Çfarë thonë disa për Harmagedonin?
«I bashkuan në një vend që hebraisht quhet ‘Harmagedon’.»—ZBULESA 16:16, Bibla Simon Filipaj.
Ç’TË vjen në mendje kur dëgjon fjalën «Harmagedon»? Ndoshta imagjinon skena të një katastrofe tejet të madhe. Ndonëse fjala del vetëm një herë në Bibël, lajmet dhe udhëheqësit fetarë e përsëritin shpesh atë.
A përputhen konceptet e përhapura për Harmagedonin me atë që mëson Bibla? Ia vlen ta dimë përgjigjen. Pse? Sepse e vërteta për Harmagedonin mund të ta heqë frikën e panevojshme, mund të të japë shpresë për të ardhmen dhe mund të ndikojë te mënyra si mendon për Perëndinë.
Shqyrto tri pyetjet e mëposhtme dhe krahaso konceptet e përhapura për Harmagedonin me atë që mëson vërtet Bibla.
1. A ËSHTË HARMAGEDONI KATASTROFË NGA NJERIU?
Shpesh gazetarët dhe studiuesit e përdorin fjalën Harmagedon si përkufizim për katastrofat e shkaktuara nga njeriu. Për shembull, si Lufta e Parë edhe Lufta e Dytë Botërore janë quajtur Harmagedon. Pas atyre luftërave, njerëzimi shqetësohej se mos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik do t’i lëshonin njëri-tjetrit armët bërthamore. Media e quante atë konflikt të mundshëm «një Harmagedon termobërthamor». Sot, studiuesit që kanë frikë se mos ndotja do të shkaktojë ndryshime drastike në motin global, paralajmërojnë se kanoset «një Harmagedon klimatik».
Ç’nënkupton pikëpamja e tyre? Njerëzit e kanë nën kontroll absolut të ardhmen e tokës dhe gjithë jetën në të. Nëse qeveritë dështojnë e s’veprojnë me mençuri, toka do të pësojë dëme të përhershme.
Çfarë mëson Bibla? Perëndia nuk do t’i lejojë njerëzit ta rrënojnë tokën. Bibla na siguron se Jehovaia nuk e krijoi tokën «më kot», por e formoi «që të banohej». (Isaia 45:18) Në vend që t’i lejojë njerëzit ta rrjepin krejtësisht tokën, Perëndia do të ‘rrënojë ata që rrënojnë tokën’.—Zbulesa 11:18.
2. A ËSHTË HARMAGEDONI NJË KATASTROFË NATYRORE?
Ndonjëherë gazetarët i etiketojnë katastrofat e mëdha natyrore me fjalën Harmagedon. Për shembull, në vitin 2010, një raport fliste për «‘Harmagedonin’ në Haiti». Ai përshkruante vuajtjet, dëmet dhe jetët që mori tërmeti i fuqishëm, i cili e shkundi vendin nga themeli. Reporterët dhe prodhuesit e filmave e përdorin këtë term jo vetëm për ngjarjet që kanë ndodhur, por edhe për ato që kanë frikë se do të ndodhin. Për shembull, ata e kanë përdorur fjalën Harmagedon për të përshkruar pasojat imagjinare të një asteroidi që godet tokën.
Çfarë nënkupton pikëpamja e tyre? Harmagedoni është një ngjarje e rastësishme që vret pa dallim viktima të pafajshme. S’mund të bësh asgjë për t’u mbrojtur.
Çfarë mëson Bibla? Harmagedoni nuk shkatërron çdo njeri që gjen përpara. Përkundrazi, gjatë Harmagedonit vetëm të ligjtë do të fshihen nga faqja e dheut. Bibla premton se së shpejti «i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më».—Psalmi 37:10.
3. A DO TA SHKATËRROJË PERËNDIA TOKËN NË HARMAGEDON?
Mjaft njerëz fetarë besojnë se do të ketë një përballje përfundimtare mes së mirës e së keqes që do të sjellë fundin e planetit tonë. Një anketë e bërë në Shtetet e Bashkuara nga Shoqëria e Kërkimeve për Anketa të Prinstonit zbuloi se, 40 për qind e të rriturve nga të anketuarit, besojnë se botës do t’i vijë fundi nga «një betejë në Harmagedon».
Çfarë nënkupton ky mësim? Njerëzit nuk u krijuan që të jetojnë përgjithmonë në tokë; as toka s’u projektua që të zgjaste përjetësisht. Perëndia i krijoi njerëzit me synimin që të gjithë të vdisnin në njëfarë pike.
Çfarë mëson Bibla? Bibla e thotë qartë se Perëndia «e ka vendosur tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës». (Psalmi 104:5) Kurse për banorët e tokës Bibla thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.
Qartë, Bibla kundërshton shumë koncepte të përhapura për Harmagedonin. Atëherë, cila është e vërteta?
[Shënimi]
a Në Bibël, Jehova është emri i Perëndisë.