Shërbimi në Bethel—Nevojiten më shumë vullnetarë
1 Jemi të emocionuar kur shohim veprën e madhe që po kryen Jehovai në këto ditë të fundit. Psalmi 110:3 tregon se gjatë kësaj kohe një cilësi e jashtëzakonshme e popullit të Perëndisë do të ishte gatishmëria e tij për të marrë pjesë aktivisht në shërbimin e Mbretërisë. Përreth tokës, populli i Jehovait po shpenzohet për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. Libri Lajmëtarët në faqen 295 thotë: «Disa shërbejnë si pjesëtarë të familjes ndërkombëtare të Bethelit. Kjo është një skuadër shërbëtorësh të plotë kohor që janë ofruar vullnetarisht për të bërë çdo gjë që u është caktuar në përgatitjen dhe botimin e literaturës biblike, në kujdesjen për punën e nevojshme të zyrës dhe në shërbimin e mbështetjes për këto punë. Me këtë punë këta nuk fitojnë as ndonjë pozitë speciale, as të mira materiale. Dëshira e tyre është që të nderojnë Jehovain dhe kënaqen me ushqimin, strehimin dhe një shpërblim modest për shpenzimet personale.» Nëse ke vizituar Bethelin, tashmë mund të kuptosh deri në njëfarë mase se çfarë pune bëhet atje. Megjithatë, duam t’ju japim informacionet e mëtejshme për të rritur çmueshmërinë tuaj për këtë privilegj unik shërbimi, si dhe që të keni parasysh nevojat e Shoqatës.
2 Për të kuptuar më mirë domethënien e shërbimit të Bethelit dhe trashëgimin e tij të pasur, le të rishikojmë pak histori nga koha e lashtë dhe pak nga ajo moderne për organizatën e Jehovait. Për afro 19 vjet, Shoqata Watch Tower e kishte selinë e saj qendrore në një ndërtesë prej katër katesh në rrugën Arç numër 56-60, Alegeni, Pensilvani. Ajo quhej Shtëpia e Biblës. Megjithatë, që nga 1908, familja e Shtëpisë së Biblës ose skuadra e selisë qendrore të Shoqatës ishte rritur në mbi 30 pjesëtarë. Ja, erdhi koha për zgjerim. Pasi kërkuan udhëheqjen hyjnore, vëllezërit vendosën që qendra më e përshtatshme për punën të ishte në Bruklin. Kështu që u ble një ndërtesë në rrugën Hiks, numër 13-17, për t’u kthyer në zyra dhe auditor për Shoqatën. Këto zyra u hapën më 31 janar 1909, por në këtë shtëpi nuk kishte vende për fjetje. Fillimisht u mendua që të merreshin me qira disa banesa. Megjithatë, asnjë banesë në Bruklin Hajts nuk jepej me qira. Përfundimisht, për habinë dhe gëzimin e tyre, vëllezërit mundën të blinin «badihava» një ndërtesë katërkatëshe me gurë ngjyrë kafe në 124 Kolumbia Hajts, ish-rezidenca e Henri Uard Biçër. Gjithashtu, u bë e mundur edhe blerja e shtëpisë 126 Kolumbia Hajts. Kulla e Rojës e 1 marsit 1909 njoftoi me gëzim: «Shtëpinë e re do ta quajmë Bethel», duke zëvendësuar termin «Shtëpia e Biblës» që përdorej në Pitsburg. Pra, në prill 1909, Betheli hapi dyert dhe familja u transferua në shtëpinë e re. Betheli i Bruklinit ka qenë në këtë vend për 85 vjet.
3 A ishte i përshtatshëm emri Bethel për selinë qendrore të Shoqatës? Le të shqyrtojmë origjinën biblike të emrit dhe lidhjet e tij. Duke u kthyer më shumë se 3.700 vjet prapa, kreu 28 i Zanafillës kujton përvojën e Jakobit të pamartuar në moshën 77 vjeçare. Jakobi i vlerësonte gjërat e shenjta, por Esau, vëllai i tij binjak, e urrente. Nën drejtimin e Isakut, babait të tij, Jakobi u largua nga Ber-Sheba dhe u drejtua në veri, në tokën e kushërinjve të Abrahamit, në mes të të cilëve Jakobi kishte ndër mend të gjente një nuse. Pasi udhëtoi nja 100 kilometra, Jakobi u ndal për të kaluar natën në një vend të quajtur Luz, në kodrat e Judesë. Në Zanafillën 28:10-19, mund të lexojmë hollësirat emocionuese se si Jehovai i dha Jakobit siguri të plotë për mbështetjen hyjnore. Në një ëndërr, Jakobi pa një shkallë që ngrihej nga toka në qiell. Engjëjt hipnin e zbrisnin nëpër shkallë dhe Jehovai ishte sipër. Atëherë, Jehovai foli, duke vërtetuar se premtimi që i ishte bërë Abrahamit në lidhje me farën, do të kalonte tek Jakobi dhe se Jehovai nuk do ta braktiste atë. Sa përvojë e frikshme për Jakobin me mendje frymore! A duhet të habitemi pse ky u bë një vend shumë i veçantë në sytë e tij? Për të, ky vend ishte «shtëpia e Perëndisë» ose në hebraisht Behth’-El’, Behth do të thotë «shtëpi» dhe ’El do të thotë «Perëndi».—Zan. 28:19, shënimi.
4 Pra, emri Bethel ka një sfond të pasur historik dhe është i përshtatshëm për selinë qendrore të popullit të Jehovait. Sot, shërbëtorët e Perëndisë nuk shohin ëndrra të frymëzuara hyjnore. As nuk shohin engjëj duke u ngjitur e duke zbritur mbi një shkallë nga Betheli në qiell. Vëllezërit nuk kanë vizione dhe nuk dëgjojnë drejtpërdrejt zërin e Perëndisë. Megjithatë, nëse shqyrton gjithë sa ka ndodhur në Bethel në këto 85 vitet e shkuara, që nga koha e vëlla Rusellit e deri tani, nuk ka dyshim se dora e Jehovait ka qenë me shërbëtorët e tij të mirosur, që janë pjesë e farës frymore të Abrahamit, në Bethel. Sa shumë ngjarje të mëdha në historinë e sotme të Dëshmitarëve të Jehovait janë të lidhura ngushtë me Bethelin! Të shqyrtojmë disa nga më të rëndësishmet:
◼ Më 2 tetor 1914, ndërsa hynte në dhomën e ngrënies në Bethel, vëllai Rusell njoftoi saktësisht: «Kohët e paganëve mbaruan; dhe mbretërit e tyre i mbushën ditët.»
◼ Në fillim të 1920-ës, gjatë adhurimit të mëngjesit, një pjesëtar i stafit botues të Shoqatës përdori shprehjen «organizata e Perëndisë». Kjo i nxiti kaq shumë mendimet e tyre, saqë qysh prej 1925-ës vëllezërit kanë kuptuar se ka dy organizata të ndara e të kundërta, organizata e Jehovait dhe ajo e Satanait.—w85 15/3 f. 10, anglisht.
◼ Një ditë më 1931-shin, në orët e para të mëngjesit, pak përpara kongresit në Kolumbus Ohajo, kryetari i Shoqatës, vëlla Rutherfordi, kuptoi se emri Dëshmitarë të Jehovait e përshkruante me të vërtetë popullin e Perëndisë dhe veprën që tashmë po kryente dhe se ata duhej të identifikoheshin si dëshmitarë të Tij.—yb75 f. 151, anglisht.
◼ Në fillim të 1935-ës, lindën disa pyetje se cila ishte «shumica e madhe» (Zbul. 7:9) Disa nga ata që u shprehën në atë kohë sugjeruan se ata përbënin një klasë tokësore. Në 31 maj 1935, në kongresin në Uashington, u dha një shpjegim i kënaqshëm.—jv f. 166, anglisht.
5 Këta pak shembuj ilustrojnë se si Jehovai, nëpërmjet frymës së tij të shenjtë, ka udhëhequr dhe mbështetur shërbëtorët e tij të mirosur besnikë në Bethel. Ç’mund të themi për engjëjt? Kur shqyrtojmë gjithë kundërshtimin e egër të armiqve tanë dhe vitet e vështira kur të ardhurat ishin të pakta, nuk ka dyshim se pa mbrojtjen dhe ndihmën engjëllore, Betheli nuk do të kishte funksionuar kaq mirë gjatë gjithë këtyre viteve.
6 Përveç skuadrës në selinë qendrore në Shtetet e Bashkuara, ka edhe familje Bethel në 100 filjale në të gjithë botën. Libri Të organizuar për të kryer shërbimin tonë (angl.), në faqen 116 pohon: «Emri Bethel . . . është sigurisht i përshtatshëm për këto qendra të aktivitetit teokratik.» Çfarë pune janë të caktuar të bëjnë vullnetarët e Bethelit?
7 Një shumëllojshmëri punësh: Caktimet e punës që u jepen anëtarëve të familjes Bethel janë të ndryshme. Në Bruklin dhe në disa filjale të tjera, disa vëllezër punojnë në fabrika për të shtypur Bibla, libra, revista, broshura dhe fletushka për t’i shpërndarë ato në të gjithë botën. Të tjerët punojnë në lidhjen e Biblave dhe të librave, ndërsa puna e disa të tjerëve përfshin dërgimin e këtyre botimeve nëpër kongregacionet përreth tokës. Disa anëtarë të familjes Bethel janë caktuar për të mirëmbajtur pajisjet dhe ndërtesat. Në shtëpinë Bethel, një punë e madhe kryhet edhe për t’u kujdesur për familjen. Për shembull, në Bethelin në Bruklin, brenda 20 minutave të mëngjesit, u shërbehet afërsisht 3.700 vetëve në 12 dhoma ngrënieje. Në lavanderi vëllezërit dhe motrat përpunojnë 35.000 kg rroba çdo javë, duke përfshirë 13.000 këmisha. Përveç kësaj, reparti i pastrimit mban një standard të lartë pastërtie në 21 ndërtesat e banimit në Bruklin dhe kujdeset për shumë detyra të tjera të rëndësishme.
8 Kualifikime dhe kërkesa: Duke marrë parasysh nevojën për forcë dhe fuqi që kërkojnë shumë nga këto punë, tani ka nevojë për vëllezër të rinj të pamartuar, me shëndet të mirë. Për të bërë kërkesën për shërbimin në Bethel, një i ri duhet të jetë i dedikuar dhe i pagëzuar për të paktën 1 vit. Ai duhet të jetë një person frymor e i devotshëm. Gjithashtu, duhet të jetë i gatshëm për të kryer punë të rëndë. Sot në botë, shumë persona e shohin punën e rëndë si diçka që duhet shmangur. Kështu, i riu që bën kërkesë për të shërbyer në Bethel duhet të veshë personalitetin e ri në mënyrë që të dëshirojë të bëjë punë të rëndë, duke bërë me duart e tij atë që është e mirë. (Krahaso Efesianëve 4:28.) Kjo do të thotë se ai nuk duhet ta ketë mendjen në ndjekjen e kënaqësive personale, zbavitjeve apo dëfrimeve. Kur konsideron shërbimin e Bethelit, tashmë duhet të ketë lënë këto aspekte të rinisë. Fjalët e Pavlit në 1. Korintasve 13:11 tingëllojnë aktuale: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore.»
9 A je në moshën 19 deri 35 vjeç? A je mirë me shëndet nga ana fizike dhe emocionale? A di të lexosh, të shkruash dhe të flasësh mirë shqip? A je një person frymor që ka një dashuri të thellë për Jehovain dhe organizatën e tij? Nëse të ftojnë në Bethel, a do të qëndrosh besnik në atë caktim për të paktën një vit, duke punuar në çfarëdolloj pune që të jepet? Nëse mund t’u përgjigjesh «po» këtyre pyetjeve, bën mirë ta konsiderosh privilegjin unik të shërbimit në Bethel. Bekimet janë të bollshme.
10 Bekimet e shërbimit në Bethel: Artikulli «Të shikojmë me çmueshmëri shtëpinë e Perëndisë» në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 1994 thotë: «A nuk ndien një ndjenjë kënaqësie të thellë kur merr pjesë në ndonjë asamble, ku je i rrethuar nga adhurues të gëzuar të Jehovait? Vetëm mendo: një punëtor në Bethel ka privilegjin që t’i shërbejë çdo ditë Jehovait mes një grupi vëllezërish! (Psal. 26:12) Ç’perspektivë të mrekullueshme që ofron për rritjen frymore! Një vëlla vërejti se brenda një viti në Bethel, ishte ndihmuar që të formonte më shumë personalitetin e tij, sesa për tre vjet gjetkë. Përse? Sepse në asnjë vend tjetër nuk kishte pasur mundësi të vërente personalitetin e kaq shumë të krishterëve të pjekur dhe të imitonte besimin e tyre.» (Prov. 13:20) Me të vërtetë, ky është një prej bekimeve unike të shërbimit në Bethel.
11 Në Bethelin e Bruklinit, vullnetarët gëzojnë një shoqëri të ngushtë me anëtarët e Trupit Udhëheqës dhe me të mirosurit e tjerë, si dhe me vëllezër të klasës së deleve të tjera që shërbejnë besnikë prej shumë kohësh. Pavarësisht nga caktimi i punës që kanë, është një bekim të punosh në unitet me shokë të tillë besnikë. Ja disa komente nga anëtarë të familjes së Bethelit në Bruklin, të cilat pasqyrojnë ndjenjat e atyre që kanë marrë pjesë në këtë privilegj të çmuar shërbimi:
◼ Një vëlla me 62 vjet shërbimi në Bethel, që ka punuar në shumë caktime gjatë viteve, komentoi mbi frymën që ekziston në Bethel: «Ne jemi një familje e vetme; jemi të gjithë vëllezër. Punojmë së bashku. Të gjithë kemi caktimet tona. Është gjë e bukur të shohësh vëllezërit që punojnë shumë; ti mund të shohësh përpjekjet e tyre. Kemi vëllezër që punojnë në pastrimin e dyshemeve. Nëse e mban vendin të pastër, ruan shëndetin e familjes. Dhe kur ruan shëndetin e familjes, familja është produktive. Kjo është thelbësore. Është e rëndësishme edhe puna nëpër zyra. Të gjithë së bashku ne prodhojmë këtë rezultat: dhënien e dëshmisë mbi Mbretërinë në mbarë botën. Ky është vendi më i mirë në botë për të bërë karrierë në shërbim të Jehovait. Nëse dëshiron të jesh në shërbim të plotë kohor, këtë mund ta bësh më së miri këtu. Ke çdo gjë në zotërim. Bile ke dhe më tepër. Këtu mund të shohësh dhe organizatën, pasi dëgjon nga të gjitha skajet e dheut.»
◼ Një vëlla i vjetër i mirosur, 75 vjeçar, që së pari punonte në lidhjen e librave, 48 vjet më parë, vërejti: «Është një përvojë e bukur të jetosh midis shërbëtorëve të dedikuar e të pagëzuar të Jehovait. Kur shoh një të ri që vjen në Bethel, zemra ime rreh me falënderime për Jehovain, sepse unë e di që ai njeri do të ketë një jetë të lumtur këtu në Bethel.» Në lidhje me gjërat më të dashura në Bethel, ai shton: «Unë i dua njerëzit aty. Mendoj se janë shumë të bukur. Ka diçka mbi vëllezërit që kam parë në Bethel për shumë vjet, të cilën nuk mund ta gjesh në asnjë vend tjetër mbi faqen e dheut. Aty ka ngrohtësi, kuptueshmëri dhe unitet që shkon përtej çdo parashikimi.»
◼ Një tjetër vëlla që ka shërbyer në Bethel për më shumë se 62 vjet komentoi mbi bekimet e mëtejshme që ka marrë: «Kur vjen në Bethel ke mundësi që të marrësh një mësim të specializuar në fushën e predikimit . . . dhe mbi të gjitha, një arsim biblik që të pajis për të qenë një përfaqësues i përshtatshëm i Perëndisë Jehova kudo që të të dërgojnë në botë.»
◼ Një anëtar i Trupit Udhëheqës, që tani është 92 vjeç, ka shërbyer në Bethel për 58 vjet. Çfarë mendon ai për shërbimin në Bethel? «Familja Bethel këtu dhe në gjithë botën është një rregull i mrekullueshëm i njerëzve të devotshëm.»
◼ Disa muaj para vdekjes, një anëtar besnik i Trupit Udhëheqës, në moshën 98 vjeçare, u shpreh në këtë mënyrë: «Më pëlqen të punoj në Bethel. Është vendi më i mirë nën diell.»
◼ Cila është pikëpamja e të rinjve për shërbimin në Bethel? Një vëlla i ri, kohët e fundit shkroi: «Pasi Jezui tha ‘se dhënia sjell lumturinë më të madhe’, Betheli është vendi më i lumtur ku kam qenë ndonjëherë.» Ai e kishte kapur frymën e Bethelit: «Dhënia».
◼ Një vëlla që ka 51 vjet në shërbim të plotë kohor, i përmblodhi bukur gjërat, duke thënë: «Shërbimi në Bethel është me të vërtetë i veçantë. Është një pjesë kryesore në veprën e Jehovait për qëllimin e tij këtu mbi tokë. Kështu, pra, cilido që ka privilegjin për të shërbyer në Bethel duhet ta çmojë atë shumë. Në të vërtetë, Betheli na jep mundësinë për t’i dhënë kuptim të plotë një jete me devotshmëri hyjnore.»
12 Rutina e përditshme: Rutina e përditshme e një pjesëtari të familjes Bethel, e përfshin atë në një jetë plot me aktivitete të Mbretërisë. Në orën 7:00 të mëngjesit, nga e hëna deri të shtunën fillon adhurimi i mëngjesit në dhomat tona të ngrënies. Bëhen komente mbi tekstin e ditës nga pjesëtarë të familjes dhe pastaj një përmbledhje nga një anëtar i Trupit Udhëheqës ose nga një vëlla tjetër me shumë vite në shërbimin e plotë kohor, pastaj bëhet lutja e mëngjesit. Ky program e forcon familjen frymësisht për aktivitetin e ditës. Pjesëtarë të familjes Bethel do të ta provojnë se ajo është një pjesë kryesore e ditës. Pas një mëngjesi të bollshëm, pjesëtarët e familjes Bethel shkojnë me kënaqësi në caktimet e tyre të punës. Ditët e punës nga e hëna deri të premten fillojnë nga ora 8:00 deri në orën 17:00 me një orë pushim për ushqimin e drekës. Të shtunën puna është programuar nga ora 8:00 deri në 11:55. Në mbrëmje të shtunën dhe të dielën, bethelitët shkojnë në mbledhjet e kongregacioneve të tyre, marrin pjesë në aktivitetet nga shtëpia në shtëpi, në studimet biblike ose kujdesen për përgjegjësitë e tyre personale. Ata mund të përdorin bibliotekën e Bethelit për studimin personal apo për t’u përgatitur për mbledhjet. Sigurisht që kanë kohë edhe për pushimin dhe qetësinë e nevojshme. (Marku 6:31, 34) Nga ky përshkrim i shkurtër, mund të shihet me lehtësi se shërbimi në Bethel i lejon një personi që t’i kushtojë çdo ditë një sasi të madhe kohe shërbimit të shenjtë pa u tërhequr nga ky sistem i vjetër gjërash.
13 Aktivitetet e kongregacionit: Pjesëtarët e familjes Bethel në Bruklin, janë caktuar në më shumë se 350 nga të 390 kongregacionet që ndodhen në qytetin e Nju Jorkut. Ata e vlerësojnë rolin e kongregacionit lokal në ruajtjen e gjendjes së tyre frymore. Prandaj ata janë aktivë në kongregacionin e tyre, duke ndjekur të pesë mbledhjet dhe duke marrë pjesë rregullisht në shërbimin në fushë me vëllezërit e tyre. Përveç mbledhjeve të kongregacionit, familja Bethel ka edhe studimin e saj të Kullës së Rojës, çdo të hënë në mbrëmje; pleq dhe shërbëtorë ndihmës janë të caktuar për të bërë komente në dobi të të gjithëve. Pasi programi i Bethelit u jep rëndësi gjërave frymore, kjo sjell si rezultat një jetë të gëzuar e të lumtur në shërbim të Jehovait.—1. Kor. 15:58.
14 Përgatitje për shërbimin në Bethel: Të rinjtë zakonisht pyesin se çfarë duhet të bëjnë në mënyrë që të përgatiten për të shërbyer në Bethel. Një anëtar i Trupit Udhëheqës që shërben në Komitetin e Personelit tha: «Kur vjen në Bethel, vjen për të shërbyer e jo për t’u shërbyer. Sa më shumë të mësosh për të shërbyer, aq më e madhe do të jetë edhe lumturia jote. Mëso të japësh e jo të marrësh. Ji modest dhe i përulur. Frytet e frymës: ja ku mbështetet krishterimi i vërtetë.» Po, duke zhvilluar karakterin tënd frymor dhe një lidhje të ngushtë me Jehovain do të kesh sukses në Bethel. Për këtë arsye pionierët zgjidhen shpesh si vullnetarë të rinj për në Bethel. Kur një person e ka disiplinuar veten që për një periudhë kohe të shpenzojë 90 orë në muaj për të predikuar, mësuar e për t’u dhënë të tjerëve, si dhe për të programuar punën e nevojshme për të mbështetur veten, ai ka ngritur një bazë të mirë frymore për shërbimin në Bethel dhe një mënyrë të rregullt jetese. Megjithatë, të lutemi, ki parasysh se shërbimi në Bethel nuk është i kufizuar vetëm për ata që janë pionierë. Cilido që përmbush kërkesat bazë mund të shërbejë.
15 Përveç kësaj, të rinjtë është mirë që të mësojnë të punojnë me duart e tyre. Puna e krahut nuk shihet me sy të mirë në këtë sistem të vjetër gjërash. Dashuria për veten, i nxit shumë njerëz që të kërkojnë punë me pak lodhje ose që u jep një pamje të jashtme prestigji. Megjithatë, të dish se si përdoren veglat dhe pajisjet është diçka shumë praktike dhe e dobishme. (Prov. 22:29) Shpesh, të rinjtë mund të mësojnë nga prindërit ose nga njerëz më me përvojë në punë, në projektet e ndryshme në sallat e Mbretërisë ose duke ndihmuar më të vjetrit në punët e nevojshme në shtëpi.
16 Disa herë të rinjtë pyesin: «A duhet të bëj ndonjë stërvitje ekstra për të shërbyer në Bethel?» Një stërvitje, në vetvete nuk e kualifikon një person për të shërbyer në Bethel. Cilësitë frymore janë më të rëndësishmet dhe kërkohen për të gjithë ata që janë të ftuar. Ne i inkurajojmë prindërit dhe fëmijët e tyre që janë ende në moshë shkollore që ta konsiderojnë me kujdes pikëpamjen e ekuilibruar mbi arsimimin botëror që paraqitet në Kullën e Rojës të 1 prillit 1993, në faqet 25 deri 31. Vendimi për arsimimin botëror është një çështje personale. Çfarëdo që të vendosë një person, ai duhet të sigurohet nëse është i aftë për të mbajtur përparimin frymor duke vazhduar i përqendruar në veprën kryesore të popullit të Jehovait, dhënien e dëshmisë për të vërtetën.
17 Pavarësisht se çfarë lloj stërvitjeje botërore ka marrë dikush, ajo është shumë e vlefshme për të mësuar se si të mendojmë. Bibla lavdëron shkathtësinë e të menduarit dhe mençurinë praktike. (Prov. 1:4; 3:21) Duke mësuar se si të mendojmë dhe të ruajmë informacionin, bëhemi më të aftë për të fituar njohuri dhe shkathtësi, gjë që do të jetë e dobishme si për ty ashtu edhe për organizatën ndërkombëtare të Jehovait. Së fundi, pavarësisht se sa i shkathët mund të jetë dikush, më e rëndësishmja është që të jemi të aftë për të ndenjur mirë së bashku me të tjerët. Vullnetarët në Bethel, për të kryer punën duhet të punojnë ngushtë së bashku si një skuadër. Pra, fryma e pavarësisë apo e konkurencës duhet të zëvendësohet nga një prirje për të bashkëpunuar e për t’u sjellë me dashamirësi, si dhe nga një gatishmëri për t’iu nënshtruar drejtimit teokratik.—Krahaso Efesianëve 4:16.
18 Të rinjtë në organizatën e Jehovait kanë një rast të mrekullueshëm për të punuar në zhvillimin e aftësive të përmendura më lart. Pastaj, nëse të ftojnë për të punuar në Bethel, ti do të jesh në një pozitë të mirë për t’u stërvitur nga organizata e Jehovait për përgjegjësi të mëtejshme. Ne i nxitim prindërit e krishterë dhe pleqtë që të vazhdojnë ta mbajnë para të rinjve këtë çështje. Shumë prindër i kanë sjellë fëmijët e tyre për të vizituar Bethelin rregullisht, duke u bërë të njohur atyre se çfarë bëhet këtu. Kjo i ka nxitur shumë veta që të vijnë në Bethel pasi kanë mbaruar arsimimin e tyre.
19 Persona me përvojë: Nganjëherë mund të ftohet një vëlla ose motër që mund të ketë mbi 35 vjeç, që ka stërvitjen dhe aftësinë që Bethelit i nevojitet. Shumë nga punët me të cilat Shoqata po merret tani për tani kërkojnë njerëz me përvojë, të cilët shërbejnë bashkë me të rinj të fortë dhe të aftë, që mund të stërviten, si «mjeshtrat dhe dishepujt».—1. Kron. 25:8.
20 Rritja e sasisë së punës sot, kërkon që ata të kenë përvojë në elektronikë ose në programimin e kompjuterëve. Shoqata ka shumë makina fotokopjimi, makina për shtypje me lazer dhe kompjutera, të cilat të gjitha duhen mirëmbajtur. Gjithashtu, ka nevojë edhe në fushat ligjore dhe mjekësore, si për avokatë, mjekë, fizio-terapistë, infermiere të kualifikuara. Mund të nevojiten edhe ata që janë aftësuar si inxhinierë, hidraulikë, elektriçistë dhe specialistë në fushën e ngrohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar. Gjithashtu, mund të jenë të dobishëm edhe vëllezër të pjekur me një përvojë të thellë si llogaritarë, sidomos ata që janë me shkollë. Për të zvogëluar koston, Shoqata ka kamjonët e vet për të kryer transportimin e literaturës. Prandaj, janë të nevojshëm shoferë dhe mekanikë me përvojë.
21 Nevoja jonë më e madhe është për vëllezër beqarë dhe për ata me aftësi të veçanta, edhe pse disa prej të cilëve mund të jenë të martuar. Ti mund të marrësh një kërkesë për në Bethel nga mbikëqyrësi qarkor ose në kongresin krahinor, në mbledhjen speciale që mbahet me të interesuarit për shërbimin në Bethel ose mund edhe t’i shkruash Shoqatës në Kutia Postare 118, Tiranë. Nëse je i martuar, mos harro se edhe bashkëshorti ose bashkëshortja duhet gjithashtu të kualifikohet frymësisht, emocionalisht dhe fizikisht për të shërbyer në Bethel. Nëse je i stërvitur dhe me përvojë në një nga fushat e përmendura më lart, të lutemi të shkruash një përmbledhje të hollësishme dhe ta bashkëngjitësh atë me kërkesën tënde për në Bethel.
22 A mund t’i përgjigjesh një thirrjeje urgjente? Ekziston një nevojë urgjente për vullnetarë në Bethel. Nëse ti i plotëson kërkesat për të shërbyer në Bethel, ne të nxitim me forcë që të bësh një kërkesë në përgjigje të kësaj thirrjeje urgjente. Mos u shkurajo nëse nuk të ftojnë menjëherë. Mund ta bësh sërish kërkesën tënde çdo vit. Kjo na siguron ne informata në lidhje me gatishmërinë tënde.
23 Duke dëgjuar profetin Isaia, Jehovai u përgjigj: «Kë të dërgoj dhe kush do të shkoj?» Pa asnjë ngurrim Isaia u përgjigj: «Ja ku jam, dërgomë mua!» Në këtë mënyrë, Isaia u ngarkua me një karierë të jashtëzakonshme si profet i Perëndisë. A mund të përgjigjesh edhe ti: «Ja ku jam! Dërgomë mua»? Shumë bekime të presin nëse thirresh për të shërbyer në «Shtëpinë e Perëndisë», Bethel.—Isa. 6:8.