Përgatitja: Kyçi i suksesit
1 Parapërgatitja për shërbim do të ndihmojë për të kapërcyer çdo ngurrim që dikush mund të ndjejë mbi pjesëmarrjen në shërbimin në fushë. Ndërsa u afrohesh dyerve, ti do të dish se çfarë dëshiron t’u thuash pronarëve të shtëpive. Nuk do të jesh i shqetësuar mbi situatat e vështira që mund të hasësh. Me t’u kthyer në shtëpi nga shërbimi, do të ndihesh i inkurajuar, duke ditur se ke bërë një përpjekje të mirë në shërbim. Po, përgatitja e plotë është çelësi për të mprehur shkathtësitë tona të predikimit e të mësimit.
2 Pavli e theksoi parapërgatitjen duke na nxitur që t’i kemi «këmbët të mbathura me pajisjen e lajmit të mirë të paqes». (Efes. 6:15, BR) Kjo përfshin përgatitjen e mendjes dhe të zemrës sonë si edhe fitimin e një pikëpamjeje pozitive dhe e një qëndrimi të vullnetshëm. Kur jemi të përgatitur për ta ndarë të vërtetën me të tjerët, puna jonë do të jetë e shpërblyer me frytet e Mbretërisë, duke na bërë të lumtur.—Vep. 20:35.
3 Si të përgatitemi për veprën e predikimit: Ne duhet të zgjedhim një prezantim me të cilin ndihemi rehat, ndoshta nga ato që gjejmë në faqen e fundit të Shërbimi ynë i Mbretërisë. Kushtoji vëmendje të veçantë shkrimit që ke në plan për të përdorur, duke përcaktuar se cilat fjalë ose shprehje do të nxjerrësh në pah për të bërë që të dallohet pika kryesore. Nuk është e nevojshme që ta mësosh përmendësh prezantimin; përkundrazi, është më mirë që të kesh në mendje idenë, të vësh në të fjalët e tua dhe ta shprehësh në atë mënyrë që ti mendon se do t’i bëjë thirrje dëgjuesit.
4 Shqyrto botimin që ke në plan për të ofruar dhe zgjidh disa pika bisedimi interesante. Zgjidh diçka që mendon se u intereson njerëzve në territorin tënd. Mbaj në mendje se si mund ta përshtatësh prezantimin për persona të ndryshëm si një burrë, një grua, një person i moshuar ose një i ri.
5 A ke bërë përpjekje për t’i praktikuar? Bashkë me pjesëtarë të familjes ose me lajmëtarë të tjerë diskuto se cilat prezantime mund të jenë të efektshme dhe pastaj provoji ato me zë të lartë, kështu që të gjithë do t’i mbajnë ato mirë në mendje. Përpiqu që të përdorësh situata aktuale dhe kundërshtime që janë hasur në territor. Një praktikim i tillë do të përmirësojë rrjedhshmërinë në të folur, do të rritë efektshmërinë tënde në predikim dhe do të ndërtojë besimin tënd.
6 Përveçse të përgatitësh dhe të praktikosh prezantimin tënd, gjithashtu, duhet të pyesësh veten: «A janë rrobat që kam në plan për të veshur të përshtatshme për shërbim? A kam ato gjëra që më nevojiten në çantë, duke përfshirë literaturën që kam në plan për të përdorur? A është në gjendje të mirë? A kam me vete fletushka, fleta regjistrimi nga shtëpia në shtëpi dhe një stilolaps?» Planifikimi paraprak do të kontribuojë që të kemi një ditë më prodhuese në shërbim.
7 Pasi kemi bërë më të mirën që mundemi për t’u përgatitur, ne duhet të lutemi për frymën e Jehovait që të na ndihmojë për të pasur sukses. (1. Gjon. 5:14, 15) Duke i kushtuar kujdes të veçantë përgatitjes do të gjejmë një gëzim më të madh në veprën tonë, ndërsa ‘përmbushim plotësisht shërbesën tonë’.—2. Tim. 4:5, Dio.