BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 2/94 f. 3-6
  • Të rinj, gëzojani zemrën Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të rinj, gëzojani zemrën Jehovait
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—1994
  • Material i ngjashëm
  • Feja—Zgjedhja ime apo e prindërve?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Të rinj, a jeni të përqendruar në synime që kënaqin Jehovain?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2018
  • Të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Të rinj: Rritni dëshirën për t’i shërbyer Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—1994
km 2/94 f. 3-6

Të rinj, gëzojani zemrën Jehovait

1 Kur përdoren mirë forcat dhe energjitë e rinisë, jeta mund të jetë me të vërtetë e kënaqshme. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jota në ditët e rinisë sate.» (Eklis. 11:9, Dio) Megjithatë, ti i ri duhet të kujtosh se duhet t’i japësh llogari Perëndisë për veprat e tua.

2 Mënyra se si e jeton jetën nuk ndikon vetëm tek ti. Për shembull, ajo ndikon edhe tek prindërit e tu. Proverbat 10:1 pohon: «Një fëmijë i urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënës së vet», (Dio). Por gjëja më e rëndësishme, mënyra se si e jeton ti jetën, ndikon mbi Krijuesin tënd, Perëndinë Jehova. Në Proverbat 27:11, Jehovai u jep gjithashtu këtë inkurajim të rinjve: «Biri im, ji i mençur dhe gëzoma zemrën, që të mund t’i përgjigjem atij që më sfidon me përbuzje», (BR). Ti i ri, si mund ta gëzosh sot zemrën e Jehovait? Duke dhënë një kontribut domethënës në të gjitha aspektet frymore të kongregacionit. Kjo mund të bëhet në shumë mënyra.

3 Duke dhënë shembullin e duhur: Edhe ti i ri përballon «kohët e vështira» të parathëna në Bibël për të gjithë njerëzimin. (2. Tim. 3:1) Ti gjithashtu mund të jesh objekt presionesh nga shokët e shkollës që nuk besojnë dhe nga mësuesit që mund të qeshin me pikëpamjet e tua të bazuara në Bibël. Për shembull, mësuesi i një të reje lajmëtare paraqiti teorinë e evolucionit si një fakt dhe Biblën si mit. Por, lajmëtarja e mbrojti me besnikëri Biblën. Si rezultat, ajo mundi të fillonte disa studime biblike. Disa prej atyre që treguan interes filluan të vijnë në mbledhje. Vëllezër dhe motra të reja, besimi juaj dënon këtë botë të pashpirt dhe tërheq personat e sinqertë nga e vërteta.—Hebr. 11:17.

4 Duke dhënë një shembull të mirë në shkollë, në shtëpi dhe në kongregacion, ti mund të forcosh besimin e vëllezërve të rinj dhe motrave të reja. A mund të jesh një burim inkurajimi për bashkëmoshatarët e tu në kongregacion, në mënyrë që ata të mos bien në atë që është e keqe? (Rom. 1:12) Sa i gëzohet zemra Jehovait kur ti jep një shembull që inkurajon të tjerët për të qenë besnikë ndaj tij!

5 Veshja dhe stolisja: Një motër e re të cilën e ngacmonin dhe e përqeshnin, sepse veshja e saj ishte modeste, madje e kishin quajtur «të paprekshme», nuk u frikësua dhe nuk u përshtat me normat jo hyjnore të kësaj bote. Menjëherë, ajo shpjegoi se ishte një Dëshmitare e Jehovait dhe se ndiqte këto norma të larta. A ke ti një forcë të tillë si kjo motër, apo lejon që bota e Satanait të të ndryshojë sipas mënyrës së saj të të menduarit dhe të të vepruarit? Ç’kënaqësi është të shohësh shumë nga ju të rinj t’u kushtoni vëmendje mësimeve të Jehovait dhe të hidhni tej tekat, idhujt dhe mësimet e botës e të sunduesve të saj, demonëve!—1. Tim. 4:1.

6 Zgjedhja e zbavitjes dhe e dëfrimit: Prindërit duhet të mbajnë në mendje nevojën për të ndihmuar fëmijët e tyre që të zgjedhin me mençuri llojin e drejtë të zbavitjes dhe dëfrimit. Një vëlla foli mbi një familje të mirë për të cilën ai kishte një dashuri shumë të madhe. Pjesëtarët e saj ishin me mendje frymore dhe prindërit udhëhiqnin zbavitjet familjare. Vëllai vërejti: «Unë i admiroj ata sepse i bëjnë gjërat së bashku si familje. Prindërit nuk i ndihmojnë fëmijët e tyre vetëm që të përgatiten për shërbim, por kur është koha për të dëfryer ndihmojnë familjen për ta bërë këtë. Ata bëjnë eskursione, vizitojnë muzeume ose thjesht rrinë në shtëpi dhe luajnë apo kryejnë ndonjë projekt familjar. Mënyra se si e tregojnë dashurinë për njëri-tjetrin dhe për të tjerët i bën ata që të kenë besim se do të ecin në të vërtetën edhe në të ardhmen, çfarëdo që të ndodhë.»

7 Natyrisht, nuk mund të marrë pjesë gjithmonë e tërë familja në zbavitje dhe dëfrim. Ti i ri duhet të jesh i vetëdijshëm për seriozitetin e zgjedhjes së kohës së lirë. Satanai është i vendosur që të çojë në rrugë të gabuar sa më shumë që të jetë e mundur. Të rinjtë dhe ata pa përvojë janë veçanërisht të dobët ndaj veprave të tij dinake dhe bindjeve mashtruese. (2. Kor. 11:3; Efes. 6:11) Kështu që sot, Satanai përdor lloj-lloj mënyrash për të të shtyrë që të ndjekësh një jetë në kërkim të kënaqësive egoiste dhe padrejtësive.

8 Televizori është një mjeshtër i joshjes që të nxit drejt një stili jetese materialiste dhe imorale. Filmat dhe videokasetat japin rregullisht skena të hapura me dhunë dhe seks. Muzika aktuale bëhet gjithnjë e më shumë degraduese dhe e turpshme. Joshjet e Satanait mund të duken të pafajshme, por ato kanë zënë në grackë me mijëra të rinj të krishterë duke i shtyrë në mendime dhe vepra të gabuara. Për t’u rezistuar këtyre presioneve duhet të ndjekësh fortësisht drejtësinë. (2. Tim. 2:22) Nëse ka nevojë për ndonjë përmirësim në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit në lidhje me zbavitjet dhe dëfrimet, si mund të bëhet kjo? Psalmisti na jep këtë përgjigje: «Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.»—Psal. 119:10, Dio.

9 Idhujtarizmi i yjeve të sportit dhe të shfaqjeve është i zakonshëm. Frika ndaj Jehovait do të të mbajë që të mos idhujtarizosh njerëzit e papërsosur. Gjithashtu, sot, shumë persona idhujtarizojnë imoralitetin seksual. Mund të mbrohesh nga këto prirje duke shmangur pornografinë dhe muzikën korruptuese. Në lidhje me muzikën Kulla e Rojës së 1 shtatorit 1993 thoshte: «Muzika është një dhuratë hyjnore. Por për shumë veta ajo bëhet një shqetësim i dëmshëm. . . . Vëri synim vetes që ta mbash muzikën në vendin e saj dhe që aktiviteteve të Jehovait t’u japësh rëndësinë kryesore. Ji seleksionues dhe i kujdesshëm me muzikën që zgjedh. Kështu do të kesh mundësi që ta përdorësh—jo ta shpërdorosh—këtë dhuratë hyjnore.»

10 Kultivo një urrejtje të plotë për atë që është e keqe. (Psal. 97:10) Kur je i tunduar për të bërë keq mendo se si e shikon Jehovai këtë gjë dhe konsidero pasojat: shtatzani të padëshiruara, sëmundje të transmetuara në mënyrë seksuale, shqetësime të forta emocionale, humbje të respektit për vetveten dhe humbje të privilegjeve në kongregacion. Mos qëndro përballë ndikimit të programeve televizive, filmave, videokasetave, këngëve apo bisedave që inkurajojnë ligësinë. Mos u shoqëro me ata që Bibla i përcakton si «budallenj». (Prov. 13:19, Dio) Ji seleksionues; zgjidh për shoqëri të ngushtë ata pjesëtarë të kongregacionit që e duan Jehovain dhe normat e tij të drejta.

11 Po, të rinjtë që me të vërtetë duan t’ia gëzojnë zemrën Jehovait do t’i vënë veshin këshillës së mirë që gjendet në Efesianëve 5:15, 16: «Vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si të urtë, të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija.» (DSF) Çfarë do të të ndihmojë që të «vëresh me kujdes» përparimin tënd në këto kohë të fundit?

12 Duke u kujdesur për nevojat frymore: Në Mateun 5:3, Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojat e tyre frymore.» (BR) Edhe ti mund të jesh i lumtur duke qenë i vetëdijshëm për nevojat e tua frymore. Përmbushja e kësaj nevoje, përfshin pjesëmarrjen me zell në predikimin e lajmit të mirë, sepse kjo ndërton besimin tonë në gjërat që mësojmë.—Rom. 10:17.

13 Nga përvoja personale ti e di se nuk është gjithmonë e thjeshtë të marrësh pjesë rregullisht në shërbim. Në pjesën më të madhe kjo ndodh për shkak të besimit të pakët. Prandaj nevojitet një vendosmëri e madhe nga ana jote. Duke marrë pjesë rregullisht në shërbim do të rritësh shkathtësitë në dhënien e dëshmisë dhe do të shtosh besimin në aftësinë tënde për të predikuar.

14 Bëj përgatitje për të punuar me lajmëtarët me më shumë përvojë të kongregacionit, siç janë pionierët e rregullt dhe pleqtë. Dëgjo me kujdes prezantimet e tyre dhe se si i kalojnë kundërshtimet nëpër porta. Bëj një përdorim të mirë të sugjerimeve të paraqitura në Shërbimi ynë i Mbretërisë. Shumë shpejt do të nxjerrësh gëzim akoma më të madh nga shërbimi, sepse po i jep Jehovait më të mirën tënde.—Veprat 20:35.

15 Disa kanë qenë të shkathët të shfrytëzojnë rastet për të dhënë dëshmi në shkollë dhe kanë pasur sukses në bërjen e dishepujve. (Mat. 28:19, 20) Një i ri i krishterë tha: «Në klasë, gjatë kohës së lirë kisha shumë raste për të dhënë dëshmi, veçanërisht kur afroheshin ditët e festave botërore. Lija botime biblike mbi bankën time ku të tjerët mund t’i shihnin, kështu shumë nxënës të cilëve u interesonte afroheshin tek unë.» Si përfundim, një numër nxënësish dhe mësuesish filluan të frekuentonin mbledhjet e krishtere. Në fakt, një mësuese përparoi derisa u bë një Dëshmitare e dedikuar. Jehovai gëzohet shumë kur adhurues të rinj si ti i sjellin lavdi emrit të tij.

16 Një mënyrë tjetër për të plotësuar nevojat tuaja frymore është studimi personal. Për t’ia gëzuar zemrën Jehovait, ne duhet të fitojmë njohuri mbi të, qëllimet e tij dhe mbi atë se çfarë kërkon prej nesh. A rezervon kohë për studimin personal? A studion rregullisht ashtu si merr kohë për të ngrënë rregullisht? (Gjoni 17:3) A ke një program personal për të lexuar Biblën përveç programit të leximit të Biblës për Shkollën e Shërbimit Teokratik? A përgatitesh mirë për të gjitha mbledhjet? A e lexon rregullisht Kullën e Rojës?

17 Kur lexon Biblën dhe botimet e studimeve biblike teokratike, ato të flasin për Jehovain, mendimet dhe qëllimet e tij. Mendo se si mund të jenë të dobishme për ty këto informacione. Lidhe atë që po lexon me atë që ke lexuar më parë. Kjo do të thotë meditim. Gjithashtu, meditimi bën që informacionet të arrijnë në zemër dhe të të nxitin.—Psal. 77:12.

18 Ne gëzohemi kur shohim të rinj të vetëdijshëm për nevojat e tyre frymore që ndjekin mbledhjet e kongregacionit. Të rinjtë e krishterë mund të inkurajojnë të tjerët duke bërë komente domethënëse gjatë mbledhjes. Vër synim që të bësh të paktën një koment në çdo mbledhje. Kultivo marrëdhënie të ngrohta me persona të të gjitha grup-moshave në kongregacion duke qëndruar me ta para dhe pas mbledhjeve për të ndërtuar njëri-tjetrin. (Hebr. 10:24, 25) Një vëlla i ri tha se prindërit e inkurajonin që të bisedonte në çdo mbledhje të paktën me një vëlla ose motër të moshuar. Sot, ai vlerëson përvojën që ka fituar duke qëndruar në shoqëri me pjesëtarët më të moshuar të kongregacionit.

19 Vër synime frymore: Është për të ardhur keq që shumë të rinj nuk kanë asnjë drejtim dhe qëllim në jetë. Pra, a nuk është bukur të provosh atë kënaqësi që vjen kur vë synime teokratike dhe ia arrin qëllimit që t’i plotësosh? Këto synime, të vëna në harmoni me edukimin e shkëlqyer hyjnor, na japin kënaqësi tani dhe së fundi do të na udhëheqin në shpëtimin e përhershëm.—Eklis. 12:1, 13.

20 Kur të vësh synime, bëje atë objekt të lutjes. Fol me prindërit e tu dhe me pleqtë. Shqyrto vetveten dhe aftësitë e tua dhe vendos synime praktike sipas asaj që je në gjendje të bësh dhe jo duke u krahasuar me ndonjë tjetër. Çdo njeri është i ndryshëm nga një tjetër nga aspekti fizik, mendor, emocional dhe frymor. Prandaj nuk duhet të presësh që të kesh sukses në gjithçka që bëjnë të tjerët.

21 Cilat janë disa nga synimet që mund të arrish? Nëse ti nuk je një lajmëtar apo nuk je i pagëzuar, përse nuk i bën këto, synimet e tua? Nëse je lajmëtar, mund të vësh si synim që të dedikosh një sasi të caktuar kohe në shërbim çdo javë. Puno që të bëhesh një mësues i zoti në rivizita dhe syno që të drejtosh një studim biblik. Nëse je një i ri i pagëzuar që shkon në shkollë, bëj synim që të shërbesh si pionier ndihmës gjatë muajve të verës. Ka «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».—1. Kor. 15:58, BR.

22 Ndihma e prindërve është thelbësore: Të rinjtë në kongregacion nuk duhet të mendojnë kurrë se janë të vetëm në kërkim për të pasur jetën. Jehovai me anë të organizatës së tij ka siguruar shumë mjete për të ndihmuar të rinjtë që të marrin vendimet e përditshme dhe për të kaluar pengesat që hasin në jetë. Natyrisht, prindërit e dedikuar kanë përgjegjësinë primare për të ndihmuar fëmijët e tyre në marrjen e vendimeve të duhura. Në 1. Korintasve 11:3, Bibla cakton burrin si kryefamiljar. Prandaj, në një familje të krishterë, babai, me një grua që bashkëpunon ngushtë me të, merr drejtimin për t’u mësuar fëmijëve urdhërimet e Perëndisë. (Efes. 6:4) Kjo bëhet me anë të një stërvitjeje të vetëdijshme që fillon në foshnjëri. Meqë në vitin e parë të jetës truri i trefishon përmasat e veta, prindërit nuk duhet ta nënvlerësojnë kurrë aftësinë e foshnjave të tyre për të mësuar. (2. Tim. 3:15) Duke u rritur fëmija, prindërit duhet t’i mësojnë në mënyrë progresive ata, që ta duan Jehovain dhe të kultivojnë një marrëdhënie të mirë me të.

23 Një shembull i mirë nga ana e prindërve është fillimi më i mirë që mund të ekzistojë. Për të ndihmuar frymësisht fëmijët e tu kjo është shumë më e mirë se sa t’u thuash shumë herë atë që duhet dhe nuk duhet bërë. Të japësh shembullin e duhur si prind përfshin shfaqjen e frytit të frymës në shtëpi ndaj bashkëshortit(es) dhe ndaj fëmijëve. (Gal. 5:22, 23) Shumë veta kanë parë nga përvoja se fryma e Perëndisë është një fuqi që ndikon për mirë. Ajo mund të të ndihmojë për t’i dhënë formë mendjes dhe zemrës së fëmijëve tuaj.

24 Prindërit, gjithashtu duhet të japin një shembull të mirë në bërjen shprehi të studimit personal, në frekuentimin e mbledhjeve dhe në pjesëmarrjen e rregullt në shërbimin në fushë. Nëse ti flet me entuziazëm mbi të vërtetën në shtëpi, merr me zell drejtimin në shërbim dhe je pozitiv në studimin personal, fëmijët e tu do të jenë të inkurajuar që të interesohen sinqerisht për gjërat frymore.

25 Një studim biblik familjar i rregullt dhe domethënës, kur përgatitet me kujdes, mund të jetë interesant dhe i pëlqyeshëm, një rast që siguron të provohet një ndjenjë uniteti familjar. Gjej kohën për të prekur zemrën e fëmijëve. (Prov. 23:15) Megjithëse shumë familje e përdorin këtë rast për t’u përgatitur për studimin e Kullës së Rojës, herë pas here mund të jetë inkurajuese të konsiderohet një nevojë e veçantë e familjes. Të bësh pyetje për të njohur pikëpamjen e çdo pjesëtari të familjes dhe të dëgjosh komentet e tyre do të ishte sqaruese dhe çlodhëse. Për kryefamiljarin, drejtimi i një studimi të dobishëm për çdo pjesëtar të familjes, është një sfidë e vërtetë. Po çfarë shpërblimi është kur të gjithë rriten frymësisht! Duke i përfshirë të gjithë në këtë, do të mbizotërojë një frymë gëzimi.

26 Një stërvitje e specializuar e dhënë me dashuri tani ka një rëndësi jetësore për shpëtimin e pasardhësve tuaj. (Prov. 22:6) Duke menduar, mund të kuptosh se ky mund të jetë mësimi më i rëndësishëm që mund të jepet ndonjëherë. Mos mendo kurrë se je i vetëm në kryerjen e kësaj detyre të veçantë dhe të rëndësishme. Mëso të besosh plotësisht në Jehovain për të pasur udhëheqje në kryerjen e përgjegjësive të tua familjare. Por kjo nuk është gjithçka. Janë edhe të tjerë që mund të të japin një ndihmë të vlefshme.

27 Çfarë ndihme mund të japin të tjerët: Pleq të kongregacionit, jini të gatshëm që të përfshini të rinjtë në veprimtaritë e Sallës së Mbretërisë. Mund t’i ftoni ata që së bashku me prindërit e tyre të marrin pjesë në pastrimin e Sallës së Mbretërisë, radhitjen e karrigeve, të ndihmojnë në vënien në vend të pajisjeve të akustikës dhe të shpërndajnë fletushkat Shërbimi ynë i Mbretërisë si dhe fletët për caktimin e fjalimeve në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Inkurajojimi fëmijët më të vegjël që të marrin pjesë në mbledhje. Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës kur zhvillojnë pjesë në mbledhjet e shërbimit duhet të shikojnë fëmijët e vegjël që kanë ngritur dorën. Përpiqu të gjesh raste për të përdorur të rinjtë në demonstrime me prindërit e tyre si dhe në intervista ku mund të bëjnë komente të shkurtra, ndoshta një apo dy fjalë.

28 Mos i lër pa konsideruar përpjekjet e tyre. Të rinjtë kanë provuar se janë një pasuri e vërtetë për kongregacionin. Me shembullin e tyre të shkëlqyer shumë veta «e zbukurojnë mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë». (Titit 2:6-10, BR) Ji i vetëdijshëm mbi nevojën për të lavdëruar të rinjtë që marrin pjesë edhe në gjërat e vogla. Kjo i inkurajon ata që të përgatiten e të kenë këtë dëshirë edhe në të ardhmen. Një interes i tillë ka një vlerë të paçmuar. Ti plak i kongregacionit apo shërbëtor ndihmës, kur ka qenë hera e fundit që ke afruar një pjesëtar të ri të kongregacionit që ta lavdërosh për një fjalim apo prezantim në mbledhje?

29 Pionier, si mund të ndihmosh edhe ti? Përse nuk rishikon programin tënd për të parë nëse mund të përfshish në rregullin tënd të shërbimit të pasdites apo në fundjavë të rinjtë që shkojnë në shkollë? A po flet në mënyrë pozitive mbi zgjedhjen tënde të shërbimit të plotë kohor? A tregon shprehja jote e fytyrës se provon gëzim në shërbimin tënd? A je i gatshëm për t’ia këshilluar këtë shërbim edhe të tjerëve, veçanërisht të rinjve? Kur shkon nga shtëpia në shtëpi, a flet në mënyrë ndërtuese dhe pozitive? Nëse është kështu, atëherë edhe ti si pionier po merr pjesë në këtë veprimtari kaq të rëndësishme stërvitjeje.

30 Të gjithë në kongregacion duhet të jenë shumë të dhënë pas kësaj vepre të rëndësishme të stërvitjes së të rinjve. A mund të lësh takime të sakta për të dalë me ta në shërbimin në fushë? A mund të praktikosh me ta një prezantim për ta përdorur nga dera në derë? Kur je në shërbim me ta, a je i gatshëm të shfrytëzosh rastet për t’i inkurajuar të rritin veprimtaritë frymore në të ardhmen? Çdo lajmëtar duhet të ketë parasysh se edhe një koment i vogël mund të prodhojë mendime pozitive për të vënë synime frymore jetëgjate, për dobinë e përhershme të të rinjve.

31 Të rinjtë mund të ndihmojnë vetveten: Të rinj, ne inkurajojmë që secili prej jush t’i vërë veshin mësimeve të Jehovait dhe të hedhë tej atë që ofron bota. Vazhdo të provosh veten duke shqyrtuar sjelljen tënde dhe ndjenjat e tua intime. Si e konsideron atë që Jehovai pret nga ti që të bësh në jetën e përditshme? A po mbahesh në luftën e fortë kundër ndikimit të ideve të Satanait? Meqë njerëzit dhe në veçanti të rinjtë, dëshirojnë në mënyrë natyrale aprovimin e moshatarëve të tyre, a ndien kënaqësi që të ndjekësh shumicën në rrugën e së keqes? Apostulli Pavël e kuptoi se çfarë shtypje e madhe ushtrohej për t’u përputhur me rrugët e botës, siç u shpreh në Romakëve 7:21-23.

32 Duhet kurajo për t’u rezistuar ndikimeve të botës, për të marrë një rrugë të ndryshme nga ajo e moshatarëve botërorë dhe për t’i vënë veshin mësimeve të Perëndisë. Njerëz të kohërave antike patën sukses. Konsidero kurajon e Noesë. Ai me anë të besimit të tij dënoi tërë botën dhe u mbajt i ndarë nga njerëzit e ligj të kohës së tij. (Hebr. 11:7) Angazhohu në një luftë të ashpër sepse ia vlen. Mos imito të dobëtit, të ligshtët, frikacakët të cilët ndjekin turmën e Satanait. Përkundrazi, kërko të shoqërohesh me ata që gjejnë favor në sytë e Jehovait. (Filip. 3:17) Ji i rrethuar nga një shoqëri që marshon sup më sup me ty drejt botës së re të premtuar të Perëndisë. Mbaj në mend se ka vetëm një zgjedhje që të çon në jetën e përhershme.—Mat. 7:13, 14.

33 Nëse ne gjejmë gëzim duke parë të rinjtë që i sjellin lavdi dhe nder Perëndisë tonë, sa shumë gëzim duhet t’i sjellë Atij! Nuk ka dyshim që Jehovai gjen kënaqësi kur sheh të rinj që marrin pjesë plotësisht në shpalljen e qëllimeve të tij të mëdha. Ata janë «një trashëgimi» prej tij dhe ai u do vetëm të mirën atyre. (Psal. 127:3-5; 128:3-6) Duke pasqyruar interesin e Atit të tij, Jezu Krishti provoi gëzim të madh kur shoqërohej me të rinjtë dhe ai merrte kohë për t’i inkurajuar që të adhuronin Jehovain. Ai kishte një dashuri të madhe për ta. (Marku 9:36, 37; 10:13-16) A i konsiderojmë edhe ne të rinjtë tanë në të njëjtën mënyrë si Jehovai dhe Jezu Krishti? Të rinjtë tanë, a janë të vetëdijshëm mbi atë se si Jehovai dhe engjëjt e tij e konsiderojnë besnikërinë dhe shembullin e mirë të tyre? Ata duhet të lavdërohen dhe inkurajohen për të bërë të gëzuar Jehovain duke kultivuar synime frymore. Të rinj, kjo meriton të gjitha përpjekjet tuaja dhe do t’ju sjellë bekime tani dhe në të ardhmen!

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo