A E DINI?
Ç’kuptim ka termi «eunuk», siç përdoret në Bibël?
Reliev i hollësishëm asirian i një eunuku
Ndonjëherë kjo fjalë mund t’i referohej një burri të tredhur. Në kohët biblike disa burra i tredhnin për t’i ndëshkuar ose kur i zinin rob a kur i bënin skllevër. Burrat e besuar që ishin të tredhur mbikëqyrnin shtëpitë e grave ose haremet në oborret mbretërore. Për shembull, eunukët Hegá dhe Shaashgaz shërbyen si rojtarë të grave dhe të konkubinave të mbretit pers, Asuerit, i cili mendohet të ketë qenë Kserksi I.—Estera 2:3, 14.
Gjithsesi, Bibla nuk quan eunukë vetëm ata që ishin të tredhur. Disa studiues thonë se ky term përdorej edhe më gjerë për një zyrtar që kryente detyra në oborrin e mbretit. Me sa duket ky është kuptimi i termit kur përdoret për Ebed-Melekun, bashkëpunëtorin e Jeremisë, dhe për etiopasin që nuk ia dimë emrin, të cilit i predikoi ungjillëzuesi Filip. Duket qartë se Ebed-Meleku ishte zyrtar i lartë, pasi hynte e dilte lirisht nga shtëpia e mbretit Zedekia. (Jeremia 38:7, 8) Ndërsa etiopasi që «kishte shkuar në Jerusalem për të adhuruar», përshkruhet si nëpunës i thesarit të mbretëreshës.—Veprat 8:27.
Pse barinjtë në kohët biblike i ndanin delet nga cjeptë?
Teksa përshkruante gjykimin e ardhshëm, Jezui tha: «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, . . . ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë.» (Mateu 25:31, 32) Pse barinjtë i ndanin këto kafshë?
Normalisht delet dhe cjeptë mbaheshin bashkë në tufë dhe kullotnin tok gjatë ditës. Natën i futnin në vatha për t’i mbrojtur nga kafshët e egra, hajdutët dhe të ftohtët. (Zanafilla 30:32, 33; 31:38-40) Këto dy lloje kafshësh i vinin në vatha më vete që t’i mbronin delet relativisht të buta, sidomos femrat dhe qengjat, nga dëmi që mund t’u sillnin cjeptë më agresivë. Gjithashtu, sipas librit All Things in the Bible, bariu i ndante delet nga cjeptë gjatë «mbarështimit, mjeljes dhe qethjes». Kështu, Jezui bëri një ilustrim ku përfshiu zakone e skena të njohura për dëgjuesit në një vend bujqësor si Izraeli i lashtë.