A jemi lajmëtarë të rregullt të Mbretërisë?
1 Të gjithë u gëzuam kur mësuam se vitin e kaluar të shërbimit, Shqipëria arriti një maksimum prej 1805 lajmëtarësh në muajin gusht. Me të vërtetë një përpjekje e bashkuar dhe e vendosur! Megjithatë, në dy muajt që pasuan ky numër zbriti. Me sa duket, disa prej këtyre lajmëtarëve kanë pasur vështirësi për të qenë lajmëtarë të rregullt të Mbretërisë. Gjithashtu, nga një analizë e raporteve të kongregacioneve, vërehet që 1 në 20 lajmëtarë nuk ka raportuar shërbimin në ndonjërin nga muajt e vitit të kaluar të shërbimit. Besojmë se inkurajimi i mëposhtëm mund të ndihmojë për ta ndrequr këtë situatë.
2 Të çmojmë privilegjin: Çmueshmëria jonë për privilegjin që kemi për të ndarë lajmin e mirë të Mbretërisë me të tjerët, duhet të vijë duke u thelluar. Ky aktivitet gëzon zemrën e Jehovait dhe i ndihmon personat me zemër të sinqertë që të mësojnë udhën e jetës. (Prov. 27:11; 1. Tim. 4:16) Duke u angazhuar rregullisht në dhënien e dëshmisë, mund të fitojmë më shumë përvojë në shërbim dhe mund të provojmë si rezultat një ndjenjë gëzimi dhe ndjenjën se kemi arritur të bëjmë diçka.
3 Të raportojmë aktivitetin: Disa që marrin pjesë në shërbim e lënë pas dore raportimin në kohë të aktivitetit të tyre. Nuk duhet të mendojmë kurrë se përpjekja jonë nuk ia vlente të raportohej. (Krahaso Markun 12:41-44.) Duhet ta raportojmë, medoemos, atë që kemi bërë! Pasja në shtëpi e një metode për të mbajtur shënime, si për shembull, përdorimi i një kalendari për të regjistruar sasinë e kohës së harxhuar në shërbim, do të shërbejë si një përkujtues i vazhdueshëm për të bërë në kohë një raport të saktë, tamam, në fund të çdo muaji.
4 Të japim ndihmën e nevojshme: Për të ndihmuar ata që kanë nevojë për ndihmë, për të marrë pjesë rregullisht në shërbim, mund të jetë e nevojshme të bëhen përmirësime të rregullimeve lokale. Sekretari i kongregacionit dhe drejtuesit e studimit të librit duhet të bëjnë rregullime që lajmëtarët me përvojë të japin njëfarë ndihme në këtë aspekt. Nëse kemi fëmijë ose studentë të tjerë të Biblës që janë lajmëtarë të papagëzuar, t’i stërvitim që të raportojnë çdo muaj aktivitetin e tyre.
5 Le të kujtojmë jetëshkrimin «Mirënjohëse për një jetë të gjatë në shërbim të Jehovait» që gjendet në Kullën e Rojës, 1 tetor 1997. Motra Otili Midlënd nga Norvegjia, u bë një lajmëtare e rregullt e lajmit të mirë përpara pagëzimit të saj në vitin 1921. Shtatëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, në moshën 99-vjeçare, ajo tha: «Jam e kënaqur që e kam ende të mundur të jem një lajmëtare e rregullt.» Çfarë qëndrimi i mrekullueshëm për t’u imituar nga të gjithë shërbëtorët e Jehovait!