Afrojuni Perëndisë
Ai i mban parasysh kufizimet tona
«PËRPIQESHA me gjithë shpirt, por gjithnjë mendoja se s’po bëja sa duhej.» Kështu tha një grua për përpjekjet që bënte për t’i pëlqyer Perëndisë. A kënaqet Perëndia Jehova kur adhuruesit e tij bëjnë gjithçka që munden? A i merr parasysh aftësitë dhe rrethanat e tyre? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, na ndihmon shqyrtimi i asaj që thuhet në Ligjin e Moisiut lidhur me disa flijime, siç tregohet te Levitiku 5:2-11.
Sipas Ligjit, Perëndia kërkonte flijime ose blatime të ndryshme si shlyerje për mëkatet. Në rastet e përmendura në këtë fragment, individi kishte mëkatuar pa dashje ose pa u menduar. (Vargjet 2-4) Kur bëhej i vetëdijshëm se kishte mëkatuar, duhej ta rrëfente mëkatin dhe të paraqiste si blatim për fajin «një femër . . . qengj ose kec». (Vargjet 5, 6) Po sikur të ishte i varfër dhe të mos kishte qengj ose kec që ta çonte për flijim? A kërkonte Ligji të merrte hua një kafshë, e kështu të hynte në borxh? A duhej të punonte derisa të blinte një, dhe ta vononte shlyerjen për mëkatet e tij?
Duke pasqyruar mirëkuptimin plot dashuri të Jehovait, Ligji thoshte: «Por nëse nuk i ka mundësitë të sjellë një kafshë nga bagëtia e imët, do të sjellë para Jehovait për mëkatin që ka kryer, dy turtuj ose dy zogj pëllumbash si blatim për fajin.» (Vargu 7) Në rast se një izraelit ishte aq i varfër sa të mos sillte dot një kafshë nga bagëtia e imët, atëherë Jehovai pranonte me kënaqësi diçka që ishte brenda mundësive të individit: dy turtuj ose dy pëllumba.
Po sikur ai njeri të mos i kishte mundësitë as për dy zogj? «Do të sjellë një të dhjetën e një efe [rreth një kilogram] majë mielli si blatim për mëkatin që ka kryer»,—thoshte Ligji. (Vargu 11) Për skamësit Jehovai bëri një përjashtim dhe lejoi një blatim pa gjak për mëkatin.a Në Izrael, varfëria nuk privonte askënd nga bekimi i shlyerjes ose privilegji për të bërë paqe me Perëndinë.
Çfarë mësojmë për Jehovain nga ligji për blatimet e fajit? Mësojmë se ai është Perëndi i dhembshur, mirëkuptues që i mban parasysh kufizimet e adhuruesve të vet. (Psalmi 103:14) Ai dëshiron që ne t’i afrohemi dhe të ndërtojmë një marrëdhënie të mirë me të, pavarësisht nga rrethanat e vështira, siç janë: mosha e thyer, shëndeti i dobët, përgjegjësitë familjare dhe përgjegjësitë e tjera. Marrim zemër kur dimë se Perëndia Jehova kënaqet po të bëjmë gjithçka që është brenda mundësive tona.
[Shënimi]
a Vlera shlyese e një kafshe për flijim qëndronte te gjaku i saj, që Perëndia e shihte si të shenjtë. (Levitiku 17:11) A do të thotë kjo se blatimet në miell të të varfërve ishin pa vlerë? Jo. Sigurisht që Jehovai vlerësonte frymën e përulur dhe të pakursyer me të cilën bëheshin këto blatime. Për më tepër, mëkatet e gjithë kombit, përfshirë edhe të të varfërve, mbuloheshin nga gjaku i kafshëve që i ofroheshin Perëndisë çdo vit në Ditën e Shlyerjes.—Levitiku 16:29, 30.