Përgatit prezantimin tënd të revistës
1 Ne i çmojmë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! për artikujt e tyre në kohën e duhur dhe informues, në të cilët përfshihet çdo gjë, duke filluar nga çështje në lidhje me botën e deri tek «të thellat e Perëndisë». (1. Kor. 2:10) Të gjithë ne kujtojmë shumë gjëra të reja dhe ndërtuese që kemi lexuar në këto revista, të cilat Jehovai po i përdor në zbulimin progresiv të së vërtetës. (Prov 4:18) Ne dëshirojmë të jemi të zellshëm për t’i shpërndarë ato sa më gjerësisht që të jetë e mundur.
2 Analizo territorin tënd: Ç’lloj njerëzish jetojnë në zonën tënde? Nëse ritmi i jetës së tyre është i shpejtë, ndoshta duhet të përgatitësh një prezantim të shkurtër dhe të përmbledhur. Nëse ke një territor ku ritmi i jetës është më i ngadaltë, ndoshta ke mundësi të thuash më shumë gjëra në prezantim. Nëse shumë prej pronarëve të shtëpisë punojnë gjatë ditës, ndoshta do të kishe më shumë sukses po t’i vizitoje në shtëpitë e tyre pasdite vonë ose në fillim të mbrëmjes. Ti mund t’i takosh disa persona gjatë ditës, nëpërmjet dëshmisë në rrugë apo nga dyqani në dyqan. Disa lajmëtarë kanë arritur rezultate të mira, duke iu afruar njerëzve në mënyrë joformale nëpër vende parkimi dhe parqe.
3 Njihu me revistat: Lexo çdo numër sapo ta marrësh. Zgjidh artikujt që ti mendon se mund të tërheqin personat e territorit tënd. Cilat tema kanë të bëjnë me ta? Kërko një pikë të veçantë, të cilën mund ta citosh nga artikulli që planifikon të prezantosh. Mendo mbi një pyetje që mund të ngresh për të nxitur interesin. Zgjidh një shkrim që i përshtatet kohëve tona për t’ia lexuar pronarit të shtëpisë, nëse do të të jepet mundësia për ta bërë një gjë të tillë. Mendo rreth asaj që mund të thuash për të përmendur rregullimin e dhënies së kontributeve dhe se si mund të hedhësh themelin për të bërë një rivizitë.
4 Përgatit fjalët hyrëse: Zgjidh me kujdes fjalët që planifikon të përdorësh për të prezantuar veten dhe për të nisur një bisedë. Disa kanë pasur sukses me këtë koment hyrës: «Kam lexuar një artikull shumë tërheqës në këtë revistë dhe dëshiroj ta shpërndaj atë tek të tjerët.» Shumë e fillojnë me një pyetje, e cila përqendrohet në pikën e bisedës që ata planifikojnë të bëjnë. Për shembull:
5 Nëse nxjerr në pah një artikull rreth mbizotërimit të krimit, mund të pyesësh:
◼ «Ç’gjë do të duhej që të mund të flinim natën pa pasur frikë se do të na grabitin apo dëmtojnë?» Shpjego se ti ke disa informacione lidhur me një mjet shërimi për këtë problem. Gjithashtu, ky mjet do të eliminojë së shpejti çdo lloj tjetër të çrregullimit shoqëror. Referoju diçkaje në revistë, e cila ofron një shpresë të tillë. Kur ta rivizitosh, mund ta tërheqësh vëmendjen e pronarit të shtëpisë mbi kapitullin 1 të librit Njohuria.
6 Kur ofron një artikull mbi jetën familjare, mund të thuash:
◼ «Shumë prindër e konsiderojnë një sprovë të vërtetë ngritjen e një familjeje në këto ditë. Shuma libra janë shkruar mbi këtë çështje, por edhe vetë ekspertët nuk bien dakort. A ka ndonjë person që mund të na sigurojë një udhëheqje të besueshme?» Përdor një koment specifik nga revista, i cili tregon këshillën e mençur që gjendet në Bibël. Kur të bësh rivizitën, diskuto mbi mendimet biblike për rritjen e fëmijëve, të trajtuara në librin Njohuria, në faqet 145-148.
7 Kur prezanton një artikull mbi problemet shoqërore, mund të thuash:
◼ «Shumë njerëz ndihen nën presion për shkak të kohëve shumë stresuese, në të cilat jetojmë. A mendoni se Perëndia ka pasur si qëllim që ne të jetojmë në këtë mënyrë?» Nxirr në pah një artikull që tregon se si t’i përballojmë problemet e sotme, apo që na jep arsye për të pritur me padurim një të ardhme pa ankth. Në vizitën tjetër, trajto ilustrimin dhe diçiturën në faqet 4-5 të librit Njohuria dhe më pas nis drejtpërsëdrejti një studim biblik në shtëpi.
8 Përshtatju pronarit të shtëpisë: Ti do të takosh njerëz që kanë interesa dhe prejardhje të ndryshme. Përgatit një prezantim bazë që mund t’ia përshtatësh çdo pronari shtëpie. Mba parasysh se si mund t’i përshtaten ato që do të thuash, një burri, një gruaje, një personi të moshuar apo një të riu. Nuk ka rregulla të ngurta rreth asaj që mund të thuash. Thuaj çdo gjë që të bën të ndihesh i qetë dhe që jep rezultat. Sidoqoftë, ji entuziast, fol nga zemra dhe ji një dëgjues i mirë. Ata që janë «me të drejtë të prirur», do ta kuptojnë sinqeritetin tënd dhe do të përgjigjen në mënyrë të favorshme.—Vep. 13:48, BR.
9 Të ndihmojmë njëri-tjetrin: Duke i ndarë idetë me njëri-tjetrin, ne mësojmë mënyra të reja për t’u shprehur. Praktikimi së bashku i prezantimeve, na jep përvojë dhe besim. (Prov. 27:17) Në qoftë se bëjmë prova për atë që do të themi, do të ndihemi më të çliruar emocionalisht kur ndodhemi përpara derës. Është jetësore që prindërit të kalojnë kohë për të ndihmuar në përgatitjen e fëmijëve të tyre, t’i dëgjojnë ndërsa praktikojnë prezantimet e tyre dhe t’u ofrojnë sugjerime për t’u përmirësuar. Lajmëtarët e rinj mund të përfitojnë, duke punuar me lajmëtarët që kanë më shumë përvojë.
10 Përgatitja e prezantimit tënd mbi revistën, nuk duhet të jetë e vështirë. Është thjesht çështje e mbajtjes ndër mend të diçkaje specifike për të thënë dhe për ta shprehur atë në një mënyrë tërheqëse. Me iniciativë dhe duke menduar paraprakisht, ti mund të realizosh një prezantim të shkëlqyer, i cili do të marrë një përgjigje të favorshme.
11 Shpërndarja e revistave është një nga mënyrat kryesore me anë të së cilës ne përhapim lajmin e Mbretërisë në mbarë botën. Nëse do t’i vësh Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! në duart e njerëzve të sinqertë, revistat mund të flasin vetë për veten. Kujto gjithmonë vlerën e tyre dhe se si mesazhi i tyre mund të shpëtojë jetë. Kjo ‘bamirësi dhe dhënie e ndihmës të tjerëve’ është ajo që e kënaq shumë Jehovain.—Hebr. 13:16.