Përdorimi i Internetit: Të jemi syhapur ndaj rreziqeve!
1 Ata që bëjnë pjesë në popullin e Jehovait gëzojnë një shoqëri të shëndetshme me njëri-tjetrin. Gjithashtu, gëzojnë edhe ndërsa ndajnë përvojat nga shërbimi në fushë dhe e çmojnë faktin që mund të dëgjojnë rreth ngjarjeve që kanë të bëjnë me Dëshmitarët e Jehovait dhe veprën e Mbretërisë përreth globit. Atyre u pëlqen të informohen në lidhje me çdo gjë jo të zakonshme që mund t’u ndodhë vëllezërve tanë, si ndonjë krizë a katastrofë natyrore dhe duan të dinë nëse ka diçka që mund të bëjnë për të ndihmuar. Një interes i tillë tregon unitetin e vëllazërisë, duke provuar se ne e duam me të vërtetë njëri-tjetrin.—Gjoni 13:34, 35.
2 Sot mësojmë pa vonesë rreth ngjarjeve botërore. Emisionet në radio dhe televizion japin drejtpërdrejt për auditorin anembanë globit informacione mjaft të hollësishme të ngjarjeve që ndodhin. Edhe telefoni bën të mundur komunikimin e menjëhershëm me njerëzit përreth botës. Një fenomen i kohëve të fundit në fushën e komunikimit, që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në botë, është Interneti.—Shiko Zgjohuni!, 22 korrik 1997, anglisht.
3 Shpikja e telefonit i hapi rrugën komunikimit të shpejtë personal në mbarë botën. Megjithëse telefoni është mjaft i dobishëm, kërkohet kujdes në mënyrën se si përdoret, pasi mund të jetë një mjet për t’u angazhuar në shoqëri ose aktivitete të papërshtatshme dhe përdorimi i tepërt i tij mund të jetë i kushtueshëm. Televizioni dhe radioja ushtrojnë fuqi në fushën e arsimimit. Por, mjerisht, pjesa më e madhe e programit është e korruptuar moralisht dhe duke i kushtuar vëmendje atij një person humbet kohë. Mençuria na nxit që të jemi mjaft seleksionues në përdorimin e televizionit dhe të radios.
4 Interneti jep mundësinë për një komunikim jo të kushtueshëm me miliona të tjerë në mbarë botën dhe i hap derën një sasie të madhe informacioni. (Zgjohuni!, 8 janar 1998, anglisht.) Megjithatë, nëse një person nuk është seleksionues në përdorimin e Internetit, mund ta ekspozojë veten ndaj rreziqeve të mëdha frymore dhe morale. Si është e mundur një gjë e tillë?
5 Shumë persona janë të shqetësuar rreth informacioneve që vihen lehtë në dispozicion, të cilat tregojnë se si ndërtohen armët, duke përfshirë edhe bombat. Industria ankohet në lidhje me sasinë e kohës që humbasin punëtorët duke përdorur Internetin. Në botimet tona është folur shumë për rreziqet e dukshme frymore që hasen në Internet. Shumë Web sites (vendndodhje në rrjet) paraqesin materiale të dhunshme dhe pornografike, që janë krejtësisht të papërshtatshme për të krishterët. (Psal. 119:37) Përveç këtyre rreziqeve ekziston një rrezik edhe më tinzar ndaj të cilit Dëshmitarët e Jehovait duhet të jenë veçanërisht syhapur. Cili është ky?
6 A do të ftonim një të huaj në shtëpinë tuaj pa marrë vesh më parë se cili është ai? Po në rast se nuk do të kishte asnjë mënyrë për ta mësuar këtë gjë? A do ta lejonim këtë të huaj të qëndronte vetëm për vetëm me fëmijët tanë? Kjo është një mundësi mëse e sigurt në Internet.
7 Posta elektronike mund t’u dërgohet dhe merret nga njerëz që ju nuk i njihni. E njëjta gjë është e vërtetë dhe në rastin kur bisedoni në mënyrë elektronike në një dhomë publike ose në një chat room (dhomë bisede). Nganjëherë pjesëmarrësit mund të pohojnë se janë Dëshmitarë të Jehovait, por shpesh nuk është kështu. Dikush mund të thotë se është një i ri, kur nuk është. Madje një person mund të pohojë në mënyrë të rremë se është i një seksi të caktuar.
8 Informacioni që na kalohet neve mund të vijë në formën e përvojave ose komenteve rreth bindjeve tona. Ky informacion u kalohet të tjerëve, të cilët nga ana e tyre ua kalojnë atë më tej personave të tjerë. Në përgjithësi informacioni është i paverifikuar dhe mund të mos jetë i vërtetë. Komentet mund të jenë një marifet për të përhapur arsyetimin apostat.—2. Sel. 2:1-3.
9 Duke mbajtur parasysh këtë rrezik, nëse përdorim Internetin, të pyesim veten: Për çfarë e përdor atë? A ekziston mundësia për t’u dëmtuar frymësisht nga mënyra se si po e përdor? A mund të jem duke i kontribuar dëmtimit frymor të të tjerëve?
10 Web sites (vendndodhjet në rrjet) të «Dëshmitarëve të Jehovait»: Të shqyrtojmë, për shembull, disa vendndodhje në Internet të krijuara nga individë që pohojnë se janë Dëshmitarë të Jehovait. Ata na ftojnë që të vizitojmë vendndodhjet e tyre për të lexuar përvojat e futura nga të tjerë që pohojnë se janë Dëshmitarë. Inkurajohemi të shprehim mendimet dhe pikëpamjet tona rreth literaturës së Shoqatës. Disa japin rekomandime rreth prezantimeve që mund të përdoren në shërbimin në fushë. Këto vendndodhje u ofrojnë individëve chat rooms (dhoma bisede) për t’u lidhur, duke u krijuar mundësinë e një komunikimi të drejtpërdrejtë me të tjerët, si të jenë duke biseduar në telefon. Ata na drejtojnë shpesh drejt vendndodhjeve të tjera ku mund të hyjmë në lidhje me Dëshmitarë të Jehovait anembanë botës. Por a mund të themi me siguri se këto kontakte nuk janë rregulluar në mënyrë të maskuar nga apostatët?
11 Shoqërimi me të tjerë nëpërmjet Internetit mund të mos jetë në përputhje me rekomandimin që gjendet në Efesianëve 5:15-17. Apostulli Pavël shkroi: «Jini shumë vigjilentë që mënyra se si ecni të mos jetë si ajo e një personi të marrë, por e një të mençuri, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga. Për këtë arsye, mjaft u bëtë të paarsyeshëm, por vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait.» (BR).
12 Kongregacioni i krishterë është mjeti teokratik, përmes të cilit ushqehemi frymësisht nga «skllavi i besueshëm e i matur». (Mateu 24:45-47, BR) Brenda organizatës së Perëndisë gjejmë udhëzim dhe mbrojtje, gjë që na ndihmon të qëndrojmë të ndarë nga bota, si edhe motivohemi për t’u mbajtur të zënë në veprën e Zotërisë. (1. Kor. 15:58) Psalmisti tregoi se ai përjetoi gëzim dhe një ndjenjë sigurie mes popullit të mbledhur të Perëndisë. (Psal. 27:4, 5; 55:14; 122:1) Gjithashtu, kongregacioni siguron mbështetje dhe ndihmë frymore për ata që shoqërohen me të. Aty mund të gjejmë një grup miqsh të dashur, që interesohen dhe kujdesen për ne, njerëz që personalisht e dimë se kush janë, të gatshëm dhe me dëshirën për të ndihmuar dhe ngushëlluar të tjerët në kohë shqetësimi. (2. Kor. 7:5-7) Anëtarët e kongregacionit mbrohen me anë të masave me bazë biblike për përjashtimin e atyre që mëkatojnë pa u penduar ose që përhapin mendime apostate. (1. Kor. 5:9-13; Titit 3:10-11) A mund të presim të gjejmë rregullime të tilla të dashura kur shoqërohemi me të tjerë përmes Internetit?
13 Është bërë e dukshme se është e vërtetë e kundërta. Disa Web site janë në mënyrë të qartë mjete për propagandën apostate. Web site të tilla mund të pohojnë të kundërtën e kësaj dhe apostatët që financojnë një vendndodhje, mund të japin një shpjegim të hollësishëm për të vërtetuar se janë me të vërtetë Dëshmitarë të Jehovait. Ata mund të na kërkojnë edhe neve vetë informacione për të verifikuar nëse ne jemi Dëshmitarë të Jehovait.
14 Jehovai dëshiron që të ushtrojmë aftësi shquese. Përse? Sepse e di që ajo do të na mbrojë nga rreziqe të ndryshme. Proverbat [Fjalët e urta] 2:10-19 fillon duke thënë: «Kur mençuria të hyjë në zemrën tënde dhe vetë njohuria të bëhet e këndshme për shpirtin tënd, vetë aftësia e të menduarit do të vigjilojë mbi ty, vetë aftësia shquese do të të mbrojë.» (BR) Nga çfarë do të na mbrojë? Nga gjëra të tilla, si: «udha e keqe», nga ata që i lënë shtigjet e drejta dhe nga njerëzit që janë pa moral e që në përgjithësi janë dredharakë në udhën e tyre.
15 Kur shkojmë në Sallën e Mbretërisë, s’ka asnjë dyshim se jemi me vëllezërit tanë. Ne i njohim ata. Askush nuk kërkon ndonjë provë vërtetësie për këtë, sepse dashuria vëllazërore që shfaqet e bën të dukshëm këtë fakt. Nuk na kërkohet që si individë të paraqesim dokumente për të provuar se jemi me të vërtetë një prej Dëshmitarëve të Jehovait. Pikërisht këtu gjejmë shkëmbimin e vërtetë të inkurajimit për të cilin foli Pavli në Hebrenjve 10:24, 25. Nuk mund të kemi besim se vendndodhje në rrjet që inkurajojnë shoqërimin përmes linjës elektronike, do ta sigurojnë këtë shkëmbim inkurajimi. Duke pasur në mendje fjalët e Psalmit 26:4, 5 mund të ndihmohemi të qëndrojmë vigjilent ndaj rreziqeve që mund të hasen lehtë kur përdorim Web site-t në Internet.
16 Nuk ka kufij ose ndonjë kontroll për llojin e informacionit që mbahet dhe që është në dispozicion për përdoruesit e Internetit. Shpesh, fëmijët dhe adoleshentët janë shënjestra të lehta të krimit dhe të shfrytëzimit në këto mjedise. Fëmijët besojnë lehtë, janë kuriozë dhe të paduruar për të eksploruar botën relativisht të re të Internetit (cyberspace). Prandaj, prindërit duhet t’i kenë fëmijët e tyre nën mbikëqyrje dhe duhet t’u japin udhëheqje të shëndoshë biblike lidhur me përdorimin e Internetit, pikërisht siç do t’i kishin drejtuar ata në zgjedhjen e muzikës ose të filmave.—1. Kor. 15:33.
17 Mjerisht, disa që dikur ishin vëllezërit tanë dhe motrat tona, është dashur të përjashtohen për shkak të shoqërimit që filluan duke takuar individë nga bota në chat rooms (dhoma bisede) në Internet, gjë që së fundi i çoi në imoralitet. Duke mos arritur ta besonin dot atë që kishte ndodhur, pleqtë kanë informuar Shoqatën se disa i kishin lënë faktikisht bashkëshortët ose gratë e tyre për të ndjekur një marrëdhënie të filluar në Internet. (2. Tim. 3:6) Individë të tjerë e kanë mohuar të vërtetën, për shkak se kanë besuar informacionin e siguruar nga apostatët. (1. Tim. 4:1, 2) Duke pasur parasysh këto rreziqe kaq serioze, a nuk është mëse e arsyeshme që të bëjmë kujdes se mos përfshihemi në chat sessions (sesione bisede) në Internet? Sigurisht, ushtrimi i mençurisë, njohurisë, aftësisë së të menduarit dhe aftësisë shquese për të cilat flitet në Proverbat 2:10-19, do të ishte të ishte një mbrojtje për ne në këtë aspekt.
18 Vlen të përmendet se ka pasur një numër individësh që kanë krijuar vendndodhje në rrjet gjoja për të predikuar lajmin e mirë. Shumë prej këtyre vendndodhjeve janë financuar nga vëllezër të pamatur. Të tjera mund të jenë financuar nga apostatë të cilët dëshirojnë të joshin ata që besojnë me naivitet çdo gjë. (2. Gjon. 9-11) Duke komentuar në lidhje me atë nëse është e nevojshme që vëllezërit tanë të krijojnë ose jo Web site të tilla, Shërbimi ynë i Mbretërisë, nëntor 1997, faqe 3, pohonte: «Nuk ka nevojë që ndonjë individ të përgatitë faqe informacioni në Internet për Dëshmitarët e Jehovait, aktivitetet tona ose bindjet tona. Vendndodhja jonë zyrtare [www.watchtower.org] paraqet informacion të saktë për këdo që e dëshiron atë.»
19 Informacione ndihmëse për studim nëpërmjet Internetit? Disa kanë menduar se po u bëjnë një shërbim vëllezërve duke futur informacion të nxjerrë nga kërkimet e bëra, që ka të bëjë me aktivitete të ndryshme teokratike. Për shembull, një person mund të bëjë një kërkim duke u bazuar në skemën e një fjalimi publik dhe më pas e fut këtë në rrjet, duke menduar se një informacion i tillë do të jetë i dobishëm për ata që duhet të përgatitin të njëjtën skemë. Të tjerë futin të gjitha shkrimet për ndonjë studim të ardhshëm të Kullës së Rojës ose sigurojnë burimin e materialit për Shkollën e Shërbimit Teokratik ose për Studimin e Librit të Kongregacionit. Disa mund të ofrojnë sugjerime për ndonjë prezantim në shërbimin në fushë. A janë vërtet të dobishme këto informacione?
20 Botimet e siguruara nga organizata e Jehovait, i nxitin mendjet tona me mendime ndërtuese dhe na stërvitin që ‘të dallojmë si të drejtën, ashtu dhe të gabuarën’. (Hebr. 5:14, BR) A mund të themi që kjo është arritur nëse të tjerët bëjnë kërkime për ne?
21 Për të krishterët në Berea u fol se ishin «më të fisshëm në mendje, sesa ata në Selanik». Përse? Sepse «e morën fjalën me etjen më të madhe të mendjes, duke shqyrtuar me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu». (Vep. 17:11, BR) Megjithëse atyre u predikoi Pavli dhe Sila, ata nuk do ta kishin bërë të tyren të vërtetën pa u angazhuar vetë personalisht.
22 Përdorimi i kërkimit të bërë nga një person tjetër për një fjalim ose për pjesë të tjera në mbledhje, që kërkojnë përgatitje, në të vërtetë e humbet qëllimin e studimit personal. A nuk është dëshira jonë që të ndërtojmë besimin tonë personal në Fjalën e Perëndisë? Të bazuar në bindjen personale ne mund të bëjmë shprehjen publike të besimit tonë në fjalimet që mbajmë, në komentet që bëjmë në mbledhje dhe në shërbimin në fushë. (Rom. 10:10) Përdorimi i kërkimit të bërë nga një person tjetër, nuk përputhet me përshkrimin që jepet në Proverbat 2:4, 5, ku thuhet se në mënyrë personale duhet të ‘vazhdosh të kërkosh dhe të rikërkosh për vetë njohurinë e Perëndisë si për thesaret e fshehura’. (BR)
23 Për shembull, kur kërkojmë shkrimet në kopjen tonë personale të Biblës, mund të shqyrtojmë shkurtimisht kontekstin e secilit shkrim. Mund ‘të ndjekim çdo gjë me saktësi’, siç bëri Luka kur shkroi Ungjillin e tij. (Luka 1:3, BR) Përpjekjet shtesë do të na ndihmojnë, gjithashtu, që të aftësohemi në kërkimin e shkrimeve kur jemi në shërbim dhe kur mbajmë fjalime. Shumë veta kanë thënë se Dëshmitarët e Jehovait u kanë bërë përshtypje për faktin se dinë si ta përdorin Biblën e tyre. E vetmja mënyrë që ky pohim të gjejë zbatim edhe për ne është nëse e bëjmë zakon të kërkojmë personalisht shkrimet në Biblën tonë.
24 Të përdorim kohën me mençuri: Diçka tjetër që vlen të konsiderohet lidhur me këtë, ka të bëjë me sasinë e kohës që harxhohet për të krijuar, lexuar dhe për t’iu përgjigjur informacionit të futur në Internet. Psalmi 90:12 na inkurajon të lutemi: «Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.» Pavli tha: «Koha e mbetur është zvogëluar.» (1. Kor. 7:29, BR) Më tej vazhdoi: «Prandaj, sa të kemi rast [kohë të favorshme, BR] le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.»—Gal. 6:10.
25 Një këshillë e tillë thekson nevojën për të qenë të matur në përdorimin e kohës që kemi. Sa më dobiprurëse është që të harxhojmë kohë duke lexuar Fjalën e Perëndisë! (Psal. 1:1, 2) Kjo është shoqëria më e mirë që mund të kemi. (2. Tim. 3:16, 17) Prindër, a po u mësoni fëmijëve tuaj vlerën e përdorimit me mençuri të kohës në aktivitetet e Mbretërisë? (Ekl. 12:1) Koha e shpenzuar për studimin personal dhe familjar të Biblës, për ndjekjen e mbledhjeve dhe shërbimin në fushë, vlen shumë më tepër se koha e harxhuar duke shëtitur nëpër Internet, me shpresën për të nxjerrë dobi nga kjo gjë.
26 Në lidhje me këtë, është një gjë e mençur ta përqendrojmë vëmendjen në çështje frymore dhe në ato gjëra që lidhen dhe janë thelbësore për jetën tonë si të krishterë. Kjo gjë kërkon bërjen e zgjedhjeve të peshuara mirë për sa i përket informacionit që meriton kohën dhe vëmendjen tonë. Ajo që është me rëndësi për jetën tonë si të krishterë u përmblodh nga Krishti, i cili tha: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera, do t’ju shtohen.» (Mat. 6:33, BR) A nuk jemi më të lumtur kur e kemi jetën të mbushur me aktivitetet e Mbretërisë në vend se me çdo aktivitet tjetër?
27 E-mail (posta elektronike) në Internet: Megjithëse ndarja e përvojave personale ose e mendimeve me familjarët a miqtë që banojnë larg nesh është mëse e përshtatshme, a është me të vërtetë diçka e dashur t’ua kalojmë ato të tjerëve që mund të mos e njohin fare familjen tonë ose miqtë tanë? Apo mos duhen futur në një Web page (faqe në rrjet) për t’u lexuar prej kujtdo qoftë? A duhet që këto mesazhe personale të kopjohen dhe t’i dërgohen si të thuash kuturu njerëzve të cilët mund dhe s’mund t’i njohim? Ngjashëm, nëse te ne mbërrijnë mesazhe nga të tjerët, që kuptohet qartë se nuk ishin për ne, a do të ishte diçka e dashur t’ua kalonim ato më tej të tjerëve?
28 Po në rast se përvoja që kalon nuk është e saktë? A nuk do të ishte kjo pjesëmarrje në përjetësimin e diçkaje jo të vërtetë? (Prov. 12:19; 21:28; 30:8; Kolos. 3:9) Sigurisht, të qëndruarit vazhdimisht ‘shumë vigjilentë që mënyra se si ecim të mos jetë si ajo e një personi të marrë, por e një të mençuri’, do të na nxiste ta mbanim parasysh këtë gjë. (Efes. 5:15, BR) Sa të lumtur jemi që Libri vjetor, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! janë plot me përvoja të besueshme që na inkurajojnë dhe na motivojnë të vazhdojmë të ecim në atë që quhet «udha»!—Isa. 30:20, 21.
29 Ekziston dhe një rrezik tjetër. Në lidhje me disa lloj personash apostulli Pavël, tha: «Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota [që nuk duhet të flasin, BR].» Kjo flet kundër harxhimit të kohës dhe bërjes së përpjekjeve për t’u kaluar informacion joserioz vëllezërve tanë.
30 Le të mendojmë, gjithashtu, për sasinë e kohës që kërkon ecja në një hap me sasinë e madhe të informacionit që përmban një postë elektronike. Është interesante ajo që pohohet në librin Data Smog: «Ndërsa një person harxhon gjithnjë e më shumë kohë në linjë, e-mail ndryshon shpejt nga një gjë e re nxitëse në një barrë që të ha kohën me duzinat e mesazheve për të lexuar dhe për t’iu përgjigjur çdo ditë, të ardhura nga kolegët, miqtë, familja, . . . dhe reklamat e pakërkuara të shitjeve.» Më tej vazhdon: «Shumë llupës elektronikë kanë fituar zakonin mjaft të keq të përcjelljes së çdo grimce informacioni argëtues që marrin, si: shaka, histori të sajuara popullore, letra elektronike zinxhir etj., çdo personi në librin e tyre elektronik të adresave.»
31 Kjo ka qenë e dukshme në postën elektronike të qarkulluar midis shumë vëllezërve, e cila përmbante gjëra të tilla, si: shaka ose tregime me humor rreth shërbimit; poezi me sa duket të bazuara në bindjet tona; ilustrime nga fjalime të ndryshme të mbajtura në asamble, kongrese ose në Sallën e Mbretërisë; përvoja nga shërbimi në fushë etj., gjëra që duken krejt të padëmshme. Shumica e përcjellin sistematikisht këtë postë elektronike, pa kontrolluar burimin e saj, duke e bërë kështu të vështirë të mësohet se kush është me të vërtetë nismëtari, gjë që duhet ta bëjë një person të pyesë veten nëse informacioni është përnjëmend i vërtetë.—Prov. 22:20, 21.
32 Mesazhe të tilla shpesh aspak serioze, nuk janë lloji i fjalëve të shëndosha që kishte në mendje Pavli kur i shkroi Timoteut, duke thënë: «Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.» (2. Tim. 1:13) ‘Gjuha e pastër’ e së vërtetës biblike ka «modelin e fjalëve të shëndosha» të bazuar kryesisht në temën biblike të shfajësimit të sovranitetit të Jehovait me anë të Mbretërisë. (Sof. 3:9, BR) Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për t’i kushtuar gjithë kohën që kemi në dispozicion bashkë me energjitë tona, përkrahjes së këtij shfajësimi të sovranitetit të Jehovait.
33 Pasi kemi hyrë thellë në kohën e fundit të këtij sistemi gjërash, kjo nuk është aspak koha për ta ulur vigjilencën tonë. Bibla na paralajmëron: «Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.» (1. Pjet. 5:8) Veç kësaj ajo thotë: «Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit.»—Efes. 6:11.
34 Nëse përdoret në mënyrë të gabuar, Interneti mund të bëhet një mjet me anë të të cilit Satanai mashtron ata që janë joshur prej fuqisë së këtij mjeti. Megjithëse mund të sjellë disa dobi të kufizuara, përbën një rrezik nëse nuk konsiderohet me kujdes. Veçanërisht prindërit duhet të interesohen në lidhje me mënyrën e përdorimit të Internetit nga ana e fëmijëve të tyre.
35 Mbajtja e një pikëpamjeje të ekuilibruar për Internetin është një mbrojtje. Ne e çmojmë përkujtesën në kohën e duhur nga Pavli: «Ata që përdorin nga kjo botë, [të jenë] si ata që nuk e përdorin plotësisht, sepse skena e kësaj bote po ndryshon.» (1. Kor. 7:29-31, BR) Mbajtja në mendje e këtyre gjërave do të na ndihmojë ne dhe familjen tonë që të mos shpërqendrohemi nga gjithçka që kjo botë ofron, duke përfshirë edhe atë që vihet në dispozicion në Internet.
36 Është e domosdoshme që të qëndrojmë afër vëllezërve tanë në kongregacion dhe ta përdorim me mençuri kohën e mbetur, duke e vënë kështu veten në dispozicion për çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë. Ndërsa ky sistem i afrohet fundit ‘të mos vazhdojmë të ecim më ashtu siç ecin kombet, në padobishmërinë e mendjes së tyre’, por le ‘të vazhdojmë të dallojmë se cili është vullneti i Jehovait’!—Efes. 4:17; 5:17, BR.