BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w15 1/9 f. 8-10
  • Gjeta diçka më të mirë se fama

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gjeta diçka më të mirë se fama
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SJELL NDËR MEND BESIMIN QË KISHA NË FËMIJËRI
  • VENDOS TË KTHEHEM
  • DIÇKA MË E MIRË SE FAMA
  • GËZIMI QË VJEN KUR NDIHMON TË TJERËT
  • Kam përjetuar dashamirësinë dhe interesimin e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Thuaju se i do
    Histori personale të Dëshmitarëve të Jehovait
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
w15 1/9 f. 8-10

JETËSHKRIM

Gjeta diçka më të mirë se fama

Treguar nga Mína Hang Godenci

Mína Hang Godenci

Në vitin 1984 brenda një nate u shndërrova nga një adoleshente e zakonshme, në një njeri të famshëm. U kurorëzova Miss Hong-Kongu. Fotografitë e mia dolën në faqet e para të revistave e të gazetave. Më merrnin nëpër shfaqje si këngëtare, balerinë e prezantuese spektaklesh; mbaja fjalime, vishja rroba të bukura dhe dilja në publik me VIP-a, si guvernatori i Hong-Kongut.

Një vit më pas fillova të luaja në filma, disa herë si aktore protagoniste. Gazetarët më merrnin në intervista, fotografët më kërkonin dhe të tjerë më ftonin në premiera apo në inaugurime për prerje shiritash, në dreka e darka. Isha gjithmonë në qendër të vëmendjes.

Mína Hang Godenci nget motoçikletën në një skenë të rrezikshme filmi aksion

Në një film aksion

Por pak nga pak zbulova se e gjithë kjo nuk ishte aq e bukur sa e mendoja. Luaja kryesisht në filma aksion me skena të rrezikshme. Në Hong-Kong nuk ishte zakon të përdoreshin dublantë ashtu siç bëjnë aktorët në Hollivud, prandaj i bëja vetë edhe skenat e rrezikshme, si për shembull kalimin me motor mbi makinë. Shumë nga filmat ku luaja ishin imoralë e të dhunshëm. Disa kishin përmbajtje demonike.

Më 1995 u martova me një producent filmash. Edhe pse në dukje kisha gjithçka për të qenë e lumtur​—prestigjin, pasurinë dhe një burrë që më donte—​isha e dëshpëruar dhe e trishtuar. Prandaj vendosa të hiqja dorë nga aktrimi.

SJELL NDËR MEND BESIMIN QË KISHA NË FËMIJËRI

Fillova të kujtoja me mall besimin te Zoti kur kisha qenë fëmijë. Në ato kohë unë dhe motra shkonim çdo të shtunë te një familje që ishin Dëshmitarë të Jehovait. Babai i asaj familjeje, Xho Mekgrathi, na mësonte Biblën neve dhe tri vajzave të tij. Ishin një familje shumë e ngrohtë dhe e dashur, dhe «xhaxhi Xho» i trajtonte me respekt gruan e vajzat. Gjithashtu më pëlqente të shkoja me ta në mbledhjet e krishtere. Ndonjëherë shkonim në kongrese. Çfarë kohësh të bukura! Ndihesha e sigurt me Dëshmitarët.

Kurse në shtëpinë time ndodhnin gjëra të tmerrshme. Jeta që bënte babai e brengoste mamanë dhe ajo ra në depresion. Kur isha dhjetë vjeçe, mamaja u shkëput nga Dëshmitarët e Jehovait. Kurse unë vazhdova me gjysmë zemre dhe u pagëzova në moshën 17-vjeçare. Por, pak pas pagëzimit fillova të mos sillesha si e krishterë dhe si pasojë nuk isha më pjesë e kongregacionit.

VENDOS TË KTHEHEM

Jo shumë kohë pas dasmës sime, dy mbikëqyrës të kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait më erdhën për vizitë. Më shpjeguan si të kthehesha te Perëndia Jehova dhe morën masa që të më ndihmonte një misionare me emrin Sindi. Në atë kohë e kisha humbur goxha besimin, prandaj i kërkova asaj të më bindte se Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë. Më tregoi disa profeci biblike që janë përmbushur. Me kalimin e kohës u bëmë shoqe dhe më ftoi të studionim bashkë disa mësime biblike bazë. Pranova. Për herë të parë në jetën time ndjeva se Jehovai është Perëndi i dashurisë dhe do që të jem e lumtur.

Kur rifillova të shkoja në mbledhjet e krishtere, kuptova që më pëlqente më shumë të rrija me Dëshmitarët sesa me njerëzit e industrisë së filmave. Por, për shkak të fëmijërisë së trazuar, kisha krijuar përshtypjen se nuk mund t’i zija besë askujt, dhe kisha ndjenja nënvlerësimi për veten. Dikush nga kongregacioni më ndihmoi duke më treguar nga Bibla si t’i kapërceja ato probleme emocionale dhe mësova të krijoja miqësi të vërteta.

DIÇKA MË E MIRË SE FAMA

Në vitin 1997 unë dhe im shoq u transferuam në Hollivud të Kalifornisë, SHBA. Atje u aktivizova më shumë për t’i ndihmuar njerëzit të përfitojnë nga mençuria e Fjalës së Perëndisë. Kjo më ka dhënë më tepër kënaqësi sesa gjithë shkëlqimi dhe fama si aktore. Për shembull, më 2002 takova Sherin, që e kisha njohur para shumë vitesh në Hong-Kong. Përvojat tona ngjanin shumë. Ajo ishte shpallur Miss Hong-Kongu një vit para meje. Në fakt kur u shpalla Miss, ishte ajo që ma dorëzoi kurorën. Edhe Sheri ishte bërë aktore filmash e më vonë producente dhe kishte punuar me regjisorë të njohur. Ashtu si unë, tani jetonte në Hollivud.

Më pikoi në zemër kur mora vesh se i kishte vdekur i fejuari nga një infarkt i papritur. Në fenë e saj budiste nuk kishte gjetur fare ngushëllim. Ashtu si unë, kishte arritur majat e suksesit që të tjerët e lakmojnë, por nuk ishte e lumtur dhe nuk i zinte besë njeriu. Fillova t’i tregoja ato që dija nga Bibla, por e kishte të vështirë t’i kuptonte për shkak të formimit budist.

Shoqja e Mína Hang Godencit, Sheri

Shoqja ime, Sheri, në sheshin e xhirimit

Një ditë, në vitin 2003, Sheri më telefonoi nga Vankuveri i Kanadasë ku po xhironte një film. E emocionuar më tha se, teksa i jepte makinës dhe shijonte bukuritë e natyrës, papritur kishte filluar të lutej me zë: «Më thuaj, o Perëndi, kush je në të vërtetë? Si e ke emrin?» Pikërisht në atë moment kishte kaluar para një Salle Mbretërie dhe kishte lexuar emrin Jehova. Për të kjo ishte përgjigje nga Zoti dhe donte t’i takonte sa më shpejt Dëshmitarët e Jehovait. I organizova gjërat që brenda pak ditësh të shkonte në një mbledhje të një kongregacioni në gjuhën kineze në Vankuver.

«Këta njerëz merakosen sinqerisht për mua,​—më tha më vonë Sheri.—​Mund të flas hapur me ta.» M’u bë shumë qejfi kur i dëgjova këto fjalë, sepse në botën e kinematografisë nuk kishte pasur kurrë miq. Ajo vazhdoi të shkonte në mbledhje. Por në vitin 2005, nënshkroi një kontratë për dy projekte të mëdha filmash në Kinë, kështu që ishte e detyruar të kthehej në Hong-Kong. Fatmirësisht, në vitin 2006 iu kushtua Jehovait dhe u pagëzua në një asamble të Dëshmitarëve në Hong-Kong. Ndonëse donte t’i shërbente Jehovait në mënyrë sa më të plotë, puna në industrinë e filmave ia bënte mjaft të vështirë, prandaj nuk ishte aspak e kënaqur.

GËZIMI QË VJEN KUR NDIHMON TË TJERËT

Më 2009 rrethanat e Sherit ndryshuan komplet. Vendosi të tërhiqej nga kinematografia që t’i shërbente më shumë Jehovait. Zuri goxha miqësi të reja në kongregacionin e krishterë. Filloi të predikonte në kohë të plotë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe kënaqej shumë kur i ndihmonte të tjerët të bënin një jetë më të mirë.​—Mateu 24:14.

Më vonë Sheri i hyri gjuhës nepaleze për të ndihmuar grupin në rritje të Dëshmitarëve në Hong-Kong që flitnin këtë gjuhë. Duhet të shpjegoj se shumica e nepalezëve në Hong-Kong shpërfillen e madje përbuzen ngaqë nuk flasin mirë anglisht apo kinezisht dhe ngaqë kanë tradita të tjera. Sheri më tha sa fort donte t’i ndihmonte këta njerëz të mësonin për Biblën. Për shembull, një ditë ndërsa predikonte shtëpi më shtëpi, takoi një grua nga Nepali që dinte ca gjëra për Jezuin, por asgjë për Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Sheri përdori Biblën për t’i treguar se Jezui iu lut Atit të tij në qiell. Kur gruaja e kuptoi se mund t’i lutej Perëndisë së vërtetë, e pranoi me gjithë zemër lajmin e mirë. Pa kaluar shumë, edhe i shoqi me të bijën po studionin Biblën.​—Psalmi 83:18; Luka 22:41, 42.

Sheri i predikon një gruaje

Sheri sot

Kur pashë sa kënaqej Sheri duke kaluar një pjesë të mirë të kohës në predikim, i thashë vetes: ‘Po mua, çfarë më pengon të bëj të njëjtën gjë?’ Në këtë kohë edhe unë jetoja sërish në Hong-Kong. Vendosa të ndryshoja rutinë që të merrja pjesë më shumë në përhapjen e së vërtetës biblike. Ndihem vërtet e lumtur kur të tjerët më shprehen dhe kur i ndihmoj të kuptojnë Fjalën e Perëndisë.

Kënaqem vërtet kur i ndihmoj njerëzit të kuptojnë Fjalën e Perëndisë

Për shembull, kam studiuar Biblën me një grua vietnameze që ishte gjithmonë e trishtuar dhe shpesh e shihja me lot në sy. Tani ka një pikëpamje pozitive për jetën dhe i pëlqen shumë shoqëria me kongregacionin.

Mína Hang Godenci drejton një studim biblik me një grua

Edhe Sheri, edhe unë kemi gjetur diçka më të mirë se fama. Megjithëse puna në industrinë e filmave ishte emocionuese dhe na bëri të famshme, t’u mësosh njerëzve për Perëndinë Jehova është më bukur, sepse lavdia i shkon atij. Sigurisht që kemi parë në jetën tonë sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​—Veprat 20:35.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo