«Kur shoh si trajtohen gratë, nuk kam fare dëshirë të rritem.»—ZAKRA, 15 VJEÇE, e cituar në revistën GEO, botim në frëngjisht.
FJALËT e vajzës, që citohen më sipër, shpalosin një realitet të zymtë: në mbarë botën, dhuna e diskriminimi s’u ndahen vajzave dhe grave gjatë gjithë jetës. Shqyrto këto fakte.
Diskriminimi gjinor. Në Azi shumica e prindërve preferojnë të kenë djem e jo vajza. Sipas një raporti të OKB-së për vitin 2011, popullsia në këtë pjesë të botës kishte afro 134 milionë gra më pak për shkak të abortit, vrasjes foshnjore dhe për shkak të lënies pas dore.
Arsimimi. Në mbarë botën, gratë dhe vajzat përbëjnë dy të tretat e njerëzve me më pak se katër klasë shkollë.
Ngacmimi seksual. Mbi 2,6 miliardë gra jetojnë në vende ku përdhunimi nga bashkëshorti ende nuk konsiderohet krim.
Shëndeti. Në vendet në zhvillim, afërsisht çdo dy minuta një grua vdes nga ndërlikimet gjatë shtatzënisë ose gjatë lindjes ngaqë nuk merr kujdesin e duhur mjekësor.
Të drejtat për pronën. Megjithëse gratë kultivojnë më tepër se gjysmën e prodhimeve në mbarë botën, në shumë vende ato nuk kanë të drejta ligjore për të zotëruar një pronë ose për të trashëguar tokën.
Pse u mohohen këto të drejta themelore grave? Disa kultura ndjekin praktika e bindje fetare që nxitin ose madje justifikojnë abuzimin dhe dhunën ndaj grave. Një gazetë franceze citonte një avokate indiane, Çandra Rami Çopra, e cila thoshte: «Të gjitha ligjet fetare kanë diçka të përbashkët: mbështetin diskriminimin ndaj grave.»
A mendon edhe ti kështu? A mendon se Bibla i nënvlerëson gratë, siç bëjnë shumë libra të tjerë fetarë? Disave u duket se ca vargje biblike japin këtë përshtypje. Por, ç’pikëpamje ka për gratë Perëndia i Biblës? Megjithëse për shumë veta kjo është temë delikate, po ta analizojmë me kujdes dhe me mendje të hapur atë që thotë Bibla, do të arrijmë të gjejmë përgjigjen.