Prindër: U lini një shembull të mirë fëmijëve tuaj
1 Fjala e Perëndisë na thotë se «babai [dhe nëna] i të drejtit do të gëzohet shumë». (Fja 23:24, 25) Çfarë bekimi për prindërit që u kanë lënë një shembull të mirë pasardhësve të tyre! Një anëtar në një komitet dege tha për prindërit e tij: «E vërteta ishte vetë jeta e tyre dhe ashtu doja të ishte edhe për mua.» Çfarë duhet të vërejnë fëmijët te prindërit e tyre?
2 Sjellje të mirë dhe respekt të thellë: Është përgjegjësia e prindërve për të ngulitur te fëmijët e tyre veçori të shëndetshme. Sjellja e mirë mësohet jo vetëm nëpërmjet mësimit gojor, por edhe nëpërmjet vëzhgimit dhe imitimit. Prandaj, çfarë pasqyrohet në sjelljen tuaj? A ju dëgjojnë fëmijët të thoni «më fal», «të lutem» dhe «faleminderit»? A e trajtoni me respekt të thellë njëri-tjetrin në familje? A kushtoni vëmendje kur të tjerët flasin? A i dëgjoni fëmijët kur ata flasin me ju? A shfaqen këto veçori të mira si në Sallën e Mbretërisë, ashtu edhe kur jeni vetëm me ta në shtëpi?
3 Një gjendje të mirë frymore dhe një aktivitet të zellshëm: Një vëlla që ka kaluar më shumë se 50 vjet në shërbim të plotkohor kujton: «Nëna dhe babai im ishin një shembull i shkëlqyer në lidhje me çmueshmërinë për mbledhjet dhe zellin për shërbimin.» Në ç’mënyrë u tregoni fëmijëve tuaj se interesoheni për ruajtjen e gjendjes frymore të pjesëtarëve të familjes? A e shqyrtoni së bashku shkrimin e ditës? A keni një studim të rregullt familjar? A ju shohin fëmijët duke lexuar Biblën dhe botimet e Shoqatës? Çfarë dëgjojnë ata kur luteni në emër të familjes? A angazhoheni në biseda ndërtuese frymore me fëmijët, duke diskutuar gjëra pozitive rreth së vërtetës dhe kongregacionit? A jeni të zellshëm për të ndjekur të gjitha mbledhjet dhe për të marrë pjesë në shërbimin në fushë si familje?
4 Prindër, reflektoni lidhur me shembullin që po u lini fëmijëve tuaj. Kujdesuni që ai të jetë i shkëlqyer dhe fëmijët do ta çmojnë atë gjatë gjithë jetës. Gruaja e një mbikëqyrësi udhëtues, tani në të 70-at, tha: «Jam duke nxjerrë ende dobi nga shembulli i mirë i prindërve të mi të dashur të krishterë. Lutja ime e sinqertë është që të jap prova të çmueshmërisë sime të plotë për këtë trashëgimi, duke e përdorur atë siç duhet edhe më tej në të ardhmen.»