Prezantime që nxitin interesin
1 Duhet të tregojmë gjithmonë një interes të ngrohtë për ata që takojmë në shërbimin në fushë. Duke u kërkuar opinionin mbi disa gjëra, tregojmë se e respektojmë pikëpamjen e tyre. Argumenti që paraqesim dhe pyetjet që bëjmë mund ta nxitë mendjen e tyre dhe të ngjallë tek ata dëshirën për të ditur më shumë mbi Perëndinë dhe qëllimin e tij për njerëzimin.
2 Në nëntor do të tërheqim vëmendjen e personave ndaj së vërtetës mbi krijimin, duke ofruar librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? Merr kohë për të lexuar personalisht përmbajtjen e këtij botimi dhe zgjidh pika specifike për t’i nxjerrë në pah. Kur të trajtosh informacionet e librit Krijimi, hape dhe zgjatja pronarit të shtëpisë. Referoju ilustrimeve dhe argumenteve specifike. Ji entuziast kur tregon vlerën e këtij botimi që të bën për vete.
3 Pasi je prezantuar përzemërsisht, mund të thuash:
◼ «Në këtë botë moderne dhe shkencore, a është e arsyeshme të besosh në ekzistencën e një Perëndie që na ka krijuar ne dhe tokën e shkëlqyeshme mbi të cilën jetojmë? [Lëre të përgjigjet.] Kur konsiderojmë gjerësinë dhe mrekullitë e tokës dhe të tërë universit, mbetemi të mahnitur nga rregulli dhe projekti që zbulojnë. Vallë, a nuk provon kjo ekzistencën e një Krijuesi? Vërej arsyetimin që bën Bibla në lidhje me këtë. [Lexo Hebrenjve 3:4.] Logjikisht, çdo gjë duhet të ketë pasur një projektues dhe një ndërtues. [Merr librin Krijimi dhe hape në ilustrimin e faqes 114.] Madhështia e universit na lë me gojë hapur! A mendoni se ai ka mundur të prodhohet vetë?» Hape librin në faqen 122 dhe lexo diçiturën poshtë fotografisë së orës. Mund të përdoren edhe ilustrimi e shkrimi që ndodhen në faqen 127.
4 Mund të thuash edhe kështu:
◼ «Si mendoni, për ç’gjë ka nevojë njerëzimi për të gjetur paqe dhe lumturi të vërtetë mbi tokë? [Lëre të përgjigjet.] Bibla thotë se duhet t’i frikësohemi Perëndisë dhe ta njohim si Krijues të qiellit dhe të tokës.» Lexo Zbulesën 14:7 dhe pastaj hape librin Krijimi në faqet 140 dhe 141, duke lexuar nëse është e mundur, paragrafët 24 dhe 25 ku thuhet që toka është projektuar për të qenë e banuar nga njeriu. Nëse interesi i pronarit të shtëpisë këshillon që të vazhdojmë bisedën, hape librin në kapitullin 19 dhe shpjego se në ç’mënyrë një parajsë tokësore do të bëhet së shpejti realitet.
5 Nëse pronari i shtëpisë shpreh dyshime mbi ekzistencën e një Krijuesi, mund të thuash:
◼ «Shumë veta mendojnë si ju, veçanërisht për shkak të të gjitha vuajtjeve që janë sot në botë. Nëse ka një Perëndi, përse i lejon vuajtjet? A mendoni se ekziston ndonjë shpjegim i kënaqshëm?» Sipas përgjigjes mund të vazhdosh bisedën duke përdorur informacionet e kapitullit 16 të librit Krijimi. Nëse personi tregon pak interes, mund të kufizohesh duke nxjerrë në pah një ose dy pika nga artikujt e Kullave të Rojës të nëntorit.
6 Objektivi ynë nuk është që të nxitim vetëm interesin për mesazhin e Mbretërisë, por edhe të fillojmë studime biblike. Sa të lumtur jemi që kemi këtë libër plot me ilustrime i cili shpjegon të vërtetën mbi krijimin dhe nderon Krijuesin tonë të madh! Le ta përdorim sa më mirë atë për të nxitur interesin e personave të sinqertë që do të takojmë gjatë nëntorit.