Të jemi të zellshëm për të predikuar lajmin e mirë
1 «Unë dëshiroj me zjarr t’ju shoh . . . Nga ana ime ka zell për t’ju shpallur lajmin e mirë edhe juve.» Kështu u shpreh Pavli në fillim të letrës së tij drejtuar vëllezërve në Romë. Përse Pavli ishte i zellshëm që t’i vizitonte ata? Ai tha: «Që të mund të fitoj disa fryte edhe midis jush . . . Sepse nuk kam turp për lajmin e mirë; ai është, në fakt, fuqia e Perëndisë për shpëtim.»—Rom. 1:11-16, BR.
2 Pavli shfaqi po këtë zell kur foli me pleqtë e Efesit. Ai u kujtoi atyre: «Që nga dita e parë që shkela në rajonin e Azisë . . . nuk u përmbajta t’ju mësoja publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi. Por u dhashë plotësisht dëshmi si judenjve, ashtu edhe grekëve.» (Vep. 20:18-21, BR) Në të gjithë territorin që i ishte caktuar, Pavli ishte i përqendruar në përhapjen e lajmit të mirë të shpëtimit dhe në fitimin e fryteve të Mbretërisë. Çfarë fryme e shkëlqyer për t’u imituar!
3 Ne mund të pyesim veten: ‘A tregoj të njëjtin zell në shpalljen e lajmit të mirë në zonën time? Në vend se ta shoh veprën e predikimit thjesht si një detyrë, a jam i zellshëm për ta ndarë lajmin e mirë me sa më shumë njerëz që është e mundur? A i kam konsideruar në lutje rrethanat e mia personale? A kam shqyrtuar çdo mundësi që ekziston në territorin tonë, si p.sh., predikimin nga shtëpia në shtëpi, në rrugë, në zonat tregtare, dëshminë me telefon dhe atë joformale?’
4 Të jemi të zellshëm për të predikuar gjatë prillit: Muaji prill është një muaj i mirë për të rritur pjesëmarrjen tonë si individ në veprën e predikimit. Kuota e zvogëluar e orëve u jep mundësi më shumë lajmëtarëve për të shërbyer si pionierë ndihmës. Ndoshta rrethanat e tua do të të lejojnë që të shërbesh si pionier ndihmës gjatë prillit dhe majit. Ose mund të jesh në gjendje të regjistrohesh si pionier i rregullt, duke pasur parasysh kuotën e rregulluar të orëve. Nëse je një lajmëtar, a mund të kushtosh më shumë kohë se zakonisht në shërbim këta dy muaj, duke mbështetur ata që mund të shërbejnë si pionierë? Kjo gjë do t’ia gëzonte zemrën Jehovait!
5 Ashtu si Pavli, lajmëtarët e Mbretërisë duhet të vazhdojnë të jenë të zellshëm për të marrë iniciativën në veprën e predikimit. Duke bërë të gjithë sa mundemi në shërbim, do të ndiejmë gëzim të vërtetë. Ky ishte gëzimi që kishte Pavli në shërbimin e tij të shenjtë. Bëjmë mirë ta imitojmë shembullin e tij të shkëlqyer.—Rom. 11:13; 1. Kor. 4:16.