Mbajeni mendjen tuaj të fiksuar në gjërat që janë lart
1 Duke komentuar mbi brezin që na rrethon dhe perspektivën e tij për të ardhmen, një artikull në The New York Times i 31 dhjetorit 1994, tha: «Njerëzit i frikëson e ardhmja. Ata kanë frikë në lidhje me punën, në lidhje me sëmundjet, ekonominë dhe situatën botërore.» Kudo që hedhim sytë ekziston një ndjenjë pasigurie mbi jetën. Shërbimi ynë si Dëshmitarë të Jehovait na vë çdo ditë në kontakt me njerëz që ndihen në këtë mënyrë. Edhe pse ballafaqohemi me të njëjtat probleme si edhe ata, besimi dhe mbështetja jonë në premtimin e sigurt të Fjalës së Perëndisë na mundëson të kemi një perspektivë shumë të ndryshme për jetën dhe të ardhmen e njerëzimit.—Isa. 65:13, 14, 17.
2 Optimizmi ynë dhe perspektiva e shpresës së sigurt bën që shumë persona me zemër të sinqertë të dëgjojnë mesazhin që u çojmë atyre. Shumë individë që ndihen të dëshpëruar dhe të shtypur, ngushëllohen kur flasin me ne. Pasi u pëlqen ajo që dëgjojnë, disa janë dakort të studiojnë Biblën me ne. Megjithatë, disa herë, njerëzit duan më parë të flasin mbi problemet e tyre personale. Edhe pse mund të harxhojmë ca kohë duke dëgjuar ankthet personale të dikujt, ne nuk duhet të harrojmë objektivin tonë, i cili është mësimi i të vërtetave pozitive të Fjalës së Perëndisë njerëzve.
3 Ne duhet të jemi dashamirës ndaj atyre që janë të rënduar. Jezui la një shembull kur tha fjalët e regjistruara në Mateun 11:28: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar.» Ne duam t’i inkurajojmë njerëzit në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, vërej se në përfundim të vargut 28, Jezui tha: «Unë do t’ju jap çlodhje.» Ky duhet të jetë objektivi ynë. E bëjmë këtë duke ndarë premtimet çlodhëse të Fjalës së Perëndisë. Duke qenë dëgjues të mirë, tregojmë interesin dhe përkujdesjen tonë personale dhe kjo është e rëndësishme për plotësimin e detyrës sonë për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë, duke ndihmuar të tjerët të kuptojnë se Mbretëria është mjeti i vetëm i sigurt për gjithë problemet e njerëzimit.—Mat. 24:14.
4 Vepra jonë nuk është ajo e ekspertëve profesionalë që kujdesen për shëndetin. Më mirë, siç shpjegoi apostulli Pavël në 1. Timoteut 4:6, ajo është një shërbim që përqendrohet në «mësimin e mirë», mësim që gjendet në Fjalën e Perëndisë. Ata që kanë probleme personale ose emocionale mund të kenë nevojë që të jenë të inkurajuar për t’u mbështetur në Jehovain. T’i mësojmë ata që t’i mbajnë «mendjet të fiksuara në gjërat që janë lart»—gjëra që kanë lidhje me shpresën e Mbretërisë. (Kol. 3:2, BR) Kur njerëzit e mbajnë vëmendjen e tyre të përqendruar në Fjalën e Perëndisë, ata mund të jenë të ndërtuar si rezultat i ndikimit të fuqishëm që ajo ushtron në jetën e tyre.—Hebr. 4:12.
5 Kështu synimi ynë është që t’i ndihmojmë njerëzit të përqendrojnë mendjen e tyre ndaj gjërave ‘të drejta, të dëlira, të dashura dhe të lavdërueshme’. (Filip. 4:8) Nëse ata e përqendrojnë vëmendjen në shpresën e Mbretërisë, do të jenë të bekuar si ne. Gjithashtu, ata do të provojnë gëzimin që vjen nga dijenia se Jehovai përfundimisht do t’i zgjidhë të gjitha problemet e tyre përmes Mbretërisë së tij.—Psal. 145:16.