Mësimi hyjnor ndikon në mënyrë të fuqishme
1 Sa të privilegjuar jemi, të marrim udhëzime nga Krijuesi ynë Hyjnor, Perëndia Jehova! (Psal. 50:1; Isa. 30:20b) Sot grumbuj njerëzish nga të gjitha kombet, vërshojnë në malin e tij të adhurimit të pastër, për t’u mësuar prej tij. (Mik. 4:2) Miliona të tjerë regjistrohen në shkollat që lartësojnë mendimin njerëzor dhe mençurinë botërore. Por, mençuria që nuk përfill Jehovain dhe Fjalën e tij të shkruar, është budallallëk në sytë e Perëndisë dhe ata udhëhiqen nga gjëra pa kuptim.—Psal. 14:1; 1. Kor. 1:25.
2 Verën e kaluar në kongresin krahinor, ne pamë të vetmen rrugë, fuqinë e mësimit hyjnor. Tema «Mësimi Hyjnor», përshkoi tërë programin. Ne mësuam se Fjala e Perëndisë me frymën e tij, na bashkon në një vëllazëri ndërkombëtare, i jep formë personalitetit tonë, na mbron nga mësimet e demonëve dhe na stërvit që të jemi shërbtorë sa më të mirë. A ke nxjerrë dobi personalisht nga mësimi hyjnor?
3 Ndikimi në jetën e krishterë: Mësimi hyjnor na ndihmon që t’i japim formë ndërgjegjes sonë. Çdo njeri ka lindur me ndërgjegje, por ajo duhet të jetë e stërvitur, me qëllimin që të na udhëheqë në rrugën e drejtësisë dhe në shërbimin që i pëlqen Jehovait. (Psal. 19:7, 8; Rom. 2:15) Njerëzit në botë, nuk e kanë formuar mendimin e tyre në përputhje me Fjalën e Perëndisë dhe për këtë arsye ata janë të turbullt dhe të pasigurt në lidhje me çfarë është e mirë dhe çfarë është e gabuar. Diskutojnë me zemërim mbi moralin dhe çështje etike, sepse ngulin këmbë të bëjnë atë që është e mirë në sytë e tyre. Pjesa më e madhe dëshiron një liri të plotë për të vendosur drejtimin e jetës së vet. Ata nuk pranojnë t’i kushtojnë vëmendje të vetmit burim të vërtetë të mençurisë. (Psal. 111:10; Jer. 8:9; Dan. 2:21) Por, mësimi hyjnor zgjidh çështje të tilla për ne dhe kështu, si shtëpi e Perëndisë qëndrojmë të bashkuar, sepse jemi të mësuar nga Ai. Ne e shikojmë me besim të ardhmen dhe me ndërgjegje të pastër, duke u mbajtur të zënë në kryerjen e shërbimit tonë.
4 Mësimi hyjnor na ndihmon, që t’i rezistojmë «çdo ere mësimi». (Efes. 4:14) Ne nuk jemi të dashuruar pas studimit të filozofisë, që i bën njerëzit skeptikë dhe të dhënë pas vogëlsirave, të pavarur dhe të udhëhequr nga morali i ulët. Ne gjejmë kënaqësi të mësohemi nga Jehovai dhe kështu shmangim brengën dhe hidhërimin që ka shumica. Ligjet dhe përkujtuesit e Jehovait janë si një fjalë pas nesh që na thotë: «Kjo është rruga. Ecni në të ju njerëz.»—Isa. 30:21.
5 Mbledhjet tona dhe shërbimi: Shikojmë Hebrenjve 10:23-25 që është një urdhër i Perëndisë. Në mbledhjet e kongregacionit ne mësojmë nga Jehovai. A e ke bërë shprehi që të jesh i pranishëm gjithmonë në mbledhje apo i sheh ato si diçka me pak rëndësi? Kujto, se të mbledhurit së bashku është pjesë e adhurimit tonë. Nuk duhet ta konsiderojmë fakultativ. Nuk duhet të gabojmë dhe të humbasim ndonjë pjesë nga programi i ushqimit frymor që Jehovai ka përgatitur për ne.
6 Moisiu iu lut Perëndisë: «Na trego si t’i numërojmë ditët tona, në mënyrë që të mund të sjellim mençuri në zemër.» (Psal. 90:12) A lutemi dhe ne kështu? A e vlerësojmë çdo ditë të çmueshme? Në qoftë se e bëjmë këtë, atëherë do të «sjellim mençuri në zemër», për të kaluar çdo ditë në mënyrë që të vlejë për lavdinë e Mësuesit tonë të Madh, Perëndisë Jehova. Mësimi hyjnor do të na ndihmojë ta bëjmë këtë.