A e dini?
Kush është Asueri, mbreti pers që përmendet në librin biblik të Esterës?
▪ Sipas librit të Esterës, Asueri zgjedh si mbretëreshë vashën judeje, Esterën, dhe ajo e shpëton popullin e saj nga një orvatje për gjenocid. Për një kohë të gjatë, kishte mendime të ndryshme se cili mbret pers quhej Asuer në Bibël. Por, me sa duket, ky problem u zgjidh kur u deshifruan mbishkrime trigjuhëshe në monumente perse. Këto mbishkrime nuk lënë dyshime se Asueri ishte Kserksi I, biri i Darit të Madh (Histaspisit). Mënyra si del emri Kserks në mbishkrimin pers, kur transliterohet në hebraisht, është thuajse identike me mënyrën si del në tekstin hebraik të librit të Esterës.
Çdo gjë që thuhet në librin e Esterës për Asuerin, përputhet me jetën e Kserksit I. Që nga kryeqyteti i tij në Suzë (Shushan), Elam, monarku pers sundoi edhe Medinë, dhe territori i tij shtrihej që nga India deri në ishujt e Mesdheut. (Estera 1:2, 3; 8:9; 10:1) Studiuesi Luis Bejls Pejtëni thotë: «E gjithë kjo është e vërtetë vetëm për Kserksin e për asnjë monark tjetër pers. Edhe personazhi i Asuerit, siç përshkruhet në librin e Esterës, përputhet mirë me përshkrimin që i bëjnë Kserksit Herodoti dhe historianë të tjerë grekë.»
Ç’prova ka se në Egjiptin e lashtë bëheshin tulla?
▪ Libri biblik i Daljes thotë se egjiptianët i vinin skllevërit hebrenj të bënin tulla. Skllevërit duhej të arrinin një numër të caktuar çdo ditë, duke përdorur llaç dhe lëmishte.—Dalja 1:14; 5:10-14.
Në kohët biblike, të bëje tulla që thaheshin në diell, ishte punë e rëndësishme në luginën e Nilit. Në Egjipt ekzistojnë ende monumente të lashta të ndërtuara me këtë material. Këtë proces e ilustron një pikturë muri në varrin e Rekmajrit në Tebë, e shekullit të 15-të p.e.s., thuajse në të njëjtën kohë me ngjarjet e treguara në librin e Daljes.
Një enciklopedi e përshkruan kështu skenën e kësaj pikture: «Uji merret nga një rezervuar; balta përzihet me shat dhe pastaj e çojnë në një vend të përshtatshëm për tullabërësin. Kjo baltë ngjeshet në një kallëp druri që tullabërësi e vë përtokë. Më pas hiqet kallëpi dhe përftohet një tullë që do të thahet në diell. Bëhen shumë rreshta me tulla dhe vihen stivë kur thahen, gati për përdorim. Kjo procedurë ndiqet ende në Lindjen e Mesme.»—The International Standard Bible Encyclopedia.
Edhe dokumente të ndryshme papirusi që nga mijëvjeçari i dytë p.e.s., përmendin bërjen e tullave nga skllevërit, përdorimin e lëmishteve dhe të argjilës për tulla, si dhe kuotën ditore të tullave që duhej të arrinin punëtorët.
[Figura në faqen 22]
Reliev guri i Kserksit (në këmbë) dhe i Darit të Madh (ulur)
[Burimi]
Werner Forman/Art Resource, NY
[Figura në faqen 22]
Pjesë e pikturës në mur në varrin e Rekmajrit
[Burimi]
Erich Lessing/Art Resource, NY