Të planifikojmë më përpara!
1 Organizata e Jehovait siguron një program të rregullt aktivitetesh teokratike që kanë si qëllim të plotësojnë nevojat tona frymore. Çmueshmëria na nxit që të përfitojmë plotësisht nga të gjitha rregullimet e bëra si p.sh., asambletë, kongreset, vizitat e mbikëqyrësit udhëtues dhe aktivitetet e tjera speciale të planifikuara në shkallë lokale. (Mat. 5:3) Megjithatë, disa lënë që t’u shpëtojnë shumë prej këtyre sigurimeve frymore, për shkak të planeve të tjera që kanë bërë. Ç’mund të bëhet për ta parandaluar këtë gjë? Si mund të sigurohemi se aktivitetet joteokratike nuk i lënë jashtë «gjërat më të rëndësishme»?—Filip. 1:10, BR.
2 Planifikimi i mençur është thelbësor: Proverbat 21:5 këshillon: «Planet e njeriut të mençur çojnë me siguri në përfitim, por kushdo që është i nxituar shkon me siguri drejt varfërisë.» (BR) Për të pasur «përfitim» në kuptim frymor, duhet të planifikojmë me kujdes që më përpara, duke mbajtur parasysh rregullimet që janë bërë për aktivitetet teokratike. Aktivitetet tona personale duhet t’i programojmë për një kohë kur ato nuk do të na pengojnë për të qenë të pranishëm në kohën e caktuar për korrjen e bekimeve frymore. Nëse planifikojmë me nxitim të bëjmë ato gjëra që na interesojnë personalisht, pa llogaritur ngjarjet e ardhshme teokratike, ka të ngjarë që të biem në «varfëri» frymore.
3 Të mos mungojmë! Të gjithë ne bëjmë plane për të ardhmen, duke përfshirë pushimet, udhëtimet për çështje pune, vizitat te të afërmit etj. Përpara se të japim fjalën ose të përfundojmë planet tona, të shqyrtojmë programin e aktiviteteve të ardhshme frymore. Nëse vërejmë që vizita e mbikëqyrësit qarkor po afrohet ose që një asamble është programuar tamam në kohën kur mund të mos jemi aty, le të bëjmë një përpjekje të zellshme për të riorganizuar punët tona në mënyrë që të jemi të pranishëm. Ne informohemi mjaft kohë përpara për ngjarjet kryesore të programuara për të ardhmen. Pleqtë e kongregacionit mund të na tregojnë se çfarë është planifikuar për zonën tonë.
4 Duke përdorur largpamësi dhe duke planifikuar më përpara për gjërat më të rëndësishme, do të ‘mbushemi me fryt të drejtë,... për lavdi e lëvdim të Perëndisë’.—Filip. 1:11, BR.