BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w08 1/8 f. 27-30
  • Bibla të ndryshon jetën

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Bibla të ndryshon jetën
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Material i ngjashëm
  • Bibla të ndryshon jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Bibla të ndryshon jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Bibla të ndryshon jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • «Po ia hapja varrin vetes»
    Bibla të ndryshon jetën
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
w08 1/8 f. 27-30

Bibla të ndryshon jetën

Çfarë e shtyu pjesëtarin e një bande të rinjsh meksikanë të quajtur «Satanistët e rinj», të ndryshonte e të bëhej një shtetas i ndershëm e punëtor? Pse një biznesmene e suksesshme japoneze nuk rendi më pas pasurisë, qëllimit të saj kryesor, dhe ç’mendon për ndryshimet që ka bërë? Ç’e nxiti një kontrabandist armësh rus të hiqte dorë nga tregtia e tij fitimprurëse, por e paligjshme? Shikoni ç’thonë këta individë.

TË DHËNA

EMRI: ADRIAN PEREZI

MOSHA: 30 VJEÇ

SHTETI: MEKSIKË

MË PARË: PJESËTAR BANDE

E KALUARA IME: Kur isha rreth 13 vjeç, familja u transferua në Ekatepek-de-Morelos, Meksikë. Atëherë, në atë zonë kishte pllakosur kriminaliteti mes të rinjve, vandalizmi dhe droga. Shumë shpejt, edhe unë nisa të abuzoja me alkoolin, të përfshihesha në vandalizma ndaj pronave private e të kryeja imoralitet.

Më vonë u kthyem në San-Visente, në qytetin e lindjes. Por atje droga ishte bërë problem i madh. Ishte e zakonshme të shihje në rrugë të rinj të vdekur. U futa në një bandë që quhej «Satanistët e rinj». Vidhnim dhe drogoheshim, kryesisht duke thithur hollues boje ose tutkall. Shpesh s’më kujtohej si kisha vajtur në shtëpi dhe nganjëherë mbetja shakull në mes të rrugës. Disa nga shokët e mi përfunduan në burg për vjedhje e vrasje.

Pavarësisht nga të gjitha këto, besoja te Perëndia. Për të qetësuar ndërgjegjen, merrja pjesë në shërbesa fetare, siç ishte procesioni i kryqit gjatë javës së madhe. Por më pas, të gjithë, duke përfshirë edhe burrin që luante rolin e Krishtit, e festonim pjesëmarrjen në ato shërbesa duke u bërë tapë.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Nga fundi i adoleshencës, nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. E dija se po jetoja pa ndonjë qëllim dhe se, po të vazhdoja ashtu, s’do të përfundoja mirë. Më bëri përshtypje mendimi i shprehur te Galatasve 6:8: «Ai që mbjell për mishin, do të korrë nga mishi prishje, por, ai që mbjell për frymën, do të korrë nga fryma jetë të përhershme.» Nga ky shkrim kuptova se, nëse doja që gjërat të më shkonin mirë, duhej të mbillja për të ardhmen.

Gjatë studimit të Biblës nisa të kuptoja se Jehovai ishte një Perëndi i gjallë, i cili interesohej personalisht për mua, dhe se ishte gati të m’i falte mëkatet që kisha bërë. E provova vetë se ai i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet.

Nuk e pata të lehtë të ndryshoja mënyrën e jetesës. Ishte e vështirë të dilja nga banda. Disa territore ishin ndarë sipas bandave dhe unë s’kaloja dot, ndonëse nuk bëja më pjesë në bandë. Nganjëherë më duhej t’u fshihesha ish-shokëve, sepse përpiqeshin të më gjenin e të më kthenin përsëri te veset e vjetra.

Krejt ndryshe nga kjo, kur nisa të ndiqja mbledhjet bashkë me Dëshmitarët e Jehovait në Sallën e Mbretërisë, ndieja përzemërsinë dhe dashurinë e kongregacionit. Më bëri shumë përshtypje që këta njerëz kishin besim të vërtetë dhe jetonin në përputhje me atë që u mësonin të tjerëve. Ishte krejt ndryshe nga mjedisi me të cilin isha mësuar.

DOBITË: Kam dhjetë vjet që jam pagëzuar si Dëshmitar i Jehovait. Ngaqë bëj çmos t’i zbatoj në jetë mësimet e Biblës, po fitoj respektin e familjes. Tani më njohin si punëtor të palodhur, madje kam pasur mundësi t’i ndihmoj financiarisht. Mamaja nisi të studionte Biblën dhe tani është Dëshmitare e Jehovait. Edhe im atë po bën ndryshime në jetën e tij. Pjesa më e madhe e familjes nuk janë Dëshmitarë të Jehovait, por, pasi kanë parë ndryshimet që kam bërë, e pranojnë se Bibla mund ta ndihmojë dikë të përmirësojë jetën.

TË DHËNA

EMRI: JAJOI NAGATANI

MOSHA: 50 VJEÇE

SHTETI: JAPONI

MË PARË: BIZNESMENE E SUKSESSHME

E KALUARA IME: U rrita në një qytezë të vogël plot me njerëz miqësorë. Im atë ishte pronar i një dyqani të madh me dhjetë punonjës. Shtëpinë e kishim ngjitur me dyqanin, prandaj, ndonëse mamaja dhe babai ishin të zënë me punë, nuk ndihesha kurrë e vetmuar.

Jam më e madhja nga tre motrat dhe, që në moshë të njomë, u stërvita të merrja përsipër biznesin e familjes. U martova e re. Im shoq e la punën në bankë dhe erdhi të na ndihmonte në biznesin e familjes. Patëm tre fëmijë njëri pas tjetrit. Për ta kujdesej ime më teksa merrej me punët e shtëpisë, kurse unë punoja në dyqan nga mëngjesi në darkë. Prapëseprapë, na mbetej kohë për të ndenjur bashkë si familje.

Më vonë, në zonën tregtare pati një rënie ekonomike dhe biznesi ynë filloi të binte. Për t’i bërë ballë kësaj, vendosëm të hapnim pranë autostradës një dyqan me materiale për rregullim shtëpish. Një ditë para ceremonisë së fillimit të ndërtimit, im atë, i cili ishte presidenti i kompanisë, pësoi infarkt në tru. Mbeti pothuajse i pagojë, prandaj përgjegjësia për dyqanin e ri, ra mbi mua. Im shoq vazhdoi te dyqani i vjetër. Ishim të zënë deri në grykë.

Dyqani i ri pati shumë sukses. Isha krenare për arritjet e mia dhe rrija orë të tëra pa gjumë për punën. Edhe pse i doja shumë fëmijët, mendjen e kisha vetëm te puna. Mezi gjeja kohë të këmbeja dy fjalë me tim shoq dhe, kur arrinim të flitnim, vetëm grindeshim. Që të përballoja stresin, nisa të dilja pothuajse çdo natë për të pirë me shoqet dhe me biznesmenë të tjerë. E gjithë jeta ime ishte punë, alkool dhe gjumë. Kisha sukses nga ana financiare, por sa vinte e ndihesha më e mjerë dhe s’e kuptoja përse.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, tri fragmente biblike patën ndikim të thellë tek unë. Qava kur kuptova ç’do të thotë Mateu 5:3: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» Ky varg më shpjegoi pse ndihesha bosh ndonëse kisha sukses financiarisht dhe biznesmenët e tjerë më admironin. E kuptova se vetëm duke qenë e vetëdijshme se kam nevojë të mësoj për Perëndinë e duke e plotësuar këtë nevojë, mund të isha vërtet e lumtur.

Ekonomia e atëhershme në Japoni kishte pësuar një rënie drastike, dhe te biznesmenët e tjerë pashë përmbushjen e 1 Timoteut 6:9: «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.» M’u duk se fjalët e Jezuit te Mateu 6:24, «ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë» zbatoheshin për mua personalisht, prandaj vendosa të bëja disa ndryshime në jetë.

Kuptova se i kisha lënë pas dore prindërit, burrin dhe fëmijët. Gjithashtu, dukej qartë se kisha zhvilluar disa veçori të pakëndshme të personalitetit. Isha bërë arrogante. S’kisha shumë durim me njerëzit. Veç kësaj, zemërohesha për hiçgjë. Në fillim mendova se nuk do t’ia dilja dot të ndryshoja e të bëhesha e krishterë. Por i doja shumë fëmijët e mi dhe vura re se, kur i zbatoja këshillat e Biblës në marrëdhëniet familjare, ata reagonin mjaft mirë. Nisa të kaloja më tepër kohë me ta dhe i merrja me vete në mbledhjet e krishtere.

DOBITË: Jam vërtet e gëzuar dhe e kënaqur që kam kuptuar qëllimin e jetës dhe mund t’i shërbej Perëndisë e të bëj një jetë që i pëlqen atij. Nuk e sakrifikoj më familjen për punën dhe kjo gjë më ka rikthyer respektin për veten.

Kur pa se si po ndryshoja për mirë teksa zbatoja parimet e Biblës, edhe mamaja ime u shty të studionte Biblën dhe u bë e krishterë. Jam e kënaqur që as im atë, as im shoq nuk i kanë kundërshtuar vendimet tona. Tani jam lidhur më shumë me fëmijët dhe gëzoj një jetë familjare të lumtur.

TË DHËNA

EMRI: MIHAIL ZYJEVI

MOSHA: 51 VJEÇ

SHTETI: RUSI

MË PARË: KONTRABANDIST ARMËSH

E KALUARA IME: Qyteti im i lindjes, Krasnogorski, ndodhet mes gjelbërimit të dendur. Në jug të tij kalon lumi i Moskës. Kurse periferitë në perëndim e në veri pothuajse mbulohen krejt nga pyjet.

Kur isha i vogël, vdisja të ndeshesha me grushte dhe të luaja me armë. Bëja ushtrime fizike për orë të tëra. Fshehurazi bëja edhe armë zjarri, municione e thika. Me kalimin e kohës kjo m’u kthye në biznes. Isha organizuar mirë dhe fitoja shumë duke u shitur armë kriminelëve.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: I takova Dëshmitarët e Jehovait në fillim të viteve 90, por fillimisht nuk i besoja. S’më pëlqenin ngaqë më dukej se bënin shumë pyetje.

Një ditë, njëri prej tyre më lexoi Romakëve 14:12: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.» Nuk e dija çfarë do t’i thosha Perëndisë. Ky shkrim më shtyu të mësoja çfarë kërkonte Perëndia nga unë.

Përpiqesha fort të zbatoja këshillën e Biblës te Kolosianëve 3:5-10: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre gjërave po vjen zemërimi i Perëndisë. . . Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë. Mos e gënjeni njëri-tjetrin. Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishni personalitetin e ri.»

Më dukej shumë e vështirë t’i bëja këto ndryshime. «Ortakët» e mi të dikurshëm vazhdonin të më kërkonin që t’u shisja armë dhe, veç kësaj, mezi përmbahesha kur të tjerët më fyenin. Gjithsesi, e shkatërrova gjithë arsenalin tim me vlerë të madhe. Teksa mësoja për dashurinë që më kanë treguar Perëndia dhe Krishti, u nxita t’i doja edhe unë. Ngulmova në studimin personal të Biblës, ndoqa mbledhjet në kongregacionin aty afër dhe iu luta Perëndisë për ndihmë.

DOBITË: Pak nga pak, me përpjekje të mëdha dhe me ndihmën e vëllezërve në besim, kam zhvilluar një personalitet më të mirë. Më lumturon fakti që Perëndia Jehova interesohet për secilin nga ne, edhe për ata që kanë vdekur. (Veprat 24:15) E vlerësoj sinqeritetin dhe çiltërsinë që vërej te Dëshmitarët e Jehovait. Vlerësoj edhe interesin e vërtetë që kanë treguar për mua, si dhe besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë.

Fillimisht disa miq e familjarë m’u kundërvunë për besimin tim të ri. Por pastaj i ngushëlloi mendimi që më mirë të merresha me fenë, sesa me krimin e organizuar. Jam i lumtur që nuk ia kushtoj më jetën shitjes së armëve të luftës, por e përdor për të ndihmuar të tjerët të mësojnë për Perëndinë e paqes.

[Figura në faqen 27]

Për të qetësuar ndërgjegjen, merrja pjesë në shërbesa katolike

[Figura në faqen 28]

Kisha sukses financiarisht, por s’isha aspak e lumtur

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo