Kutia e pyetjes
◼ Kush është përgjegjës për pastrimin e Sallës së Mbretërisë?
Një Sallë Mbretërie e pastër dhe tërheqëse, jep një dëshmi të favorshme rreth mesazhit që ne predikojmë. (Krahaso 1. Pjetrit 2:12.) Mbajtja e sallës në gjendje të pastër e të rregullt është thelbësore dhe secili prej nesh mund të bëjë pjesën e vet për mirëmbajtjen e saj. Ne nuk duhet të presim që të gjithë barrën ta mbajnë vetëm disa njerëz. Zakonisht, pastrimi rregullohet të bëhet sipas grupeve të Studimit të Librit të Kongregacionit dhe drejtuesi i studimit ose ndihmësi i tij marrin drejtimin. Në sallat ku mblidhen disa kongregacione, pleqtë i organizojnë punët në mënyrë të tillë që të gjitha kongregacionet të marrin pjesë në mirëmbajtjen e sallës.
Si mund ta përmbushim në mënyrën më të mirë këtë përgjegjësi? Salla e Mbretërisë duhet pastruar sipas një programi të rregullt. Duhet të jenë në dispozicion materialet dhe pajisjet që do të përdoren për pastrim. Duhet bërë e ditur lista e punëve që janë të nevojshme të bëhen, në mënyrë që punëtorët të mund të bazohen tek ajo për drejtim. Mund të bëhen dy lista të ndryshme, njëra për një pastrim tërësor të zakonshëm pas çdo mbledhjeje dhe tjetra për një pastrim javor më me themel. Drejtuesi i studimit të librit duhet ta programojë bërjen e pastrimit me themel në një ditë dhe në një orar që është i volitshëm për të gjithë ata që janë caktuar. Gjithashtu, një vëmendje e vazhdueshme u duhet kushtuar oborrit, luleve dhe pastrimit të shkurreve. Trotuaret dhe vendet e parkimit të makinave duhen mbajtur të pastra nga mbeturinat. Çdo vit duhet bërë një pastrim gjeneral, ndoshta pikërisht para Përkujtimit. Kjo mund të përfshijë pastrimin e dritareve, lyerjen ose pastrimin e mureve, larjen e tapetit, si edhe larjen e perdeve.
Sigurisht, të gjithë mund ta lehtësojmë peshën e kësaj pune duke mos hedhur çamçakëz a mbeturina brenda ose jashtë sallës. Pas çdo përdorimi mund ta pastrojmë banjën, duke e lënë atë të pastër për personin tjetër. Të bëjmë kujdes se mos thyejmë pajisjet ose dëmtojmë orenditë e tjera. Të vërejmë për njollat në tapet, për karriget e prishura, për problemet në sistemin hidraulik, për llambat e djegura, e të tjera si këto, dhe t’ia raportojmë menjëherë situatën vëllait që është përgjegjës për mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë.
Le të jemi të gjithë të gatshëm për të bërë pjesën tonë! Kjo gjë i kontribuon një shtëpie të këndshme adhurimi dhe na dallon si një popull i pastër që i sjell nderim Perëndisë Jehova.—1. Pjet. 1:16.