TEMA KRYESORE | KU MUND TË GJESH NGUSHËLLIM?
TË GJITHË KEMI NEVOJË PËR NGUSHËLLIM
Të kujtohet kur ishe fëmijë e rrëzoheshe, prisje gishtin a gërvishtje gjurin? E mban mend si të ngushëllonte mami? Ndoshta të pastronte plagën dhe të vinte leukoplast. Ti qaje, por sa shpejt të qetësonin fjalët dhe përqafimi i saj i ngrohtë! Në ato vite nuk të mungonte kurrë ngushëllimi.
Megjithatë, kur rritemi, jeta bëhet më e komplikuar. Problemet bëhen më të mëdha dhe ngushëllimi mezi gjendet. Është e trishtë, por problemet e të rriturve zor se zgjidhen me një leukoplast dhe me përqafimin e nënës. Për shembull, mendo për disa situata.
A ke provuar ndonjëherë traumën kur humb punën? Huliani thotë se gati sa s’e humbi toruan kur e pushuan nga puna. Ai mendonte: «Si do të kujdesem për familjen? Për vite me radhë dhashë shpirtin për kompaninë, e tani qenkam i padobishëm?!»
Ndoshta ndihesh i shkatërruar ngaqë martesa jote ka marrë fund. Rakela shpjegon: «Kur burri më la papritur para 18 muajsh, më pushtoi trishtimi. M’u duk sikur zemra m’u nda më dysh. Ndieja dhembje fizike dhe emocionale. Kisha shumë frikë.»
Mbase ke ndonjë problem të rëndë shëndetësor që duket se nuk po përmirësohet. Ndoshta ndonjëherë ndihesh si patriarku Job, që tha i shkurajuar: «Nuk e dua jetën. S’dua të jetoj përgjithnjë.» (Jobi 7:16) Mund të ndihesh si Luisi në të 80-at, i cili rrëfen: «Ndonjëherë më duket sikur thjesht po pres vdekjen.»
Ose mbase të ka vdekur një i afërm dhe ke tmerrësisht nevojë për ngushëllim. Roberti tregon: «Kur më vdiq çuni në një aksident ajror, në fillim nuk arrija ta besoja. Pastaj erdhi dhembja, ajo lloj dhembjeje që, siç thotë Bibla, ta tejshpon shpirtin si një shpatë e gjatë.»—Luka 2:35.
Roberti, Luisi, Rakela dhe Huliani gjetën ngushëllim edhe në rrethana të vështira. Gjetën Personin më të mirë për t’u dhënë ngushëllim, askënd tjetër përveç Perëndisë së Plotfuqishëm. Si na ngushëllon ai? A do të të ngushëllojë edhe ty kur të kesh nevojë?