TEMA KRYESORE | PSE U NDODHIN TË KËQIJA NJERËZVE TË MIRË?
Çfarë do të bëjë Perëndia me ligësinë?
Bibla e thotë qartë se çfarë do të bëjë Jehovai dhe Biri i tij, Jezu Krishti, me vuajtjet që ka shkaktuar Satana Djalli. Ajo thotë: «Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë [Jezui], . . . për të zhbërë veprat e Djallit.» (1 Gjonit 3:8) Sistemi i tanishëm që është ndërtuar mbi lakminë, urrejtjen dhe veprat e liga, do të zhbëhet. Për sa i përket ‘sundimtarit të kësaj bote’, Satana Djallit, Jezui premton se ai «do të dëbohet». (Gjoni 12:31) Do të vendoset një botë e re dhe e drejtë që nuk do të jetë nën ndikimin e Satanait, dhe toka do të bëhet një vend paqësor.—2 Pjetrit 3:13.
Po ata që me kokëfortësi nuk pranojnë të ndryshojnë udhë dhe nuk heqin dorë nga ligësitë? Mendo për këtë premtim të drejtpërdrejtë: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.» (Proverbat 2:21, 22) Do të zhduket edhe ndikimi i njerëzve të ligj. Në këto kushte paqësore, njerëzit e bindur do të çlirohen dalëngadalë nga papërsosmëria e trashëguar.—Romakëve 6:17, 18; 8:21.
Si do ta zhdukë Perëndia ligësinë në këtë botë të re? Jo duke e bërë të pavlefshme dhuratën e vullnetit të lirë dhe duke i kthyer njerëzit në robotë. Përkundrazi, ai do t’u mësojë njerëzve të bindur udhët e tij, duke i ndihmuar t’i lënë mendimet dhe veprimet e dëmshme.
Perëndia do t’i zhdukë të gjitha shkaqet e vuajtjeve
Çfarë do të bëjë Perëndia me fatkeqësitë e paparashikuara? Ai ka premtuar se së shpejti Mbretëria e tij do ta marrë nën kontroll tokën. Mbreti që ka caktuar Perëndia në këtë Mbretëri është Jezu Krishti, i cili ka fuqi të shërojë të sëmurët. (Mateu 14:14) Jezui ka edhe pushtet mbi forcat e natyrës. (Marku 4:35-41) Kështu, vuajtjet që vijnë nga ‘kohët dhe ngjarjet e paparashikuara’ nuk do të ekzistojnë më. (Eklisiastiu 9:11) Nën sundimin e Krishtit, asnjë fatkeqësi nuk do të bjerë mbi njerëzimin.—Proverbat 1:33.
Ç’të themi për miliona njerëzit e pafajshëm që kanë vdekur në mënyrë tragjike? Pak para se të sillte sërish në jetë Lazarin, mikun e tij, Jezui tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» (Gjoni 11:25) Po, Jezui ka fuqi t’i ringjallë, ose t’i sjellë sërish në jetë ata që kanë vdekur.
Nëse të pëlqen të jetosh në një botë ku njerëzve të mirë nuk do t’u ndodhin të këqija, pse të mos i vësh synim vetes të mësosh më tepër për Perëndinë e vërtetë dhe për qëllimin e tij, duke studiuar Biblën? Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të ndihmojnë me kënaqësi ta marrësh këtë njohuri. Të ftojmë ngrohtësisht të kontaktosh me ta drejtpërdrejt ose t’u shkruash botuesve të kësaj reviste.