindëse

Pra, është e qartë se Përkthimi Bota e Re nuk ishte Bibla e parë që përdori emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re. Ashtu si një gjykatës që e thërrasin të vendosë në një çështje gjyqësore ku nuk ka dëshmitarë okularë të gjallë, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re i peshoi me kujdes të gjitha provat që lidheshin me këtë çështje. Duke u mbështetur në fakte, ata vendosën ta përfshinin emrin e Jehovait në përkthimin e Shkrimeve të Krishtere Greke. Shiko dy arsye bindëse përse vepruan kështu.

(1) Përkthyesit mendonin se, meqë Shkrimet e Krishtere Greke ishin një shtesë e frymëzuar e Shkrimeve të shenjta Hebraike, zhdukja e papritur e emrit të Jehovait nga teksti, dukej e pavend.

Pse është një përfundim i arsyeshëm ky? Aty nga mesi i shekullit të parë të e.s., dishepulli Jakov u tha pleqve në Jerusalem: «Simioni na tregoi nga fillimi në fund se si Perëndia e drejtoi për herë të parë vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij.» (Veprat 15:14) A të duket logjike që Jakovi të bënte këtë pohim nëse askush në shekullin e parë nuk e njihte ose nuk e përdorte emrin e Perëndisë?

(2) Kur u zbuluan kopje të Septuagintës në të cilat përdorej emri i Perëndisë dhe jo Kirios (Zot), përkthyesve iu bë e qartë se në kohën e Jezuit, kopjet e Shkrimeve më të hershme në greqisht, e natyrisht edhe ato në hebraisht, e kishin emrin e Perëndisë.

Me sa duket, tradita e heqjes së emrit hyjnor nga dorëshkrimet greke, e cila e çnderon Perëndinë, u zhvillua më vonë. Si mendon, a do ta kishin përkrahur këtë traditë Jezui dhe apostujt?​—Mateu 15:6-9.

Thirr «emrin e Jehovait»

Në fakt, vetë Shkrimet luajnë rolin e një «dëshmitari okular» vendimtar që vërteton se të krishterët e hershëm e përdornin emrin e Jehovait në shkrimet e tyre, sidomos kur citonin fragmente të Dhiatës së Vjetër që kishin këtë emër. Kështu që, pa dyshim Përkthimi Bota e Re ka një bazë të fortë për rivendosjen e emrit hyjnor, Jehova, në Shkrimet e Krishtere Greke.

Si ndikojnë te ti këto informacione? Duke cituar nga Shkrimet Hebraike, apostulli Pavël u kujtoi të krishterëve në Romë: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» Pastaj pyeti: «Mirëpo si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë treguar besim? Si do të tregojnë besim tek ai, për të cilin nuk kanë dëgjuar?» (Romakëve 10:13, 14; Joeli 2:32) Përkthimet e Biblës që e përdorin emrin e Perëndisë kur është e përshtatshme, të ndihmojnë t’i afrohesh atij. (Jakovi 4:8) Vërtet, ç’nder i madh është të mund ta njohim e ta thërrasim emrin e Perëndisë, Jehova!

NJË PËRKTHYES QË RESPEKTONTE EMRIN E PERËNDISË

Hiram Bingami II

Hiram Bingami II

Në nëntor të vitit 1857, Hiram Bingami II, një misionar 26-vjeçar, mbërriti bashkë me të shoqen në Ishujt e Gilbertit (që tani quhen Kiribati). Anija misionare me të cilën kishin udhëtuar, sponsorizohej nga kontributet e pakta të fëmijëve të shkollës së të dielës në Amerikë. Sponsorët e kishin quajtur anijen «Ylli i mëngjesit», sipas besimit të tyre në Mijëvjeçarin e ardhshëm.

Beri Mekdonald, në librin e tij Hirushet e Perandorisë (anglisht), thotë: «Bingami nuk kishte fizik të fortë. Shpesh kishte probleme me zorrët dhe vuante nga një problem kronik me fytin, që e pengonte të fliste në publik; shikimin e kishte kaq të dobët, sa mund të lexonte vetëm dy a tri orë në ditë.»

Megjithatë, Bingami e ndau mendjen të mësonte gjuhën gilbërteze, pavarësisht se s’ishte e lehtë. Si fillim, tregonte me gisht objektet dhe pyeste si i quanin. Pasi kishte bërë një listë me rreth dy mijë fjalë, filloi të paguante një nga besimtarët e rinj me një dollar për çdo njëqind fjalë të reja që do t’i shtonte listës.

Bibla gilbërteze e Bingamit

Bibla gilbërteze e Bingamit

Këmbëngulja e Bingamit u shpërblye. Në vitin 1865, kur iu desh të largohej nga Ishujt e Gilbertit për shkak të keqësimit të shëndetit, jo vetëm që kishte krijuar formën e shkruar të gjuhës gilbërteze, por edhe kishte përkthyer në këtë gjuhë Ungjijtë e Mateut dhe të Gjonit. Kur u kthye në këta ishuj në vitin 1873, solli me vete përkthimin e plotë të Dhiatës së Re në gjuhën gilbërteze. Ngulmoi edhe për 17 vite të tjera e në vitin 1890 përfundoi përkthimin e të gjithë Biblës në gjuhën gilbërteze.

Përkthimi i Biblës nga Bingami përdoret edhe sot e kësaj dite në Kiribati. Ata që e lexojnë, vënë re se ai e përdori emrin e Jehovait (Iehova në gjuhën gilbërteze) mijëra herë në Dhiatën e Vjetër, si dhe mbi 50 herë në Dhiatën e Re. Me të vërtetë, Hiram Bingami ishte një përkthyes që respektonte emrin e Perëndisë.

LISTA E 99 GJUHËVE QË NË DHIATËN E RE PËRDORIN TETRAGRAMIN SIPAS GJUHËS VENDËSE

CHIHOWA: çoktau

IÁHVE: portugeze

IEHOUA: mere

IEHOVA: gilbërteze; havajane; hiri motu; kereuo; kiuai; markeze; motu; panajeti (misime); rarotongane; tahitiane; toaripi

IEHOVAN: saibai

IEOVA: kuanua; vedau

IHOVA: anitjume

IHVH: frënge

IOVA: malekule (kuliviu); malekule (pangkumu); malekule (uripive)

JAHOWA: batak-tobe

JAHUÈ: çakobo

JAKWE: (ki)sukume

JAHVE: hungareze

JEHOBA: kipsigis; mentauai

JEHOFA: tsvane

JEHOVA: kroate; gjermane; kele (e Gabonit); lele (e ishullit Manus); nandi; nauruane; nukuoro

JEHOVÁ: spanjolle

JEHÔVA: fange; tsimiheti

JEHOVAH: angleze; efike; holandeze; kalenjine; malagase; narrinjeri; ojibua

JEOVA: kusaiene (kosraeane)

JIHOVA: naga (angami); naga (koniake); naga (lothe); naga (mao); naga (ntenji); naga (sangtame); rotumane

JIOUA: mortloke

JIOVA: fixhiane

JIWHEYẸWHE: gu (alade)

SIHOVA: tongane

UYEHOVA: zulu

YAHOWA: tajlandeze

YAHVE: ila

YAVE: kongoleze

YAWE: bobangi; bolia; dholuo; lingale; mongo (lolo); (lo)ngandu; (lo)ntumba; (ke)sengele

YEHÓA: avabakale

YEHOFA: soto jugore

YEHOVA: çokve; çuana (tlapi); (ki)kalanga; logo; luba; lugbara; (çi)luimbi; (çi)lunde (ndembu); (çi)luvale; santo (e Hog-Harborit); tive; umbundu; (isi)xhose

YEHOVAH: bube; mohoke; nguna (efate); nguna (e Tongoas)

YEHOWA: ga; laotiane; (ki)songe; tshilube

YEKOVA: zande

YEOBA: kube (e Inkongos)

YEOHOWA: koreane

YHWH: hebraike

YOWO: lomue

ZAHOVA: çin (e Haka-Lait)

a Tetragrami përbëhet nga katër shkronjat JHVH, siç shkruhet emri i Perëndisë në hebraisht. Në përgjithësi, në shqip përkthehet Jehova ose Jahveh.

b Për më tepër informacione rreth këtyre ndryshimeve, shih broshurën Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, faqet 23-27, anglisht.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo