‘Të provuar për sa i përket aftësisë’—Si?
1 Me rritjen e vazhdueshme të organizatës së Jehovait, ka një nevojë gjithnjë e në rritje për vëllezër të kualifikuar që të shërbejnë si shërbëtorë ndihmës. Shumica e vëllezërve ende të paemëruar, duke përfshirë edhe adoleshentët, kanë dëshirë të shërbejnë në kongregacion. Kur caktohen për të bërë ndonjë punë shtesë, ndihen të dobishëm dhe provojnë ndjenjën se kanë arritur të bëjnë diçka. Përparimi i mëtejshëm i tyre varet nga fakti që ‘provohen për sa i përket aftësisë’. (1. Tim. 3:10, BR) Si arrihet kjo?
2 Roli i pleqve: Si pjesë e vlerësimit të një vëllai në bazë të kualifikimeve biblike për shërbëtorët ndihmës, që gjenden në 1. Timoteut 3:8-13, pleqtë provojnë edhe aftësinë e tij për të mbajtur mbi shpatulla përgjegjësi të ndryshme. Ata mund t’i caktojnë atij që të kryejë shërbime ndihmëse lidhur me shpërndarjen e revistave dhe të literaturës, shërbime që kanë të bëjnë me mikrofonat, mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë etj. Pleqtë do të vëzhgojnë se si reagon ai ndaj caktimeve që i jepen dhe si kujdeset për to. Ata do të kërkojnë të shohin nëse ai është i besueshëm, i përpiktë, i zellshëm, modest, nëse ka frymën e gatishmërisë dhe aftësinë për të shkuar mirë me të tjerët. (Filip. 2:20) A është shembullor për sa i përket veshjes dhe krehjes? A e ka ndjenjën e përgjegjësisë? Ata duan të shohin në «sjelljen e tij të shkëlqyer, veprat e tij me një butësi që i përket mençurisë». (Jak. 3:13, BR) A po synon me të vërtetë që të jetë një ndihmë në kongregacion? A po e zbaton urdhrin e Jezuit ‘për të bërë dishepuj’, duke marrë pjesë me zell në shërbimin në fushë?—Mat. 28:19; shiko Kulla e Rojës, 1 shtator 1990, faqet 18-28, anglisht.
3 Edhe pse nuk ka ndonjë minimum të përcaktuar moshe për t’u emëruar si shërbëtor ndihmës, Bibla u referohet vëllezërve të tillë, si «burra që shërbejnë». Vështirë të presim që ata të jenë me moshë aty nga fillimi ose mesi i viteve të adoleshencës, veçanërisht, pasi në Bibël përmendet edhe mundësia për të pasur një grua dhe fëmijë. (1. Tim. 3:12, 13, BR) Këta burra nuk duhet të jepen lehtë para ‘dëshirave të natyrshme të rinisë’, por duhet të sillen me seriozitet, duke pasur një qëndrim të shkëlqyer dhe një ndërgjegje të pastër përpara Perëndisë dhe njerëzve.—2. Tim. 2:22, BR.
4 Ndërsa dhuntitë natyrore janë të dobishme, ajo që vlen me të vërtetë te një person janë qëndrimi dhe fryma e tij. A dëshiron përulësisht një vëlla që të lëvdojë Perëndinë dhe të vihet në shërbim të vëllezërve të tij? Nëse po, Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tij për të bërë progres në kongregacion.