Kush është vërtet sundimtari i botës?
NDOSHTA kurrë nuk keni takuar ndonjë nga krerët e krimit të organizuar. A do të thotë kjo se ata nuk ekzistojnë? Bosët e krimit janë mjeshtra për ta fshehur identitetin, madje për të vepruar pas hekurave të burgut. Megjithatë, titujt kryesorë të gazetave që flasin për luftërat e drogës, rrjetet e prostitucionit dhe trafikimin e njerëzve, sa për të përmendur disa, na kujtojnë ndikimin korruptues dhe pasojat e rënda të veprimtarisë dhe ekzistencës së këtyre personazheve të krimit. E dimë se këta krerë të krimit ekzistojnë, pasi shohim gjurmët që lënë në shoqërinë njerëzore.
Fjala e Perëndisë, Bibla, thotë se Satanai është person real. Ai, ashtu si kreu i një organizate të fuqishme kriminale, bën çmos ta kryejë vullnetin e tij me anë të ‘shenjave të gënjeshtërta’ dhe ‘mashtrimit që mund të sjellë padrejtësia’. Në fakt, Bibla thotë se ai «vazhdon të shndërrohet në engjëll drite». (2 Selanikasve 2:9, 10; 2 Korintasve 11:14) Edhe ekzistenca e Djallit kuptohet nga gjurmët që lë. Gjithsesi, shumë njerëz e kanë të vështirë të besojnë se ekziston kjo qenie e padukshme dhe e ligë. Para se të shqyrtojmë më nga afër çfarë thotë Bibla për Djallin, le t’u hedhim një sy disa pengesave të zakonshme dhe besimeve të gabuara, të cilat s’i lënë shumë veta ta pranojnë se Djalli është real.
◼ «Si mund ta krijonte një Perëndi i dashur Djallin?» Ngaqë Bibla thotë se Perëndia është i mirë dhe i përsosur, duket kontradiktore të mendojmë se ka krijuar një qenie të ligë dhe dashakeqe. E vërteta është se Bibla nuk thotë që Perëndia ka krijuar një person të tillë. Përkundrazi, ajo thotë për të: «Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.»—Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 5:4.
Ajo që duhet shqyrtuar është fakti nëse një person i përsosur, i krijuar nga Perëndia, mund të bënte gjë tjetër përveç asaj që është e drejtë. Perëndia as që e çoi nëpër mend t’i bënte krijesat e tij si robotë, por u dha vullnet të lirë—aftësinë për të zgjedhur vetë. Kështu, një krijesë e përsosur dhe me aftësi për të arsyetuar mund të zgjedhë të bëjë të mirën ose të keqen. Ç’është e vërteta, vetëm veprat e një krijese me aftësi për të arsyetuar e me vullnet të lirë, qoftë njerëzore a frymore, mund të gjykohen moralisht të drejta ose të gabuara.
Prandaj, s’është logjike që Perëndia t’u jepte krijesave liri për të vendosur se çfarë është e mirë ose e keqe, dhe, në të njëjtën kohë, t’i ndalonte të bënin të keqen nëse e zgjidhnin atë. Jezui përmendi një rast të keqpërdorimit të vullnetit të lirë kur tha për Djallin: «Nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën.» (Gjoni 8:44) Ky pohim tregon qartë se ai që u bë Djall, në fillim ishte person i përsosur frymor, i cili dikur ‘qëndronte i vendosur në të vërtetën’.a Perëndia Jehova u ka dhënë vullnet të lirë krijesave të tij, sepse i do dhe ka besim te to.—Shih kutinë «A mund ta humbte përsosmërinë një krijesë e përsosur?» në faqen 6.
◼ «Djalli është shërbëtor i Perëndisë» Për disa, duket se Bibla jep këtë ide në librin e Jobit. Sipas një vepre shpjeguese biblike, pohimi se Djalli ‘po bridhte nëpër tokë’, i referohet rolit të spiunëve të lashtë persë, të cilët udhëtonin dhe ia raportonin çështjet mbretit që i shërbenin. (Jobi 1:7) Megjithatë, nëse Djalli do të ishte vërtet spiun i Perëndisë, pse duhej t’i shpjegonte atij se ‘kishte bredhur nëpër tokë’? As që bëhet fjalë që tregimi i Jobit ta përshkruajë Djallin si aleat të Perëndisë, por e quan Satana, që do të thotë «Kundërshtar», duke treguar kështu se në të vërtetë është Kundërshtari kryesor i Perëndisë. (Jobi 1:6) Atëherë, nga ka ardhur ideja se Djalli është në shërbim të Perëndisë?
Që në shekullin e parë të e.s., disa libra apokrifë judaikë e përshkruanin Djallin sikur ujdiste me Perëndinë, por edhe i nënshtrohej vullnetit të tij. Në librin Mefistofeli, historiani Xhefri Barton Rasëll shpjegon se reformatori protestant Martin Luteri e konsideronte Djallin si vegël të Perëndisë, «si mjet krasitjeje ose shat që e përdor për të punuar kopshtin e tij». Me pak fjalë Rasëlli shton se «shati gjen kënaqësi duke shkatërruar egjrat» dhe, prapëseprapë, ndodhet në dorën e fuqishme të Perëndisë, e kështu përmbush vullnetin e Tij. Mësimi i Luterit—që më vonë e pranoi edhe teologu francez Xhon Kalvini—fyeu ndjenjën e drejtësisë të mjaft besimtarëve. Si ka mundësi që një Perëndi i dashur jo vetëm e lejon ligësinë, por edhe e shkakton atë? (Jakovi 1:13) Kjo doktrinë, bashkë me llahtaritë e shekullit të 20-të, pengon shumë njerëz të besojnë si në ekzistencën e Perëndisë, ashtu edhe në të Djallit.
◼ «Djalli është thjesht e keqja në përgjithësi» Po ta shohim Djallin si e keqja në përgjithësi, do të ishte thuajse e pamundur t’i kuptonim disa pjesë të Biblës. Për shembull, siç përshkruhet te Jobi 2:3-6, me kë po bisedonte Perëndia? Mos po fliste me diçka abstrakte, me një të keqe brenda Jobit, apo ndoshta po fliste me veten? Për më tepër, a do t’i lëvdonte Perëndia virtytet e Jobit e më pas të lejonte që Jobi të sprovohej nga e keqja? T’i atribuosh Perëndisë motive të tilla, do ta bënte qenie të paskrupull, jo qenie «tek i cili nuk ka padrejtësi». (Psalmi 92:15) Përkundrazi, Perëndia nuk pranoi ‘ta zgjaste dorën’ kundër Jobit. Qartë, Djalli nuk është e keqja në përgjithësi ose një anë e errët e personalitetit të Perëndisë, por është person frymor që e bëri veten Kundërshtar të Perëndisë.
Kush po e sundon vërtet botën?
Sot, shumë njerëz mendojnë se nuk është e kohës të besosh në ekzistencën e Djallit. Gjithsesi, në lidhje me realitetin plot ligësi, asnjë shpjegim s’ka dalë bindës, përveçse Djallit. Në fakt, përpjekja për ta nxjerrë jashtë loje idenë e Djallit, ka bërë që shumë veta ta hedhin poshtë Perëndinë bashkë me tërë normat morale.
«Mashtrimi më i madh i Djallit, është të na bindë se ai nuk ekziston»,—shkroi Sharl-Pjer Bodleri, poet i shekullit të 19-të. Faktikisht, duke fshehur identitetin, Djalli ka ngritur dyshime për ekzistencën e Perëndisë. Nëse Djalli nuk do të ekzistonte, mjaft veta do të mendonin se Perëndia është përgjegjës për gjithë ligësinë, e kështu do të humbnin besimin tek ai. A nuk dëshiron Djalli që njerëzit të besojnë pikërisht këtë?
Ashtu si një bos i krimit, Djalli e fsheh identitetin që të arrijë synimin e vet. Cili është ky? Bibla përgjigjet: «Perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjen [jobesimtarëve], që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë.»—2 Korintasve 4:4.
Një pyetje e rëndësishme mbetet ende. Çfarë do të bëjë Perëndia me këtë gjeni të fshehtë që qëndron pas gjithë ligësisë dhe vuajtjeve? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Për të kuptuar pse Perëndia nuk i dha fund menjëherë rebelimit të Djallit, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 5]
Djalli është shërbëtor apo kundërshtar i Perëndisë?
[Kutia dhe figura në faqen 6]
A mund ta humbte përsosmërinë një krijesë e përsosur?
Përsosmëria që Perëndia u dha krijesave të tij me aftësi për të arsyetuar, është relative. Megjithëse u krijua i përsosur, Adami duhej t’i respektonte kufijtë fizikë që i kishte vënë Krijuesi. Për shembull, ai nuk mund të hante dhé, zhavorr ose dru pa vuajtur pasojat. Nëse do ta shpërfillte ligjin e forcës së rëndesës dhe do të hidhej nga një shkëmb i lartë, do të vdiste ose do të dëmtohej rëndë.
Në mënyrë të ngjashme, asnjë krijesë e përsosur—njerëzore ose engjëllore—s’mund të shkojë përtej kufijve moralë që ka vendosur Perëndia, pa vuajtur pasojat. Kështu, kur një krijesë me aftësi për të arsyetuar e keqpërdor vullnetin e lirë, bie lehtësisht në gabim dhe në mëkat.—Zanafilla 1:29; Mateu 4:4.