BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • wp17 nr. 4 f. 4-7
  • Çfarë thotë Bibla për jetën dhe vdekjen?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Çfarë thotë Bibla për jetën dhe vdekjen?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • BIBLA TREGON TË VËRTETËN
  • LULËZON NJË MËSIM PAGAN
  • «E VËRTETA DO T’JU LIROJË»
  • Sa i fortë është besimi yt te ringjallja?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Një shpresë më e mirë për shpirtin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Ku janë të vdekurit?
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
  • Jetë pas vdekjes: Çfarë besojnë njerëzit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
wp17 nr. 4 f. 4-7
Një trup i vdekur në varr

TEMA KRYESORE | ÇFARË THOTË BIBLA PËR JETËN DHE VDEKJEN?

Çfarë thotë Bibla për jetën dhe vdekjen?

Nga tregimi i krijimit në librin biblik të Zanafillës mësojmë se Zoti i tha njeriut të parë, Adamit: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:16, 17) Ky varg tregon qartë dhe thjesht se, nëse Adami do t’i bindej urdhrit të Perëndisë, nuk do të vdiste, por do të jetonte përgjithmonë në kopshtin e Edenit.

Adami dhe Eva pleq

Mjerisht, në vend që të bindej e të jetonte përgjithmonë, Adami zgjodhi të shpërfillte urdhrin e Perëndisë dhe hëngri nga fryti i ndaluar që i dha e shoqja, Eva. (Zanafilla 3:1-6) Pasojat e atij akti mosbindjeje i vuajmë edhe ne sot. Apostulli Pavël e shpjegoi kështu: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Sigurisht, «njeriu i vetëm» ishte Adami. Por çfarë ishte mëkati dhe pse solli vdekjen?

Ajo çfarë bëri Adami, duke mos u bindur e duke shkelur ligjin e Perëndisë me vetëdije, quhet mëkat. (1 Gjonit 3:4) Dhe, siç i tha Perëndia, ndëshkimi për mëkatin është vdekja. Për aq kohë sa Adami, dhe pasardhësit e tij, t’i bindeshin urdhrit të Zotit, do të ishin pa mëkat dhe s’do ta provonin kurrë vdekjen. Perëndia nuk i krijoi njerëzit që të vdisnin, por që të jetonin​—madje përgjithmonë.

S’ka diskutim se vdekja ‘është përhapur te të gjithë njerëzit’ siç thuhet në Bibël. Por a vazhdon të jetojë pas vdekjes një pjesë jona? Shumë do të përgjigjeshin po, pra se një pjesë jona​—që quhet shpirt—​është e pavdekshme. Megjithatë, kjo do të nënkuptonte se Perëndia e gënjeu Adamin. Pse? Sepse, nëse pas vdekjes një pjesë jona shkon të jetojë diku tjetër, atëherë vdekja nuk do të ishte ndëshkimi për mëkatin, siç tha Perëndia. Bibla thotë: «Është e pamundur që Perëndia të gënjejë.» (Hebrenjve 6:18) Në të vërtetë, ishte Satanai që gënjeu kur i tha Evës: «Ju s’keni për të vdekur aspak.»​—Zanafilla 3:4.

Nëse mësimi i pavdekësisë së shpirtit bazohet në një gënjeshtër, atëherë lind pyetja: çfarë ndodh vërtet kur vdesim?

BIBLA TREGON TË VËRTETËN

Tregimi i Zanafillës për krijimin thotë: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» Shprehja «shpirt i gjallë» është përkthim i fjalës hebraike néfesh,a që fjalë për fjalë do të thotë «krijesë që merr frymë».​—Zanafilla 2:7.

Pra, Bibla e tregon qartë se njerëzit nuk janë krijuar me shpirt të pavdekshëm. Përkundrazi, çdo njeri është «një shpirt i gjallë». Ja pse, sado të kërkosh, s’do ta gjesh askund në Bibël shprehjen «shpirt i pavdekshëm».

Por, meqë Bibla nuk thotë se njerëzit kanë shpirt të pavdekshëm, pse shumë fe mësojnë të kundërtën? Për të marrë përgjigjen, duhet të kthehemi pas në kohë, në Egjiptin e lashtë.

LULËZON NJË MËSIM PAGAN

Herodoti, historian grek i shekullit të pestë p.e.s., tha se egjiptianët ishin «të parët që mbrojtën idenë e pavdekësisë së shpirtit». Edhe babilonasit që i përkitnin një kulture tjetër të lashtë, filozofonin me idenë e shpirtit të pavdekshëm. Kur Aleksandri i Madh pushtoi Lindjen e Mesme në vitin 332 p.e.s., tashmë filozofët grekë e kishin përhapur këtë mësim, i cili shumë shpejt mori dhenë në të gjithë Perandorinë Greke.

Shprehjen «shpirt i pavdekshëm» s’do ta gjesh askund në Bibël

Në shekullin e parë të e.s. dy sekte të njohura judaike, esenët dhe farisenjtë, mësonin se shpirti mbijeton pas vdekjes së trupit. Një enciklopedi thotë: «Doktrina e pavdekësisë së shpirtit hyri te judenjtë përmes filozofisë greke, kryesisht nga Platoni.» (The Jewish Encyclopedia) Po njësoj, Jozefi, historian jude i shekullit të parë, nuk e lidhi këtë mësim me Shkrimet e Shenjta, por me «besimin e bijve të Greqisë» që e shihte si koleksion përrallash nga mitologët e tyre.

Teksa ndikimi i kulturës greke vazhdonte të përhapej, këtë mësim pagan e përvetësuan edhe «të krishterët». Sipas historianit Jona Lendering, «hipoteza e Platonit se dikur shpirti ynë ka qenë në një vend më të mirë dhe tani jeton në një botë të degraduar, e bëri të lehtë gërshetimin e filozofisë së tij me krishterimin». Ndaj kisha «e krishterë» përvetësoi doktrinën pagane të pavdekësisë së shpirtit dhe e bëri pjesë themelore të bindjeve të saj.

«E VËRTETA DO T’JU LIROJË»

Në shekullin e parë apostulli Pavël paralajmëroi hapur: «Shprehja e frymëzuar e thotë shkoqur se në të ardhmen do të ketë periudha kur disa do të bien nga besimi dhe do t’u kushtojnë vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese e mësimeve të demonëve.» (1 Timoteut 4:1) Sa të vërteta kanë dalë këto fjalë! Doktrina e pavdekësisë së shpirtit është vetëm një shembull i «mësimeve të demonëve». Nuk mbështetet në Bibël dhe rrënjët i ka te fetë dhe te filozofitë e lashta pagane.

Jezui tha këto fjalë që të ngrohin zemrën: «Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Njohuria e saktë për të vërtetat biblike na ndihmon të çlirohemi nga mësime dhe praktika të shumë feve që çnderojnë Perëndinë. Për më tepër, e vërteta e Fjalës së Perëndisë na çliron nga vargonjtë e traditave dhe të bestytnive që lidhen me vdekjen.​—Shih kutinë «Ku janë të vdekurit?»

Krijuesi ynë nuk kishte si qëllim që njerëzit të jetonin vetëm 70 ose 80 vjet në tokë e pastaj përjetësisht në një botë tjetër. Qëllimi i tij fillestar ishte që njerëzit të jetonin përgjithmonë këtu në tokë si fëmijë të bindur. Ky qëllim madhështor tregon se Perëndia i do njerëzit dhe se s’ka gjë që ta pengojë plotësimin e këtij qëllimi. (Malakia 3:6) Fjalët e një psalmisti të frymëzuar na sigurojnë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»​—Psalmi 37:29.

Për të ditur më shumë se çfarë thotë Bibla për jetën dhe vdekjen, shih kapitullin 6 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Mund ta gjesh edhe në www.pr2711.com, ose skano kodin.

a Disa Bibla në shqip, si Diodati i Ri dhe Filipaj, fjalën néfesh e përkthejnë «qenie e gjallë». Kristoforidhi e përkthen «shpirt i gjallë», kurse Bibla ECM e përkthen thjesht «njeriu filloi të jetonte».

A mund të jetojmë përgjithmonë?

Ca vjet më parë studiuesit raportuan se ishin zbuluar disa bimë nënujore që ata besojnë se janë mijëravjeçare​—mbase gjallesat më jetëgjata në tokë. Bimët i përkasin species Posidonia oceanica, një lloj barishteje deti që mbulon pjesën më të madhe të vijës bregdetare të Mesdheut midis Spanjës dhe Qipros.

Por, nëse bimët mund të jetojnë kaq gjatë, ç’të themi për njerëzit? Disa shkencëtarë që studiojnë procesin e plakjes, janë optimistë për mundësinë e zgjatjes së jetës. Për shembull, një libër që flet për këtë çështje, tregon gjerë e gjatë për «numrin e madh të zhvillimeve më të fundit shkencore» në këtë fushë. Mbetet për t’u parë nëse këto zhvillime do të ndikojnë vërtet te jetëgjatësia e njeriut.

Megjithatë, shpresa e vërtetë për të jetuar përgjithmonë nuk është në dorë të shkencës moderne. Bibla na e drejton vëmendjen te Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, kur thotë: «Ti je burimi i jetës.» (Psalmi 36:9) Jezui i tha Perëndisë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) S’ka pikë dyshimi se, po të përpiqemi të njohim e të kënaqim Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, do të shpërblehemi me bekime të përhershme.

Barishte deti

Studiuesit besojnë se disa barishte deti janë mijëravjeçare

KU JANË TË VDEKURIT?

Jezui ringjall Lazarin

E thënë thjesht, Bibla tregon se të vdekurit janë në varr, në pritje për t’u ringjallur. (Gjoni 5:28, 29) Ata as vuajnë, as ndiejnë ndonjë lloj dhembjeje, sepse «të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë». (Eklisiastiu 9:5) Jezui e krahasoi vdekjen me një gjumë të thellë. (Gjoni 11:11-14) Ja pse s’ka arsye t’u frikësohemi apo t’u bëjmë dhurata që t’u zbutim zemërimin atyre që janë në gjumin e vdekjes. Ata s’mund të na ndihmojnë apo të na bëjnë keq, sepse «nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol», pra në varrin e përbashkët të njerëzimit. (Eklisiastiu 9:10) Gjithsesi, nëpërmjet ringjalljes Perëndia do ta zhdukë vdekjen njëherë e mirë.​—1 Korintasve 15:26, 55; Zbulesa 21:4.

Pse t’i besosh Biblës?

Mund të jemi plotësisht të bindur se Bibla meriton besimin tonë. Pse? Shqyrto sa vijon:

  • Shishe boje me një penë

    Autor unik: Bibla përbëhet nga 66 libra të shkruar nga rreth 40 shkrimtarë gjatë një periudhe 1.600-vjeçare, që nga viti 1513 p.e.s. deri rreth vitit 98 të e.s. E megjithatë, e gjithë përmbajtja e saj është e harmonishme dhe koherente. Kjo provon se Autori i saj i vërtetë është Zoti i plotfuqishëm. Ai ua zbuloi informacionin burrave që e shkruan.

  • Shtyllë

    Saktësi historike: Ngjarjet e dokumentuara në Bibël janë plotësisht në harmoni me faktet historike të provuara. Libri Një avokat shqyrton Biblën (anglisht) vëren: «Ndërkohë që në historitë romantike, në legjendat dhe në dëshmitë e rreme bëhet kujdes që ngjarjet të zhvillohen në ndonjë vend të largët a kohë të papërcaktuar, . . . në tregimet biblike, datat dhe vendet përshkruhen me saktësi të jashtëzakonshme.»

  • Atom

    Saktësi shkencore: Bibla nuk është libër shkencor ama, kur bëhet fjalë për çështje shkencore, pasqyron një saktësi unike për kohën kur u shkrua. Për shembull, në kapitujt 13 dhe 14 të librit të Levitikut tregohet se izraelitëve iu dhanë ligje të detajuara për higjienën e karantinën shumë kohë para se njerëzit të njihnin mikrobet dhe sëmundjet ngjitëse. Bibla flet edhe për tokën, të cilën e përshkruan si të rrumbullakët dhe të varur në asgjë, fakte që shkenca i zbuloi shekuj më vonë.​—Jobi 26:7; Isaia 40:22.

Këta janë vetëm disa shembuj që mbështetin këtë pohim të Biblës për autenticitetin e saj: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr.»​—2 Timoteut 3:16.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo