TEMA KRYESORE
Çfarë mendon Zoti për luftën?
Si do të përgjigjeshe? Shumë mendojnë se ai i miraton luftërat, ngaqë në të kaluarën urdhëroi disa nga adhuruesit e tij që të luftonin, siç thuhet edhe në Bibël. Kurse të tjerë arsyetojnë se Biri i Perëndisë, Jezui, i mësoi dishepujt t’i donin armiqtë. (Mateu 5:43, 44) Prandaj, ata arrijnë në përfundimin se në njëfarë pike Zoti ndryshoi mendim për luftën dhe sot është kundër saj.
Po ti, çfarë mendon? A i miraton Zoti luftërat? Nëse po, anën e kujt mban në konfliktet e sotme? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të ndikojnë te pikëpamja jote për luftën. Për shembull, po ta dije se Zoti e miraton luftën dhe se mban të njëjtën anë si ti në një luftë, patjetër që do të ndiheshe mirë për zgjedhjen tënde dhe i sigurt për fitoren. Por si do të ndiheshe po të merrje vesh se Zoti është me palën kundërshtare? Ka shumë mundësi që do ta shqyrtoje edhe një herë se me kë je.
Por, këtu luhet diçka edhe më e rëndësishme. Kur e di mendimin e Zotit për luftën, kjo mund të ndikojë te mendimi yt për Zotin. Nëse je mes miliona vetave që kanë vuajtur nga luftërat njerëzore, me siguri ke nevojë të dish përgjigjen e pyetjes: a është luftënxitës Perëndia, siç mendojnë disa, i cili i lejon e madje i nxit vuajtjet që vijnë nga lufta apo është pasiv e indiferent ndaj të shtypurve?
Mund të habitesh sa ndryshon ajo që thotë Bibla nga dy idetë e mësipërme. Për më tepër, që nga e kaluara e deri më sot, pikëpamja e Zotit për luftën nuk ka ndryshuar. Le të shohim ç’thotë Bibla për pikëpamjen e tij në lashtësi dhe në shekullin e parë, kur Jezui ishte në tokë. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë çfarë mendon Zoti sot për luftën dhe nëse do të ketë luftëra në të ardhmen.