Jehovai jep fuqi
1 Cila është përshtypja jonë për apostullin Pavël? Ndërsa lexojmë librin e Veprave, kuptojmë se sa i zellshëm qe ai në shërbim të Jehovait. Si e kreu Pavli të gjithë atë që bëri? Ai tha: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij që më jep fuqi.» (Filip. 4:13) Edhe ne mund të përfitojmë nga fuqia që jep Jehovai. Në ç’mënyrë? Duke përfituar nga gjashtë masat që ka marrë për ne, për të na rigjallëruar dhe forcuar frymësisht.
2 Fjala e Perëndisë: Ashtu si na duhet të ushqehemi për të ruajtur forcën tonë fizike, po ashtu na duhet të ushqehemi me Fjalën e Perëndisë, që të mund të qëndrojmë gjallë frymësisht. (Mat. 4:4) Bibla siguron fuqinë për të na mbështetur. Që të ruajmë zellin dhe entuziazmin për të vërtetën, duhet të angazhohemi në një studim personal domethënës dhe të meditojmë çdo ditë nëse është e mundur.—Psal. 1:2, 3.
3 Lutja: Është e rëndësishme t’i afrohemi Jehovait, veçanërisht në ato kohë kur kemi një nevojë të veçantë. Me anë të frymës së tij, ai u jep fuqi energjike atyre që ia kërkojnë atë në lutje. (Luka 11:13; Efes. 3:16) Shkrimet na inkurajojnë ‘të ngulmojmë në lutje’. (Rom. 12:12) A e bëjmë këtë?
4 Kongregacioni: Inkurajim e forcë marrim si nga mbledhjet e kongregacionit, ashtu edhe nga shoqëria e ngrohtë që gëzojmë atje me vëllezërit dhe motrat. (Hebr. 10:24, 25) Kur jemi të shqetësuar ata na inkurajojnë dhe na mbështetin me dashuri.—Prov. 17:17; Ekl. 4:10.
5 Shërbimi në fushë: Pjesëmarrja e rregullt në shërbim na ndihmon që të jemi të përqendruar te Mbretëria dhe te bekimet e saj. Ne inkurajohemi edhe vetë kur i ndihmojmë të tjerët të mësojnë rreth Jehovait. (Vep. 20:35) Jo të gjithë ne mund të transferohemi atje ku ka më shumë nevojë, ose të shërbejmë në kohë të plotë, por mund të kemi një pjesëmarrje domethënëse në shërbim në forma të tjera.—Hebr. 6:10-12.
6 Mbikëqyrësit e krishterë: Ne nxjerrim dobi nga nxitja dhe ndihma që japin pleqtë. Jehovai i ka caktuar që ta kullotin tufën e Perëndisë që është lënë nën kujdesin e tyre. (1 Pjet. 5:2) Mbikëqyrësit udhëtues i ndërtojnë kongregacionet të cilëve u shërbejnë, sikurse bëri edhe Pavli në ditët e tij.—Rom. 1:11, 12.
7 Shembujt e atyre që janë besnikë: Merr forcë kur shqyrton shembujt pozitivë të shërbëtorëve të tjerë besnikë qoftë të kohëve të lashta, qoftë të kohëve moderne. (Hebr. 12:1) Kur kemi nevojë për të përtërirë forcat, përse të mos lexojmë jetëshkrime nxitëse në revistat tona, ndonjë raport ndërtues në Librin vjetor ose disa histori emocionuese të historisë moderne të Dëshmitarëve të Jehovait në librin Lajmëtarët?
8 Një vëlla, tani në mes të 90-ave, e pranoi të vërtetën kur ishte një djalosh. Në një moshë ende të re, besimi i tij u vu në sprovë. Së pari, disa që ishin shoqëruar në mënyrë aktive me kongregacionin e braktisën organizatën e Jehovait. Veç kësaj, kishte vështirësi në veprën shtëpi më shtëpi. Megjithatë, ai u mbështet gjithmonë te Jehovai. Shpejt, filloi të gjente kënaqësi në shërbim. Po sot? Me gjithë shëndetin e dobët, ai është ende një anëtar i familjes Bethel në Bruklin, duke shërbyer në Trupin Udhëheqës. Atij nuk i vjen aspak keq që ka qëndruar në organizatën e Jehovait.
9 Një motër që është anëtare e familjes Bethel në Britani, u pagëzua kur ishte 13 vjeçe. Një vit më pas filloi të shërbente si pioniere me vëllanë e saj më të madh dhe një vit pas kësaj, babai iu burgos për shkak të asnjanësisë së tij të krishterë gjatë Luftës II Botërore. Ajo iu drejtua vazhdimisht Jehovait për fuqi dhe vazhdoi t’i shërbente Perëndisë së vërtetë. Me kalimin e kohës, u martua me një vëlla besnik dhe vazhduan së bashku të bëjnë vullnetin e Jehovait. Pas 35 vjet martese, papritur burri i saj vdiq. Mori përsëri forcë nga Jehovai dhe ka vazhduar të shërbejë deri këtë ditë, duke shpresuar që të shërbejë përgjithmonë si një anëtare e familjes tokësore të Jehovait.
10 Jehovai i ndihmon dhe u jep forcë shërbëtorëve të tij besnikë. «Ai i jep fuqi të lodhurit dhe bën që ai pa energji dinamike të ketë fuqi të plotë me bollëk.» Ne mund të marrim nga ky burim i pashtershëm fuqie, duke përfituar nga të gjashta sigurimet e përmendura më lart. Të mos harrojmë: «Ata që shpresojnë te Jehovai do të rifitojnë fuqi. . . . Do të vrapojnë dhe nuk do të lodhen, do të ecin dhe nuk do të rraskapiten.» (Isa. 40:29-31, BR) Pavli u mbështet tërësisht te Jehovai për forcë, kështu duhet të bëjmë edhe ne.