Të mbajmë një qëndrim pozitiv
1 Na rrëqethet trupi kur lexojmë mbi rritjen e mrekullueshme që po ndodh në shumë vende. Megjithatë, ne kuptojmë se në disa vende lajmëtarët e Mbretërisë hasin shpesh apati, indiferencë apo kundërshtim të hapur në veprën e predikimit. Si mund të mbajmë një qëndrim pozitiv nëse kjo ndodh në territorin tonë? Si mund të shmangim një qëndrim negativ, i cili mund të grabitë gëzimin tonë ose mund të mbytë zellin tonë për veprën e bërjes së dishepujve?
2 Një qëndrim pozitiv do të na ndihmojë për të mbajtur drejtpeshimin tonë. Madje edhe në situata të vështira, nuk duhet të lejojmë që mendimet negative të sundojnë pamjen tonë. Jezui vendosi një shembull të përsosur për ne. Relativisht pak njerëz pranuan atë që ai mësoi. Shumë u penguan në mësimin e tij. Ai ballafaqoi situata që e vunë në një provë të rëndë qëndrueshmërinë e tij. Krerët fetarë ia kritikuan punën dhe thurën komplot për ta vrarë. E pështynë, e qëlluan, e përqeshën, e rrahën dhe së fundi e vranë. Megjithatë, ai gjeti gëzim në veprën që po bënte. Përse? Ai e njihte rëndësinë e kryerjes së vullnetit të Perëndisë dhe nuk u dorëzua.—Gjoni 4:34; 13:17; Hebr. 12:2.
3 Të mbajmë një pamje të përshtatshme të shërbimit tonë: Për të bërë këtë, ne duhet të mbajmë në mendje disa faktorë. Mos harro se kemi një mesazh që shumë njerëz nuk e përfillin apo e kundërshtojnë. (Mat. 13:14, 15) Megjithëse apostujt ishin të urdhëruar zyrtarisht që të ndalonin mësimin në bazë të emrit të Jezuit, ata mbetën besnikë në detyrën e tyre për të predikuar dhe kjo dha fryte. (Vep. 5:28, 29; 6:7) Ne e dimë që më parë, se në disa territore vetëm pak njerëz do të dëgjojnë. (Mat. 7:14) Kështu, ne kemi arsye për t’u gëzuar nëse edhe vetëm një person në territorin tonë dëgjon mesazhin. Gjithashtu, mos harro se cilitdo prej atyre që kundërshtojnë, duhet t’u jepet një mundësi për të dëgjuar. (Ezek. 33:8) Si përfundim, disa kundërshtarë ndryshojnë dhe bëhen adhurues të Jehovait. Atëherë, kur kemi një pamje të përshtatshme, shërbimi ynë na sjell një ndjenjë kënaqësie, edhe pse vetëm një pakicë dëgjon. Prania jonë e shpeshtë në dyer me mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë është një dëshmi.—Ezek. 2:4, 5.
4 Pasi u gëzuam në kongresin krahinor «Frikë Perëndie», ne kemi arsye të mira për të pasur një pamje pozitive. Lulëzimi i veprës ndërkombëtare dhe rritja e dukshmërisë së afrimit të mjerimit të madh, duhet të na nxitin të gjithëve për të bërë çdo gjë të mundur në shërbim me devotshmëri hyjnore. (2. Pjet. 3:11, 14) Veprimtaria e zellshme gjatë gushtit, duhet të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të treguar çmueshmërinë tonë për atë çka kemi mësuar. Gjithashtu, duam që personat e rinj të shoqëruar me ne, të tregojnë një qëndrim pozitiv në lidhje me përdorimin e asaj që po mësojnë. Nëse disa nga studentët tanë të Biblës kanë përparuar deri në atë pikë sa të jenë gati për t’u bërë lajmëtarë të papagëzuar, muaji gusht mund të jetë një kohë e shkëlqyer për të filluar këtë.
5 Sido që shërbejmë, si lajmëtarë apo si pionierë, të gjithë do të jemi të ndihmuar nëse mbajmë në mendje se ajo që Jehovai kërkon prej nesh nuk është e rëndë. (1. Gjon. 5:3) Ai na ka premtuar mbështetjen e tij. (Hebr. 13:5b, 6) Krahas indiferencës, apatisë apo kundërshtimit, ne duhet të jemi pozitivë dhe të vazhdojmë në predikim, sepse vullneti i Perëndisë është që ne të veprojmë kështu.—1. Tim. 2:3, 4.