Të fillojmë studime me broshurën Çfarë kërkon?
1 Raporte nga e gjithë bota tregojnë se broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? është një mjet i fuqishëm për t’u mësuar njerëzve të vërtetën. Mijëra studime biblike po fillohen çdo javë me këtë broshurë. A ke pasur sukses duke filluar dhe drejtuar një studim me broshurën Çfarë kërkon?
2 Ndërsa shumica e lajmëtarëve kanë të lehtë ta lënë broshurën, për disa është e vështirë që të dinë se çfarë të thonë për të filluar një studim. Çfarë metodash kanë vërejtur të tjerët se janë të efektshme në fillimin e studimeve biblike, duke përdorur broshurën Çfarë kërkon? Sugjerimet e mëposhtme duhet të jenë të dobishme.
3 Të ofrojmë demonstrimin e studimit: Në vizitën e parë ose gjatë një rivizite, në vend se t’i ofrojmë thjesht një studim biblik pronarit të shtëpisë, mund t’i demonstrojmë se si drejtohet një kurs studimi biblik. Kjo gjë do të bëjë të hiqet ankthi që vjen nga diçka e panjohur, që shumë pronarë shtëpie provojnë për fjalën «studim». Pasi mësojmë ta demonstrojmë atë, do të shohim se me një hyrje të thjeshtë mund të futemi direkt në studim.
4 Përgatitja është çelësi: Entuziazmi ynë për të filluar studime biblike lidhet drejtpërdrejt me faktin se sa mirë përgatitemi. Përgatitja që më përpara do të na ndihmojë që të kapërcejmë ndonjë druajtje që mund të kemi lidhur me pjesëmarrjen në veprën e studimit biblik. Duke e praktikuar prezantimin disa herë do të jemi më të aftë për të ndërtuar një bisedë dhe për t’u shprehur natyrshëm e me fjalët tona. Kjo gjë do të na ndihmojë jo vetëm ne që të ndihemi më rehat, por do të bëjë që edhe pronari i shtëpisë të mos vihet në siklet.
5 Ndërsa përsërit prezantimin, është e dobishme të llogaritësh kohën e tij, kështu që mund ta informosh pronarin e shtëpisë se sa të duhet për t’i demonstruar studimin. Pasi prezantohet, një vëlla thotë: «Kalova këtej që t’ju tregoj programin tonë të studimit biblik pa pagesë. Duhen rreth pesë minuta për ta demonstruar. A keni pesë minuta kohë?» Mësimi i parë i broshurës Çfarë kërkon? mund të demonstrohet në rreth pesë minuta. Natyrisht, vetëm shkrimet e zgjedhura mund të lexohen në këtë sasi kohe, por duke e përfunduar mësimin e parë në pak minuta, pronari i shtëpisë arrin të përjetojë studimin e tij të parë. Më pas, e njoftojmë se kur të kthehemi për të studiuar mësimin 2, do të na duhen vetëm 15 minuta.
6 Prezantimi i mëposhtëm ka dalë se është i efektshëm:
◼ «Dua t’ju prezantoj një kurs studimi biblik shumë të thjeshtë, por të përshpejtuar, duke përdorur këtë broshurë, Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Shumica e kanë parë se për jo më shumë se 15 minuta në javë, për 16 javë, mund të gjejnë përgjigje të kënaqshme nga Bibla të këtyre pyetjeve të rëndësishme biblike.» Tregojmë shkurtimisht tabelën e përmbajtjes. Duke u kthyer te mësimi 1 mund të themi: «Nëse mund të na kushtoni rreth pesë minuta duam t’ju tregojmë se si bëhet kjo gjë. Mësimi 1 titullohet: ‘Si mund të zbulosh se çfarë kërkon Perëndia?’» Pastaj lexojmë të tria pyetjet dhe shpjegojmë numrat në kllapa. Lexojmë paragrafin 1 dhe i tregojmë pronarit të shtëpisë se si ta gjejë përgjigjen. Pronarit të shtëpisë mund t’i kërkohet që të lexojë paragrafin 2. Pastaj mund të themi: «Duke u bazuar mbi këtë informacion si do t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje? [Lexojmë përsëri pyetjen dhe lëmë që pronari i shtëpisë të komentojë.] Do të vëreni se ka shkrime që shoqërojnë secilin paragraf. Kjo e drejton vëmendjen tonë në përgjigjen që u jep Bibla këtyre pyetjeve. Për shembull, le të lexojmë 2. Timoteut 3:16, 17 dhe të shohim nëse ky shkrim e mbështet përgjigjen që dhatë në lidhje me autorin e Biblës.» Pas leximit të paragrafit 3, duke konsideruar pyetjen dhe duke lexuar Gjonin 17:3, tërheqim vëmendjen e pronarit të shtëpisë në njohurinë që ai ose ajo ka marrë nëpërmjet rishikimit të mësimit 1. Në këtë moment, mund të kthehemi te mësimi 2 dhe të lexojmë pyetjen e fundit «Cilat janë dy mënyra, në të cilat mund të mësojmë për Perëndinë?». Pastaj e pyesim: «Kur keni rreth 15 minuta kohë që të mund të bëjmë mësimin 2 dhe të gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje?»
7 Është e rëndësishme që ta mbajmë diskutimin të thjeshtë dhe ta lavdërojmë pronarin e shtëpisë sa herë që është e mundur. Kur bëjmë rregullimet për një vizitë tjetër, në vend që ta pyesim nëse dëshiron të vazhdojë, thjesht e inkurajojmë që të ndjekë të njëjtën procedurë për mësimin tjetër. I lëmë të kuptojë se presim me padurim që të rikthehemi. Disa lajmëtarë ofrojnë që të bëjë një mësim nëpërmjet telefonit, nëse programimi bëhet i vështirë. Gjithashtu, mund të inkurajojmë studentin ta vërë broshurën në një vend të sigurt e të volitshëm, në mënyrë që të jetë gati për vizitën tjetër që do të bëjmë.
8 Të jemi të vendosur: Vërtet çelësi i suksesit është përgatitja, por duhet të jemi të vendosur ta vëmë në zbatim atë. Trajtimi i një mësimi në pak minuta mund të jetë një sfidë prandaj, të jemi të vendosur që ta praktikojmë prezantimin aq herë sa nevojitet, me qëllim që të flasim rrjedhshëm kur demonstrojmë studimin. Të përpiqemi të demonstrojmë një studim me këdo që takojmë në derë, në dëshminë joformale dhe atë me telefon. Nëse po shohim vështirësi në fillimin e një studimi biblik, të mos shkurajohemi. Për të pasur sukses në fillimin e studimeve biblike, kërkohet vendosmëri dhe një dëshirë e sinqertë për t’u dhënë të vërtetën të tjerëve.—Gal. 6:9.
9 Duke zbatuar këto sugjerime, edhe ne mund të kemi privilegjin për të ndihmuar dikë në rrugën e jetës, duke filluar dhe drejtuar me broshurën Çfarë kërkon? një studim biblik.—Mat. 7:14.