Kërko ndihmë
1 Fjalët e frymëzuara «të vështira për t’u përballuar», përshkruajnë më së miri kohët tona kritike. (2. Tim. 3:1, BR) Prandaj, ç’mund të bësh kur ndesh sfida të vështira frymore, për të cilat mbase mendon se nuk je në gjendje t’i përballosh?
2 A je i gatshëm të flasësh me një anëtar të pjekur frymësisht të kongregacionit? Disa mund të ngurrojnë për ta bërë këtë, pasi mund të ndihen në siklet, duke mos dashur të përfitojnë ose duke dyshuar se dikush mund t’i ndihmojë me të vërtetë. Qartë, duhet të përpiqemi të kujdesemi për përgjegjësitë tona personale sa më mirë që mundemi, por gjithnjë duhet të ndihemi të lirë për të kërkuar ndihmë për çështje që përfshijnë mirëqenien tonë frymore.—Gal. 6:2, 5.
3 Nga t’ia fillosh: Ndoshta, mund të kesh dëshirë t’i afrohesh drejtuesit të grupit tënd të studimit e ta pyesësh nëse mund të punosh me të në shërbim. Kjo do të të jepte një mundësi për t’i treguar atij dëshirën tënde për t’u rritur frymësisht. Nëse ai është një shërbëtor ndihmës, bëji të ditur nevojën tënde për ndihmë frymore dhe ai do t’u kërkojë pleqve të të ndihmojnë. Ose mund t’i afrohesh ndonjërit prej pleqve në lidhje me çështje që të shqetësojnë.
4 Për çfarë ndihme ke nevojë? Mos vallë diçka ka frenuar zellin tënd? A je një prind i vetëm që përpiqesh t’i mbash fëmijët afër me kongregacionin? A je një i moshuar që ke nevojë për ndihmë? Apo ndonjë problem po të shkurajon? Të përballosh kohët tona kritike mund të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Ndihma është në dispozicion.
5 Ndihma e pleqve: Pleqtë kujdesen me sinqeritet. Ata do t’i dëgjojnë shqetësimet e tua. Nëse edhe lajmëtarë të tjerë po përballen me pengesa të ngjashme, pleqtë do ta mbajnë këtë parasysh kur kullotin dhe mësojnë kongregacionin. Si «shembull për tufën», ata qëndrojnë gati të punojnë përkrah teje me gëzim. (1. Pjet. 5:3) Dëgjimi i këtyre vëllezërve me përvojë, ndërsa arsyetojnë rreth parimeve biblike, mund të përmirësojë shërbimin tënd dhe të të ndihmojë në jetën tënde personale.—2. Tim. 3:16, 17.
6 Jezui na ka dhënë shumë «dhurata në njerëz». (Efes. 4:8, shën., BR) Kjo do të thotë se pleqtë janë në shërbimin tënd. Ata janë në dispozicion për të të ndihmuar. Në fakt, ata ‘të përkasin ty’. (1. Kor. 3:21-23, BR) Pra, në vend që të frenohesh, flit hapur. Kërko ndihmën që të duhet.