Të tregojmë çmueshmëri për shtëpinë e Perëndisë
1 Në kohërat biblike, Jehovai e urdhëroi popullin e vet që të mblidhej rregullisht në shtëpinë e tij. (Lev. 23:2) Këto grumbullime i ndihmonin ata që të mbanin në mendjen e tyre fjalën e Perëndisë, duke siguruar kohë për meditim, shoqëri dhe diskutim mbi Ligjin e Jehovait. Mendjet e tyre mbusheshin plot me mendimet e Jehovait, gjë që sillte bekime të pasura frymore. Këto ishin me të vërtetë raste të lumtura. Organizimi nxiste unitetin dhe adhurimin e pastër. Grumbullimet në shtëpinë e Perëndisë sot nuk janë më pak të rëndësishme.
2 Si mund të tregojmë çmueshmëri për mbledhjet? Disa kongregacione raportojnë ulje të pjesëmarrjes në mbledhje. Me raste, rrethanat mund ta pengojnë një person për të marrë pjesë në një mbledhje. Por a ke lejuar që probleme relativisht të vogla të bien ndesh me pjesëmarrjen e rregullt në mbledhje? Disa mund të vendosin të rrinë në shtëpi nëse kanë një dhimbje koke të lehtë, apo ndihen të të lodhur pas një dite të zënë me punë. Të tjerë mund të ndihen të detyruar të presin të afërmit e tyre jobesimtarë të cilët duan të bëjnë një vizitë. Gjithashtu, disa kanë munguar në mbledhje për të parë një program televizori që ata preferojnë apo ndonjë ngjarje sportive. Shkalla e çmueshmërisë së treguar në këto situata, duket qartë se nuk është e barabartë me dëshirën e përzemërt të shprehur nga kënga e Korës: «Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit.»—Psal. 84:2, Dio.
3 Edhe pse në mbledhje është siguruar ushqim frymor me bollëk, disa e kanë të vështirë të kushtojnë vëmendje. Ata mund të shohin ëndrra me sy hapur, duke menduar mbi shqetësimet e ditës, apo edhe të dremisin. Shumë veta kanë parë se marrja e shënimeve të shkurtra i ka ndihmuar që të rrinë zgjuar dhe të përqendruar në atë që thuhet. Gjithashtu, duke i shkruar gjërat informacioni mbetet në mendje. Më tej, përgatitja paraprake na ndihmon për të nxjerrë plotësisht dobi. Nëse përgatitemi mirë, do të jemi në gjendje «të kushtojmë vëmendje më shumë se zakonisht».—Hebr. 2:1, BR.
4 Fëmijët si edhe të rriturit kanë nevojë të thithin informacionin e siguruar në mbledhje. Ajo që do të mësojnë fëmijët do të jetë shumë e kufizuar nëse prindërit u sigurojnë lodra ose fletore për të vizatuar që t’i mbajnë ata të zënë dhe të qetë. Kur fëmijët lejohen që të luajnë, të flasin, të qajnë apo të bëjnë gjëra të tjera që shqetësojnë ata që janë ulur afër, mungon disiplina e duhur. Vajtje-ardhjet e vazhdueshme dhe të panevojshme në banjo apo te çezma gjatë mbledhjes, zakonisht pakësohen kur fëmija e di se një nga prindërit e tij do ta shoqërojë gjithmonë atë.
5 Përpikmëria është e rëndësishme: Me raste, rrethanat e pashmangshme mund të na pengojnë që të arrijmë në kohë në një mbledhje, por kur e kemi bërë shprehi që të mbërrijmë vonë pas hapjes me këngë dhe me lutje kjo tregon një mungesë respekti për qëllimin e shenjtë të mbledhjeve dhe për përgjegjësinë tonë për të mos shqetësuar të tjerët. Mos harro se të kënduarit dhe të luturit me vëllezërit tanë në mbledhjet e kongregacionit është pjesë e adhurimit tonë. Shprehija e të ardhurit me vonesë është zakonisht rezultat i një organizimi të keq, apo i një mosplanifikimi paraprak. Duke qenë të përpiktë, tregojmë se i respektojmë dhe i çmojmë mbledhjet tona.
6 Meqë dita e fundit po afrohet vazhdimisht, nevoja për t’u mbledhur së bashku vetëm më e madhe mund të bëhet. (Hebr. 10:24, 25) Le të tregojmë çmueshmërinë tonë me pjesëmarrjen e rregullt, përgatitjen paraprake, përpikmërinë, përqendrimin e vëmendjes dhe pastaj zbatimin e asaj që mësojmë.