Çfarë t’i themi një ateisti?
1 «Jam ateiste»,—i tha një mësuese nga Polonia një misionareje në Afrikë. Megjithatë, motra arriti të bënte një diskutim me gruan dhe i dha asaj librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? Kur misionarja u kthye një javë më vonë, mësuesja i tha: «Nuk jam më një ateiste.» Ajo e kishte lexuar të gjithë librin Krijimi dhe tani kërkonte një studim biblik. Çfarë mund të bëjmë për të pasur sukses kur u japim dëshmi atyre që thonë se nuk besojnë te Perëndia? Së pari, le të konsiderojmë arsyet e ndryshme se përse njerëzit bëjnë një pohim të tillë.
2 Faktorë që i kontribuojnë mungesës së besimit: Jo të gjithë ateistët janë rritur si të tillë. Shumë merrnin pjesë në ndonjë lloj feje dhe dikur besonin te Perëndia. Megjithatë, problemet e rënda shëndetësore, familjare ose padrejtësitë e ndryshme që kanë përjetuar, kanë bërë që besimi i tyre të dobësohet. Te disa të tjerë, lëndët e mësuara në shkollat e larta kanë pasur një ndikim negativ përsa i përket konceptit të tyre për Perëndinë. Le të vërejmë shembujt e mëposhtëm të ateistëve, që zhvilluan së fundi një besim të fortë te Perëndia Jehova dhe u bënë Dëshmitarët e tij.
3 Një grua në Paris kishte si sëmundje që nga lindja, dobësi në kocka. Megjithëse e pagëzuar si katolike, pohoi se ishte ateiste. Kur i pyeti murgeshat se përse Perëndia kishte lejuar që ajo të lindte me një paaftësi fizike të tillë, ato iu përgjigjën: «Sepse ai të do.» Ajo nuk e pranoi këtë ide absurde. Të shqyrtojmë edhe rastin e një të riu në Finlandë, diagnoza e të cilit ishte një sëmundje e pashërueshme e muskujve dhe ndodhej i kufizuar në një karrocë invalidësh. Nëna e tij e çoi te një pentekostal i cili pohonte se shëronte njerëzit e sëmurë. Por nuk ndodhi ndonjë mrekulli shërimi. Si rezultat, i riu e humbi interesin për Perëndinë dhe u bë ateist.
4 Një burrë në Honduras ishte rritur si katolik, por studioi filozofinë socialiste dhe ateizmin. I bindur nga ajo që kishte mësuar në universitet se njerëzimi është produkt i evolucionit, ai nuk besoi më te Perëndia. Ngjashëm, një grua në shtetet e Bashkuara ishte rritur si metodiste. Në kolegj mori njohuri mbi filozofinë. Si ndikoi ajo te besimi i saj? Gruaja tha: «Brenda një stine vere ajo shkatërroi të gjithë besimin që kisha te feja.»
5 Të arrijmë zemrat e njerëzve të sinqertë: Shumë individë që thonë se nuk besojnë te Perëndia do ta çmonin të dinin nëse ka një zgjidhje për probleme të tilla, si: shëndeti i dobët, mosmarrëveshjet familjare, padrejtësitë e të tjera. Atyre u intereson sinqerisht të gjejnë përgjigjet e pyetjeve të tilla, si: ‘Përse ekziston e liga?’ ‘Përse gjërat e këqija u ndodhin njerëzve të mirë?’ dhe ‘Cili është qëllimi i jetës?’.
6 Një çift burrë e grua që jetojnë në Zvicër ishin rritur të dy si ateistë. Kur ranë në kontakt për herë të parë me të vërtetën, përgjigjja që dhanë ishte negative. Por ata kishin probleme serioze familjare dhe po mendonin të divorcoheshin. Kur Dëshmitarët i vizituan përsëri, i treguan çiftit me anë të Biblës se si t’i kapërcenin problemet që kishin. Çifti mbeti i habitur nga këshilla praktike që gjendej në Shkrime dhe pranoi të studionte Biblën. Martesa e tyre u forcua, bënë progres frymor dhe u pagëzuan.
7 Çfarë mund t’i themi një ateisti? Kur dikush na thotë se është ateist, të përpiqemi të zbulojmë arsyen se përse thotë ashtu. A është për shkak të arsimimit që ka marrë, problemeve që ka përjetuar apo të hipokrizisë dhe mësimeve të rreme fetare që ka vënë re? Ne mund ta pyesim: «Keni menduar gjithmonë kështu?» ose «Cila është arsyeja që keni arritur në këtë përfundim?». Përgjigjja e tij do të na ndihmojë që të dimë se ç’të themi. Kur kërkohen argumente të forta, libri A ka një krijues që interesohet për ju? mund të jetë pikërisht ajo që nevojitet.
8 Mund të vazhdojmë bisedën me një ateist duke e pyetur:
◼ «A e ke pyetur ndonjëherë veten: ‘Nëse ka një Perëndi, përse ka kaq shumë vuajtje dhe padrejtësi në botë?’ [Ta lëmë të përgjigjet.] A mund t’ju tregoj pikëpamjen e Biblës për këtë çështje?» Lexojmë Jereminë 10:23. Pas leximit të kërkojmë mendimin e tij për këtë shkrim. Pastaj t’i tregojmë faqet 16 dhe 17 në broshurën A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?. Ose, në vend të saj, mund të përdorim kapitullin 10 të librit Krijuesi. Ta ftojmë personin që të pranojë botimin dhe të lexojë materialin që ai përmban.
9 Duhet pranuar se jo të gjithë ateistët do ta pranojnë të vërtetën. Por ka shumë që janë të gatshëm të shqyrtojnë një pikëpamje tjetër nga e tyrja. Le të përdorim logjikën, forcën bindëse dhe mbi të gjitha, fuqinë Fjalës së Perëndisë, për t’i ndihmuar ata që të kuptojnë të vërtetën!—Vep. 28:23, 24; Hebr. 4:12.