Sundimi i Satanait do të dështojë patjetër
«Të ligut nuk do t’i dalë aspak për mirë.»—EKL. 8:13.
1. Pse gjykimi i ardhshëm i të ligjve është një lajm ngushëllues?
HERËT a vonë, të ligjtë do të nxirren para drejtësisë. Atyre do t’u duhet të japin llogari për çfarë kanë bërë. (Prov. 5:22; Ekl. 8:12, 13) Ky është një lajm ngushëllues, sidomos për ata që e duan drejtësinë dhe kanë pësuar padrejtësi e keqtrajtim nga të ligjtë. I pari nga të ligjtë që do të nxirret para drejtësisë është ati i ligësisë, Satana Djalli.—Gjoni 8:44.
2. Pse duhej kohë për të zgjidhur çështjen e ngritur në Eden?
2 Dikur në Eden, Satanai, që vdiste t’i jepte rëndësi vetes, i bëri njerëzit të refuzonin sundimin e Jehovait. Si pasojë, prindërit tanë të parë u bashkuan me Satanain për të sfiduar autoritetin e ligjshëm të Jehovait dhe u bënë mëkatarë në sytë e Tij. (Rom. 5:12-14) Sigurisht, Jehovai e dinte se si do të përfundonin duke ndjekur këtë udhë rebele e pa respekt. Megjithatë, ky përfundim i pashmangshëm duhej t’u bëhej i qartë të gjitha krijesave me aftësi për të arsyetuar. Prandaj, duhej kohë për të zgjidhur këtë çështje dhe për të treguar në mënyrë bindëse se rebelët e kishin krejtësisht gabim.
3. Ç’qëndrim kemi ndaj qeverive njerëzore?
3 Meqë njerëzit e refuzuan mbikëqyrjen e Jehovait, atyre iu desh të krijonin format e veta të qeverisjes. Apostulli Pavël, duke u shkruar bashkëbesimtarëve në Romë, i quajti këto qeveri njerëzore ‘autoritetet më të larta’. Në kohën e Pavlit, autoritetet më të larta ishin kryesisht qeveria e Romës nën sundimin e perandorit Neron, i cili sundoi gjatë viteve 54-68 të e.s. Pavli tha se autoritetet më të larta «qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia». (Lexo Romakëve 13:1, 2.) A do të thotë kjo se Pavli po e konsideronte sundimin njerëzor si më të lartë se sundimin e Perëndisë? Jo, aspak. Përkundrazi, ai thjesht po thoshte se, për sa kohë Jehovai të lejojë të ekzistojë sundimi njerëzor, të krishterët duhet ta respektojnë këtë ‘rregull të Perëndisë’ dhe t’i pranojnë sundimtarë të tillë.
Shteg që çon në katastrofë
4. Shpjegoni pse sundimi njerëzor do të dështojë me siguri.
4 Megjithatë, sundimi njerëzor i ndikuar nga Satanai do të dështojë patjetër. Pse? Së pari, sepse nuk bazohet në mençurinë e Perëndisë. Vetëm Jehovai zotëron mençuri të përsosur. Pra, ai është i vetmi që mund të na tregojë në mënyrë të besueshme se cili sundim është i suksesshëm. (Jer. 8:9; Rom. 16:27) Ndryshe nga njerëzit, të cilët shpesh mësojnë nga gabimet, Jehovai e di gjithmonë se cila është mënyra më e mirë për të vepruar. Çdo sundim që nuk ndjek drejtimin e tij, do të dështojë me siguri. Vetëm për këtë arsye—pa përmendur motivin e lig që qëndronte pas—mënyra alternative e sundimit të Satanait nëpërmjet sundimit njerëzor, ishte e sigurt se do të dështonte që nga fillimi.
5, 6. Me sa duket, çfarë e shtyu Satanain t’i kundërvihej Jehovait?
5 Një person me logjikë, zakonisht nuk i hyn diçkaje që dihet se do të dështojë. Nëse këmbëngul për të vazhduar në orvatjet e tij, do të detyrohet ta pranojë gabimin. Historia ka treguar shumë herë se nuk ia vlen t’i kundërvihesh Krijuesit të plotfuqishëm. (Lexo Proverbat 21:30.) Por Satanai, i verbuar nga ndjenja e krenarisë dhe e rëndësisë së tepruar për veten, i ktheu shpinën Jehovait. Kështu Djalli u zhyt kokë e këmbë në një shteg që mund të përfundonte vetëm në katastrofë.
6 Qëndrimin arrogant të Satanait e pasqyroi më vonë një sundimtar babilonas, për të cilin është shkruar se u mburr kështu: «Do të ngjitem në qiej. Do ta ngre fronin tim mbi yjet e Perëndisë dhe do të ulem në malin e mbledhjes, në viset më të thella të veriut. Unë do të ngjitem mbi retë e larta dhe do të bëhem i ngjashëm me Më të Lartin.» (Isa. 14:13-15) Kjo gjë e pamend që ndërmori ky sundimtar dështoi dhe dinastia babilonase nuk pati një fund të lavdishëm. Po kështu, Satanai dhe bota e tij, së shpejti do të pësojnë një disfatë të plotë.
Pse e lejoi?
7, 8. Ç’dobi kanë ardhur ngaqë Jehovai ka lejuar ligësinë për ca kohë?
7 Disa mund të pyesin pse Jehovai nuk i pengoi njerëzit që të mos merrnin anën e Satanait dhe të mos ndiqnin një plan tjetër për të qeverisur, i cili ishte i sigurt se do të dështonte. Si Perëndi i Plotfuqishëm, patjetër ai mund ta kishte bërë këtë. (Dal. 6:3) Megjithatë nuk e bëri. Mençuria e tij garantonte se mosndërhyrja e përkohshme në rebelimin e njeriut, me kalimin e kohës do të dilte për mirë. Në fund, Jehovai do të shfajësohej si një Sundimtar i drejtë e i dashur dhe njerëzit besnikë do të nxirrnin dobi nga vendimi i Perëndisë.
8 Ç’mjerime mund t’i kishte kursyer vetes njerëzimi nëse do të kishte hedhur poshtë propozimet e Satanait dhe nuk do të kishte pranuar të kërkonte pavarësi nga sundimi i Perëndisë! Gjithsesi, vendimi i Jehovait për t’i lejuar njerëzit që të sundonin vetë për njëfarë kohe, ka pasur dobi. Ai u ka ngulitur thellë në mendje individëve me zemër të drejtë se sa e mençur është të dëgjojnë Perëndinë dhe të kenë besim tek ai. Gjatë shekujve, njerëzit kanë eksperimentuar lloje të shumta qeverish, por asnjëra nuk ka qenë ideale. Ky fakt ka shërbyer për t’ua forcuar bindjen adhuruesve të Perëndisë se sundimi i Jehovait është vërtet më i miri. Patjetër, lejimi i sundimit të lig të Satanait nga Jehovai ka sjellë vështirësi për njerëzimin, përfshirë edhe për ata që e adhurojnë Perëndinë me besnikëri. Por lejimi i përkohshëm i ligësisë u ka sjellë edhe dobi këtyre adhuruesve besnikë.
Një rebelim që ka shërbyer për t’i dhënë lavdi Jehovait
9, 10. Shpjegoni në ç’mënyrë sundimi i Satanait i ka dhënë lavdi Jehovait.
9 Jehovai i ka lejuar njerëzit të ndikohen nga Satanai dhe të qeverisen vetë, por kjo nuk ka krijuar mosbesim te sundimi i Tij. Përkundrazi, historia tregon se ajo që tha Jeremia nën frymëzim në lidhje me paaftësinë e njerëzve për t’u vetëqeverisur, është e drejtë. (Lexo Jereminë 10:23.) Përveç kësaj, rebelimi i Satanait i ka dhënë Jehovait një mundësi për të shfaqur cilësitë e Tij të shkëlqyera në një mënyrë më të theksuar. Si?
10 Kur shohim pasojat shkatërrimtare të sundimit të Satanait, cilësitë e përsosura të Jehovait dalin në pah edhe më shumë sesa po të kishte qenë ndryshe. Në këtë mënyrë, Ai është madhëruar në sytë e atyre që e duan. Po, sado e çuditshme të duket, sundimi i Satanait në të vërtetë ka shërbyer për t’i dhënë lavdi Perëndisë. Ai ka nxjerrë në pah mënyrën e jashtëzakonshme se si e ka trajtuar Jehovai këtë sfidë ndaj sovranitetit të tij. Për të ilustruar këtë të vërtetë, le të shqyrtojmë shkurtimisht disa cilësi të Jehovait e të kuptojmë si sundimi i lig i Satanait e ka nxitur Jehovain t’i shfaqë këto cilësi në mënyra të mëtejshme.
11. Si e ka shfaqur dashurinë Jehovai?
11 Dashuria. Shkrimet tregojnë se «Perëndia është dashuri». (1 Gjon. 4:8) Krijimi i njerëzve ishte në radhë të parë shprehje e dashurisë së Perëndisë. Për më tepër, mënyra e mrekullueshme dhe që të ngjall frikë se si jemi krijuar, dëshmon për dashurinë e Perëndisë. Gjithashtu, Jehovai me dashuri u siguroi njerëzve një shtëpi të bukur që përmban gjithçka që u nevojitet për të qenë të lumtur. (Zan. 1:29-31; 2:8, 9; Psal. 139:14-16) Por, kur në familjen njerëzore hyri ligësia, Jehovai e shprehu dashurinë në mënyra të reja. Si? Apostulli Gjon citon këto fjalë të Jezuit: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) A mund ta kishte treguar Perëndia dashurinë për njerëzimin në një mënyrë më të jashtëzakonshme sesa duke dërguar në tokë Birin e tij të vetëmlindur që të shpengonte mëkatarët? (Gjoni 15:13) Kjo shfaqje madhështore e dashurisë shërbeu edhe si një model për njerëzit, duke u dhënë mundësi të pasqyrojnë dashurinë vetëmohuese të Perëndisë në jetën e përditshme, ashtu si bëri Jezui.—Gjoni 17:25, 26.
12. Si tregohet fuqia e Jehovait?
12 Fuqia. Vetëm ‘Perëndia i Plotfuqishëm’ ka fuqinë të krijojë jetën. (Zbul. 11:17; Psal. 36:9) Kur njeriu lind, është si një fletë letre e bardhë. Kur vdes, e ka mbushur këtë fletë me vendime, veprime dhe përvoja që i kanë dhënë formë individualitetit dhe personalitetit të tij. Ky informacion mund të ruhet në kujtesën e Jehovait. Në kohën e duhur, Jehovai mund ta rikthejë në jetë individin, me tërë veçantitë e tij. (Gjoni 5:28, 29) Pra, megjithëse nuk bënte pjesë në qëllimin e tij fillestar për njerëzit, vdekja i ka dhënë mundësi Jehovait të tregojë se ka fuqi t’i rikthejë të vdekurit. Po, Jehovai është ‘Perëndia i Plotfuqishëm’.
13. Në ç’kuptim flijimi i Jezuit ishte një shfaqje e drejtësisë së përsosur të Perëndisë?
13 Drejtësia. Jehovai nuk gënjen dhe nuk vepron me padrejtësi. (Ligj. 32:4; Titit 1:2) Ai u përmbahet gjithnjë normave më të larta të së vërtetës dhe të drejtësisë, madje edhe kur kjo duket sikur është në dëm të tij. (Rom. 8:32) Sa e dhembshme duhet të ketë qenë për Jehovain të shihte Birin e tij të dashur të vdiste në një shtyllë torture sikur të ishte një blasfemues i pabesë! Por, nga dashuria për njerëzit e papërsosur, Jehovai me gatishmëri lejoi që kjo gjë e dhembshme të ndodhte, që të mbështeste normën e tij të përsosur të drejtësisë. (Lexo Romakëve 5:18-21.) Një botë plot padrejtësi i dha mundësinë Jehovait të tregonte se ai ishte shembulli më i lartë i drejtësisë.
14, 15. Cilat janë disa mënyra se si është shfaqur mençuria dhe durimi i jashtëzakonshëm i Jehovait?
14 Mençuria. Menjëherë pasi Adami dhe Eva mëkatuan, Jehovai tregoi mënyrën se si do t’i zhbënte të gjitha pasojat e rebelimit. (Zan. 3:15) Një veprim i tillë i menjëhershëm, si edhe zbulimi gradual i hollësive të qëllimit të tij shërbëtorëve të vet, nxori qartë në pah mençurinë e Jehovait. (Rom. 11:33) Asgjë nuk mund të pengojë aftësinë e Perëndisë për t’i zgjidhur gjërat me sukses. Në një botë të karakterizuar nga imoraliteti, lufta, paarsyetueshmëria, mosbindja, mungesa e mëshirës, anësia dhe hipokrizia, Jehovai ka pasur mundësi të shumta për t’u treguar krijesave të tij se çfarë është mençuria e vërtetë. Dishepulli Jakov tha: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë dhe nuk është hipokrite.»—Jak. 3:17.
15 Durimi dhe shpirtgjerësia. Jehovait iu desh të merrej me papërsosmëritë, mëkatet dhe të metat e njerëzve. Si rrjedhojë, cilësitë e durimit dhe të shpirtgjerësisë së tij kanë spikatur në një mënyrë të jashtëzakonshme. Gatishmëria e Jehovait për të vepruar kështu me njerëzit për mijëra vjet tregon se ai i zotëron këto cilësi të mrekullueshme në një shkallë të përsosur, dhe për këtë duhet t’i jemi tejet mirënjohës. Apostulli Pjetër me të drejtë tha se ‘duhet ta konsiderojmë durimin e Zotërisë tonë si shpëtim’.—2 Pjet. 3:9, 15.
16. Pse na sjell gëzim të madh gatishmëria e Jehovait për të falur?
16 Gatishmëria për të falur. Të gjithë jemi mëkatarë dhe të gjithë pengohemi shumë herë. (Jak. 3:2; 1 Gjon. 1:8, 9) Sa mirënjohës duhet të jemi që Jehovai është i gatshëm të falë «në masë të madhe»! (Isa. 55:7) Mendoni edhe për këtë fakt: meqë kemi lindur si mëkatarë të papërsosur, jemi në gjendje të përjetojmë gëzimin e thellë kur Perëndia na fal fajet. (Psal. 51:5, 9, 17) Kur përjetojmë personalisht këtë karakteristikë të Jehovait që të ngroh zemrën, na forcohet dashuria për të dhe nxitemi të ndjekim shembullin e tij në marrëdhëniet me të tjerët.—Lexo Kolosianëve 3:13.
Pse bota është e sëmurë?
17, 18. Në cilat mënyra ka dështuar sundimi i Satanait?
17 I tërë sistemi botëror i Satanait, që është fryt i sundimit të tij, ka dështuar vazhdimisht gjatë shekujve. Në vitin 1991, një gazetë (The European) theksonte: «A është e sëmurë bota? Po, është, por . . . jo nga [ndonjë] veprim i Perëndisë. Botës ia ngjitën sëmundjen njerëzit e saj.» Sa e vërtetë është kjo! Të ndikuar nga Satanai, prindërit tanë të parë zgjodhën sundimin njerëzor, në vend të sundimit të Jehovait. Kështu vunë në lëvizje një mënyrë sundimi që do të dështonte me siguri. Dhembja dhe mjerimi që përjetojnë njerëzit në mbarë botën janë shenja se sundimin njerëzor e ka zënë një sëmundje e frikshme.
18 Sundimi i Satanait i bën thirrje egoizmit. Megjithatë, egoizmi nuk mund ta mposhtë kurrë dashurinë, e cila është baza e sundimit të Jehovait. Sundimi i Satanait nuk ka arritur të sjellë stabilitet, lumturi ose siguri. Sundimi i Jehovait është shfajësuar. A kemi dëshmi nga ditët e sotme për këtë? Po, siç do ta shohim në artikullin vijues.
Çfarë mësuam për sundimin duke lexuar . . .
[Figurat në faqen 25]
Sundimi i Satanait nuk i ka sjellë kurrë dobi njerëzimit
[Burimet]
Fotografi e Ushtrisë së SHBA-së
Fotografi e OBSH-së nga P. Almasy
[Figura në faqen 26]
Jehovai ka fuqinë t’i rikthejë të vdekurit
[Figura në faqen 27]
Dashuria dhe drejtësia e Jehovait u shfaqën në flijimin e Birit të tij