Prilli—Një kohë për të qenë të zellshëm për vepra të shkëlqyera!
1 Ndërsa një uragan i afrohet një zone të populluar, nevoja për të paralajmëruar njerëzit në lidhje me rrezikun që u kanoset, bëhet urgjente. Sa më shumë që afrohet uragani, aq më i fortë duhet të jetë paralajmërimi. Përse? Sepse është në lojë jeta e njerëzve! Disa njerëz mund të mos i kenë dëgjuar paralajmërimet e mëparshme. Të tjerët mund t’i kenë dëgjuar, por e kanë lënë pas dore marrjen e masave për të shpëtuar. E njëjta gjë është e vërtetë për sa i përket paralajmërimit hyjnor që na është caktuar ta bëjmë të njohur botërisht, përpara se «furtuna» e zemërimit të drejtë të Perëndisë të fshijë çdo gjurmë të kësaj bote të lig. (Prov. 10:25) Është në lojë jeta e përhershme e miliarda njerëzve! Ky paralajmërim duhet të kumbojë kudo. Ne duhet të jemi «të zellshëm për vepra të shkëlqyera».—Titit 2:11-14, BR.
2 Populli i Jehovait është motivuar për dekada me radhë që ta bëjë sezonin e Përkujtimit, një kohë për të shfaqur zell të veçantë në shërbim. Në pranverën e vitit 1939, Njoftuesi, paraardhësi i Shërbimi ynë i Mbretërisë, siguroi këtë inkurajim: «Ndërkohë që pranvera po vjen, dhe me të edhe një mot i mirë, duhet të presim që të dyfishohet numri i orëve të shërbimit nga lajmëtarët [e kongregacionit], si edhe që të rritet në mënyrë domethënëse sasia e kohës së kushtuar në shërbim nga pionierët. Prilli është një muaj me pesë të diela. Ka, gjithashtu, edhe pesë të shtuna. Le ta bëjmë çdo të dielë dhe çdo të shtunë të prillit . . . një kohë për një dëshmi të veçantë.» Ky ishte një synim ambicioz për vëllezërit 60 vjet më parë. Këtë vit, pikërisht si në vitin 1939, muaji prill ka pesë fundjavë të plota. Çfarë planesh kemi për këtë muaj? Çfarë shënimesh kemi bërë në kalendarin tonë për prillin e vitit 2000? Le të planifikojmë të kemi një pjesëmarrje domethënëse në vepra të shkëlqyera me pjesën tjetër të popullit të Jehovait, gjatë këtij muaji të veçantë të një aktiviteti të zgjeruar frymor.
3 Çfarë shpresojmë të arrijmë?: Dita më e rëndësishme e vitit 2000 bie këtë muaj. Është 19 prilli, dita e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit. Le të bëjmë një përpjekje të veçantë për të ftuar sa më shumë njerëz që është e mundur në Përkujtim! Siç u sugjerua muajin e kaluar, le të bëjmë një listë të të gjithë pjesëmarrësve të mundshëm në Përkujtim dhe të sigurohemi që nuk kemi harruar ndonjë. Mes të ftuarve duhet përfshirë çdo lajmëtar joaktiv, studentët e Biblës, rivizitat, ata që studionin Biblën më parë, kolegët e punës, shokët e shkollës, fqinjët, të afërmit dhe të njohur të tjerë. A kanë mjete për të udhëtuar ata që duan të jenë të pranishëm në Përkujtim? Nëse jo, a mund të ofrojmë me dashuri ndihmën tonë? Mbrëmjen e Përkujtimit do të kemi të gjithë privilegjin për t’i bërë të pranishmit që të ndihen të mirëpritur. Pas Përkujtimit, ne mund të vazhdojmë t’u ofrojmë më tej ndihmë frymore këtyre personave të interesuar.
4 Duke qenë «të zellshëm për vepra të shkëlqyera» gjatë ditëve përpara dhe pas Përkujtimit, ne i tregojmë në një mënyrë të shkëlqyer Jehovait se e çmojmë me të vërtetë të gjithë atë që ka bërë për ne. Ditët më të gjata dhe moti më i mirë në mjaft zona, do të japin mundësi që shumë nga ne t’i shtojnë përpjekjet në aktivitetin e ungjillëzimit. Nëse jemi pionierë ndihmës, do të duam të bëjmë më të mirën tonë për të kushtuar 50 orë ose edhe më shumë në shërbim. (Mat. 5:37) T’i përmbahemi ngushtësisht programit që hartuam në fillim të muajit. (Ekl. 3:1; 1. Kor. 14:40) Pjesa tjetër le të bëjë atë që mundet për t’i mbështetur të gjithë pionierët qoftë duke i inkurajuar ata, qoftë duke punuar bashkë me ta në shërbim. (Krahaso 2. Mbret. 10:15, 16.) Nëse mbjellim me zell gjatë prillit, mund të presim të provojmë gëzim të madh, si edhe të kemi bekime nga Jehovai. (Mal. 3:10) Ndoshta kjo do të shërbejë si një gur kalimi për të shërbyer si pionier ndihmës në mënyrë të vazhdueshme ose për të filluar si pionier i rregullt. Le të vazhdojmë edhe më tej në muajt pasues me këtë vrull frymor që fituam në prill, ndërsa vazhdojmë të jemi lajmëtarë të rregullt të Mbretërisë!
5 Pa dyshim, mijëra pjesëtarë të popullit të Jehovait do të fillojnë më shumë studime biblike këtë muaj. A do të na pëlqente të fillonim edhe ne një? Le të lutemi në mënyrë specifike për një studim dhe të veprojmë në harmoni me lutjet tona. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i çmojë kërkesat tona të përulura për ndihmë që të gjejmë një person me zemër të sinqertë për ta mësuar.—1. Gjon. 3:22.
6 Këtu jepet një prezantim që është provuar në shërbim dhe që është përdorur me sukses për të filluar biseda me njerëzit. Fillojmë duke pyetur: «A mendoni se e gjithë dhuna që ekziston në shkollat shtetërore është rezultat i aktivitetit demonik apo vjen për shkak të mungesës së stërvitjes nga ana e prindërve?» E lëmë të përgjigjet. Nëse personi thotë «i aktivitetit demonik», të lexojmë Zbulesën 12:9, 12 dhe të theksojmë rolin e Djallit në nxitjen e trazirave në botë. Pastaj, të hapim broshurën Çfarë kërkon? në mësimin 4 dhe ta pyesim personin nëse i ka bërë ndonjëherë pyetje vetes se nga erdhi Djalli. Të vazhdojmë me leximin dhe diskutimin e dy paragrafëve të parë. Nëse personi përgjigjet se dhuna në shkollë është për shkak të «mungesës së stërvitjes nga ana e prindërve», të lexojmë 2. Timoteut 3:1-3 dhe të theksojmë faktorët që i kontribuojnë në mënyrë të dukshme këtij problemi. Pastaj të hapim broshurën Çfarë kërkon? në mësimin 8, të lexojmë paragrafin 5 dhe të vazhdojmë diskutimin. Nëse arrijmë të lëmë një takim për t’u rikthyer, mund të jemi duke i hapur rrugën fillimit të një studimi të rregullt biblik me personin. Në ndonjërën nga vizitat pasuese, le ta pyesim nëse njeh ndonjë person tjetër që mund t’i interesojë të dëgjojë atë që ai po mëson.
7 Një tjetër mënyrë për të qenë «të zellshëm për vepra të shkëlqyera» gjatë prillit, është që të marrim pjesë në predikim duke përdorur forma të ndryshme. A kemi menduar që të japim dëshmi në një park apo në një vend parkimi? Në një stacion autobusi a treni? Ose, a do të na pëlqente të provonim të jepnim dëshmi me telefon, në rrugë apo në një territor tregtar? Përse të mos i bëjmë realitet këto ide gjatë këtij muaji? Jehovai do të na ndihmojë që të kemi guximin e nevojshëm për ta bërë këtë. (Vep. 4:31; 1. Sel. 2:2b) Ndoshta mund ta lëmë që të punojmë me një pionier ose me një lajmëtar, i cili ka përvojë në këto aspekte të shërbimit.
8 Çdo personi që dëshiron të rritë pjesëmarrjen e tij në veprën e dëshmisë, i duhet të marrë pjesë në dhënien e dëshmisë joformale. Shpesh, e gjitha që kërkohet, është ta tërheqim një person në një bisedë miqësore. Thjesht, të prekim një çështje që është me interes për njerëzit, ndoshta duke përdorur prezantimin e theksuar në paragrafin 6. Të përpiqemi të shfrytëzojmë sa më mirë deri edhe minutat e sekondat, që përndryshe do të humbitnin kot. Ne nuk do ta flaknim tej një monedhë 10-lekëshe, 50-lekëshe ose edhe 200-lekëshe, vetëm sepse nuk përbën një mijëshe të plotë. Përse të mos përfitojmë që të përdorim, madje, edhe vetëm pesë minuta, dhjetë minuta apo një çerek ore për të dhënë dëshmi joformale?
9 Një kohë për të reflektuar: Le të mendojmë sërish për pikat e fuqishme që u theksuan vitin e kaluar, në dramën e Kongresit Krahinor «Fjala profetike e Perëndisë». Drama me titull Të çmojmë trashëgiminë tonë frymore, na bëri të mendojmë me kujdes rreth kontrastit ndërmjet Jakobit dhe Esaut. Esau tha se ashtu si Jakobi, kishte interes për çështjet frymore, por veprat e tij nuk e treguan këtë gjë. (Zan. 25:29-34) Ç’paralajmërim i fuqishëm për ne! Ashtu si Jakobi, le të jemi gati për të luftuar, madje për t’u munduar, që të marrim bekimin e Jehovait. (Zan. 32:24-29) Përse të mos e përdorim prillin dhe të gjithë muajt pasues për të ripërtërirë zellin tonë, duke mos e konsideruar kurrë si diçka të zakonshme trashëgiminë tonë të mrekullueshme frymore?
10 «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.» (Sof. 1:14, BR) Lajmi i mirë i Mbretërisë duhet të shpallet me të madhe kudo. Është në lojë jeta e njerëzve! Provoftë ky muaj se është veçanërisht i bekuar për të gjithë popullin e Jehovait, ndërsa tregojmë në unitet se jemi «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»!
[Kutia në faqen 4]
Përkujtues për Përkujtimin
Kremtimi i Përkujtimit këtë vit bie të mërkurën, më 19 prill. Pleqtë duhet t’u kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme:
◼ Kur caktoni kohën e mbledhjes, sigurohuni që emblemat të mos kalohen para se të ketë perënduar dielli.
◼ Secili, përfshirë dhe oratorin, duhet të jetë i informuar për kohën dhe vendin e saktë ku do të bëhet kremtimi.
◼ Duhet të jetë siguruar dhe bërë gati lloji i përshtatshëm i bukës dhe i verës.—Shiko Kullën e Rojës, 15 shkurt 1985, faqe 19, anglisht.
◼ Pjatat, gotat, një tryezë, si dhe një mbulesë tryeze e përshtatshme, duhet të sillen në sallë dhe të vendosen më përpara.
◼ Salla e Mbretërisë ose ndonjë vend tjetër i mbledhjes, duhet të jenë krejtësisht të pastra përpara kohe.
◼ Përcjellësit dhe ata që kalojnë emblemat, duhet të jenë zgjedhur dhe udhëzuar më përpara për procedurën e duhur dhe detyrat e tyre.
◼ Duhen bërë rregullime për t’i shërbyer ndonjërit prej të mirosurve që është i sëmurë dhe s’mund të jetë i pranishëm.
◼ Nëse është programuar që e njëjta Sallë Mbretërie të përdoret nga disa kongregacione, duhet të bëhet një bashkërendim i mirë ndërmjet kongregacioneve, në mënyrë që të shmangen ngjeshjet e panevojshme në sallë, në hyrje, në trotuare dhe në vendqëndrimin e makinave.