BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w19 prill f. 26-30
  • Gjetëm ‘margaritarin me vlerë të madhe’

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gjetëm ‘margaritarin me vlerë të madhe’
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Material i ngjashëm
  • Bibla të ndryshon jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • «Le të ngazëllojnë ishujt e shumtë!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Mirënjohës që zgjodha karrierën e duhur
    Jetëshkrime të Dëshmitarëve të Jehovait
  • Raporti Botëror—Totali i vitit 2001
    Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2002
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
w19 prill f. 26-30
Uinston dhe Pam Pejni në moshë të re, të ulur mbi një shkëmb buzë detit

JETËSHKRIM

Gjetëm ‘margaritarin me vlerë të madhe’

Treguar nga Uinston dhe Pamela Pejni

UINSTON dhe Pamela (Pam) Pejni shërbejnë në zyrën e degës të Australazisë. Në jetën e lumtur së bashku kanë pasur edhe vështirësi, si përshtatja me kultura të tjera dhe humbja tragjike e fëmijës nga një dështim spontan. Por mes gjithë kësaj, e kanë ruajtur dashurinë për Jehovain e popullin e tij dhe gëzimin në shërbim. Në këtë intervistë, i ftuam të na tregonin disa nga përvojat e tyre.

Uinston, na trego pak si fillove të kërkosh Perëndinë.

U rrita në një familje jofetare në një fermë të Kuinslandit, Australi. Ngaqë ishim në një zonë të thellë, rrallë takoja njeri tjetër veç pjesëtarëve të familjes. Kur isha rreth 12 vjeç, nisa të kërkoj Perëndinë. Iu luta që të mësoja të vërtetën për të. Me kohë u largova nga ferma dhe gjeta punë në Adelajde, në Australinë Jugore. Në moshën 21-vjeçare, takova Pamin ndërsa isha me pushime në Sidnei. Ajo më foli për lëvizjen fetare britaniko-izraelite, që thotë se britanikët e kanë prejardhjen nga të ashtuquajturat fise të humbura të Izraelit. Këto fise, sipas kësaj lëvizjeje, janë dhjetë fiset e mbretërisë veriore që shkuan në mërgim në shekullin e tetë p.e.s. Kur u ktheva në Adelajde, e hapa këtë temë me një shok pune që kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Pasi bisedova vetëm pak orë me të—kryesisht për bindjet e Dëshmitarëve—kuptova se lutja e fëmijërisë po merrte përgjigje. Po mësoja të vërtetën për Krijuesin tim dhe Mbretërinë e tij! Kisha gjetur ‘margaritarin me vlerë të madhe’.—Mat. 13:45, 46.

Edhe ti Pam nise ta kërkosh atë margaritar në moshë të re. Si e gjete?

U rrita në një familje fetare në qytezën e Kofs-Harborit, në Uellsin e Ri Jugor. Prindërit dhe gjyshërit e mi përqafuan mësimet e lëvizjes britaniko-izraelite. Që kur ishim të vegjël, mua, vëllanë e vogël, motrën e madhe dhe shumë kushërinjve, na mësuan se ata me prejardhje britanike janë të zgjedhurit e Perëndisë. Mirëpo këto mësime nuk më bindnin dhe s’ma plotësonin nevojën që të njihja Perëndinë. Kur isha 14 vjeçe shkova në disa kisha vendase, përfshirë Kishën Anglikane, atë Baptiste dhe Kishën Adventiste të Ditës së Shtatë. Por s’më ndihmuan ta njihja Perëndinë.

Më vonë familja ime u transferua në Sidnei, ku takova Uinstonin që ishte me pushime atje. Siç e tha edhe ai, bisedat tona rreth fesë ishin shkëndija që e shtyu të studionte me Dëshmitarët. Pas kësaj, letrat që më dërgonte ishin plot me shkrime! Duhet ta pranoj se në fillim isha e shqetësuar—madje e acaruar. Por dalëngadalë dallova tingullin e së vërtetës.

Më 1962, u transferova në Adelajde që të isha më afër Uinstonit. Ai kishte marrë masa që të qëndroja te një çift Dëshmitarësh—Tomas dhe Xhanisa Sloumani—që kishin qenë misionarë në Papua Guinenë e Re. Ata u treguan jashtëzakonisht të dashur me mua; isha vetëm 18 vjeçe dhe më ndihmuan pa masë të njihja më mirë Jehovain. Ndaj edhe unë nisa të studioj Fjalën e Perëndisë dhe, pa kaluar shumë, u binda se kisha gjetur të vërtetën. Pasi u martuam, unë dhe Uinstoni nisëm menjëherë jetën tejet shpërblyese në shërbim të Jehovait—një jetë që, pavarësisht nga sprovat, na e ka thelluar çmueshmërinë për margaritarin e shkëlqyer që gjetëm.

Uinston, na trego pak për vitet e para në shërbim të Jehovait.

Një hartë e udhëtimeve të çiftit Pejn në veprën qarkore; pulla poste nga disa ishuj; ishulli i Funafutit në Tuvalu

A. Një hartë e udhëtimeve tona në veprën qarkore

B. Pulla poste nga disa ishuj. Kiribati dhe Tuvaluja më parë quheshin Ishujt e Gilbertit dhe Elisesë

C. Ishulli i bukur koralor i Funafutit në shtetin e Tuvalusë. Një nga ishujt e shumtë që vizituam para se atje të caktoheshin misionarë

Pak kohë pasi unë dhe Pami u martuam, Jehovai filloi të na hapte të parën nga shumë ‘dyert e gjera’ drejt një shërbimi të zgjeruar. (1 Kor. 16:9) Për te dera e parë na drejtoi vëlla Xhek Porteri, që shërbente si mbikëqyrës qarkor në kongregacionin tonë të vogël. (Sot shërbejmë bashkë në Komitetin e Degës të Australazisë.) Xheku dhe e shoqja, Roslina, na nxitën të shërbenim si pionierë të rregullt—një privilegj që e shijuam për pesë vjet. Kur isha 29 vjeç, mua dhe Pamin na kërkuan të shërbenim në veprën qarkore në ishujt e Paqësorit Jugor, që atëherë kaluan nën mbikëqyrjen e degës së Fixhit. Ishujt ishin Kiribati, Nauru, Niue, Samoa Amerikane, Samoa, Tokelau, Tonga, Tuvaluja dhe Vanuatu.

Në ato kohë, njerëzit në disa nga ishujt më të izoluar ishin dyshues ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, prandaj duhej të tregoheshim të kujdesshëm e të matur. (Mat. 10:16) Kongregacionet ishin të vogla dhe disa nuk na siguronin dot strehim. Ndaj u kërkonim një vend për të fjetur banorëve të fshatit dhe ata tregoheshin gjithmonë tepër të gjindshëm.

Uinston, ti e ke mjaft për zemër punën e përkthimit. Çfarë e zgjoi këtë interes?

Uinston Pejni në Samoa, duke drejtuar një shkollë për pleq

Në Samoa, duke drejtuar një shkollë për pleq

Atëherë, vëllezërit në ishullin-shtet të Tongës kishin vetëm pak fletushka dhe broshura në gjuhën tongane—një gjuhë polineziane. Për të studiuar me njerëzit, përdornin botimin në anglisht të librit E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Ja pse gjatë një shkolle katërjavore për pleqtë, tre pleq vendës që dinin pak anglisht pranuan ta përkthenin librin E vërteta në gjuhën tongane. Pami shtypi materialin me makinë shkrimi, dhe ia dërguam degës së Shteteve të Bashkuara për botim. I gjithë projekti zgjati rreth tetë javë. Edhe pse cilësia e përkthimit linte shumë për të dëshiruar, ai botim ndihmoi gjithë ata njerëz që flitnin gjuhën tongane të mësonin të vërtetën. Unë dhe Pami s’jemi përkthyes, ama ajo përvojë na zgjoi interesin për përkthimin.

Pam, si ishte jeta në ishuj krahasuar me jetën në Australi?

Uinston dhe Pam Pejni pranë një autobusi, një nga «shtëpitë» e tyre gjatë veprës qarkore

Një nga «shtëpitë» tona kur ishim në veprën qarkore

Ishte një botë tjetër! Në disa vende, kishte mizëri mushkonjash, vapë dhe lagështi të tmerrshme, minj, sëmundje e ndonjëherë ushqim të pamjaftueshëm. Nga ana tjetër, në fund të çdo dite na qetësohej shpirti tek kundronim oqeanin nga faleja jonë—siç quhet në gjuhën samoane një shtëpi tipike polineziane me çati kashte dhe pa mure. Netëve me hënë, spikatnin siluetat e palmave të kokosit dhe hëna pasqyrohej mbi oqean. Këto çaste të bukura na bënin të meditonim e të luteshim, duke na e kthyer vëmendjen nga gjërat negative tek ato pozitive.

Na hynë në zemër fëmijët atje, që ishin jashtë mase gazmorë dhe kureshtarë kur na shihnin ne të huajt e bardhë. Kur ishim për vizitë në Niue, një çun i vogël përkëdheli njërin krah leshtor të Uinstonit dhe tha: «Më pëlqejnë puplat e tua.» Me sa duket, nuk kishte parë kurrë krahë leshtorë dhe nuk dinte si t’i përshkruante.

Na pikonte në shpirt kur shihnim kushtet e mjera në të cilat jetonin njerëzit. I rrethonte një natyrë e mrekullueshme, por u mungonte kujdesi i përshtatshëm shëndetësor, dhe uji i pijshëm ishte me pakicë. Prapëseprapë, vëllezërit tanë nuk dukeshin të shqetësuar. Ishin mësuar me ato kushte. Ndiheshin të lumtur që kishin familjen pranë, një vend ku mblidheshin për të adhuruar dhe privilegjin për të lëvduar Jehovain. Shembulli i tyre na ndihmoi të përqendroheshim te gjërat më të rëndësishme dhe të mbanim një jetë të thjeshtë.

Nganjëherë, Pam, të është dashur të mbushësh ujë dhe të gatuash në rrethana krejt të reja. Si ia ke dalë?

Në Tongë, Pami duke larë rrobat me një kazan dhe një kovë

Në Tongë, Pami duke larë rrobat

Për këtë duhet të falënderoj babanë tim. Ai më mësoi plot gjëra praktike, si për shembull të ndez një zjarr për të gatuar dhe t’ia dal me pak. Gjatë një vizite në Kiribati, ndenjëm në një shtëpi të vogël me çati kashte, dysheme me zhavorr korali dhe mure bambuje. Që të gatuaja një vakt të thjeshtë, gërmova një gropë në dysheme për të bërë një vatër zjarri dhe hodha aty ca lëvore arre kokosi që të ndizja zjarr. Për të mbushur ujë, zura radhë pranë një pusi bashkë me gratë vendase. Që të nxirrnin ujë, përdornin një shkop rreth dy metra të gjatë me një litar të hollë të lidhur te maja, pak a shumë si një kallam peshkimi. Por në vend të grepit, te skaji tjetër i litarit lidhnin një enë. Me radhë, secila grua hidhte litarin e saj dhe pastaj vërtiste kyçin e dorës në momentin e duhur. Ena binte anash dhe mbushej me ujë. M’u duk e thjeshtë, derisa erdhi radha ime. Hodha litarin disa herë, por ena binte mbi ujë e thjesht pluskonte. Pasi pushuan së qeshuri, një nga gratë më ndihmoi. Vendasit ishin përherë tejet të gjindshëm e zemërmirë.

Të dy e donit caktimin në ishuj. A mund të na tregoni ndonjë kujtim të veçantë?

Uinstoni: Na u desh pak kohë të mësoheshim me disa zakone. Për shembull, kur vëllezërit na ftonin për të ngrënë, zakonisht na jepnin gjithë ushqimin që u gjendej. Në fillim, nuk e dinim se duhej të linim diçka për ta. Prandaj hanim gjithçka që na vinin para. Patjetër, kur e morëm vesh si ishte puna, linim ushqim edhe për ta. Pavarësisht nga gafat tona, vëllezërit ishin mirëkuptues. Ata mezi pritnin të na takonin afro çdo gjashtë muaj kur i vizitonim gjatë kohës që shërbenim në qark. Ne ishim të vetmit Dëshmitarë që takonin asokohe përveç njëri-tjetrit.

Në ishullin Niue, Uinstoni drejton një grup, të gjithë me motoçikleta, për në shërbim

Në ishullin Niue, duke drejtuar një grup për në shërbim

Vizitat tona ishin dëshmi e mirë edhe për komunitetin. Mjaft banorë të fshatrave mendonin se feja e vëllezërve ishte diçka që e kishin sajuar ata. Ndaj kur ne, dy të huaj nga e njëjta fe vizitonim vëllezërit, vendësit kuptonin se kjo ishte një fe reale dhe u bënte përshtypje.

Pami: Një nga kujtimet më të dashura e kam nga Kiribati, ku kishte një kongregacion me pak vëllezër e motra. Plaku i vetëm atje, Sinakai Matera, kujdesej sa më mirë të mundej për ne. Një ditë erdhi me një shportë që kishte vetëm një vezë. «Është për ju»,—tha. Në atë kohë, një vezë pule konsiderohej gjë e shijshme dhe e rrallë. Ai gjest i vogël por bujar, na preku thellë.

Pam, disa vite më vonë humbe fëmijën nga një dështim spontan. Çfarë të ndihmoi ta përballoje këtë sprovë?

Mbeta shtatzënë më 1973 kur ishim në Paqësorin Jugor. Vendosëm të ktheheshim në Australi, ku katër muaj më vonë humbëm fëmijën. Patjetër që edhe Uinstoni u dëshpërua thellë; ishte edhe fëmija i tij. Dhembja që ndieja në shpirt u zbut me kalimin e kohës, por nuk u fashit kurrë plotësisht derisa morëm Kullën e Rojës të 15 prillit 2009. Te «Pyetje nga lexuesit» ngrihej pyetja: «A ka shpresë për ringjallje një fëmijë që vdes në bark të nënës?» Artikulli na siguroi se kjo çështje është në dorën e Jehovait i cili bën gjithmonë atë që është e drejtë. Ai do të shërojë plagët e shumta që na ka shkaktuar jeta në këtë botë të ligë, kur të drejtojë me dashuri Birin e tij që ‘të zhbëjë veprat e Satanait’. (1 Gjon. 3:8) Artikulli na ndihmoi edhe të vlerësonim akoma më shumë ‘margaritarin’ e vyer që kemi si shërbëtorë të Jehovait. E ku do të ishim pa shpresën e Mbretërisë?!

Pas humbjes së fëmijës, nisëm sërish shërbimin e plotkohor. Për disa muaj shërbyem në Bethelin e Australisë dhe me kohë rifilluam veprën qarkore. Më 1981, pasi shërbyem për katër vjet në zonën rurale të Uellsit të Ri Jugor dhe në Sidnei, na ftuan në degën e Australisë, siç quhej atëherë, ku shërbejmë sot e kësaj dite.

Uinston, a të ka ndihmuar përvoja që ke fituar në ishujt e Paqësorit Jugor në caktimin si anëtar i Komitetit të Degës të Australazisë?

Po, në disa mënyra. Në fillim, Australisë iu kërkua të kujdesej për Samoan Amerikane dhe Samoan. Pastaj, dega e Zelandës së Re u bashkua me Australinë. Sot, territori që mbikëqyr dega e Australazisë përfshin Australinë, ishujt Kuk, Niuen, Samoan Amerikane dhe Samoan, Timorin Lindor, Tokelaun, Tongën dhe Zelandën e Re—shumë nga të cilat kam pasur privilegjin t’i vizitoj si përfaqësues i degës. Bashkëpunimi me vëllezërit e motrat besnike në ishuj, më ka ndihmuar tej mase tani që u shërbej nga zyra e degës.

Uinston dhe Pam Pejni në degën e Australazisë

Uinstoni dhe Pami në degën e Australazisë

Si përfundim dua të them se unë dhe Pami e kemi kuptuar prej kohësh që, ashtu si në rastin tonë, Perëndinë nuk e kërkojnë vetëm të rriturit. Edhe të rinjtë e dëshirojnë atë «margaritar me vlerë të madhe»—madje edhe kur pjesëtarët e tjerë të familjes nuk shfaqin interes. (2 Mbret. 5:2, 3; 2 Kron. 34:1-3) S’ka diskutim se Jehovai është një Perëndi i dashur i cili dëshiron që të gjithë, fëmijë a të rritur qofshin, të fitojnë jetën!

Kur unë dhe Pami filluam të kërkonim Perëndinë më se 50 vite më parë, s’na e merrte mendja ku do të na çonte ai kërkim. E vërteta për Mbretërinë është pa dyshim një margaritar me vlerë të pallogaritshme! Jemi të vendosur të mos e lëshojmë e ta mbajmë fort këtë margaritar të çmuar!

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo