Të bëjmë atë që është e mirë e të jemi për t’u lavdëruar!
1 «Kanë një paqe në mes tyre që nuk e kam parë kurrë te ndonjë popull tjetër.» «Është kënaqësi ta kesh këtë grup.» Këto janë disa komente tipike mes komenteve të shumta pozitive që u bënë nga vëzhguesit pas kongreseve krahinore të vitit të kaluar, të cilat theksojnë edhe njëherë reputacionin e shkëlqyer që kemi si organizatë. (Prov. 27:2; 1 Kor. 4:9) Në fund të fundit, ky lavdërim i shkon Jehovait. (Mat. 5:16) Një tjetër mundësi e shkëlqyer për të lavdëruar Perëndinë, qëndron tani para nesh në Kongresin Krahinor të këtij viti «Mësues të Fjalës së Perëndisë».
2 Çdo vit, marrim përkujtues të dashur lidhur me sjelljen e përshtatshme në kongres. Përse? Duke qenë se qëndrimi, veshja dhe sjellja e botës janë gjithnjë në rënie, ne nuk pranojmë të ndikohemi prej saj. Nuk duam të prishet reputacioni që kemi. (Efes. 2:2; 4:17) Le të mbajmë parasysh këshillat e mëposhtme!
3 Të bëjmë atë që është e mirë: në hotele ose në vendet e strehimit. Ne njihemi si njerëz të ndershëm. (Hebr. 13:18) Prandaj, duhet të themi të vërtetën lidhur me numrin e personave që qëndrojnë në dhomën tonë të hotelit ose të vendit të strehimit. Nuk duhet të gatuajmë në dhomë nëse kjo gjë nuk lejohet. Pronari i një vendstrehimi tha se mund t’i japë dhomat me çmime të ulëta për Dëshmitarët e Jehovait, sepse nuk i duhet kurrë të zëvendësojë peshqirët që i mungojnë kur ka mysafirë të tjerë. Ai e di se prona e tij do të mbahet mirë. Sigurisht, ne nuk duhet të marrim «suvenirë» nga hoteli. Përkundrazi, aty ku është zakon, të lëmë ndonjë bakshish të përshtatshëm si shenjë çmueshmërie për shërbimin e bërë. Gjithmonë të jemi të sjellshëm e të duruar me personelin e hotelit ose të vendit të strehimit.
4 Vëzhguesve u bën përshtypje kur i shohin të vegjlit tanë që sillen në mënyrë të sjellshme e të bindur. (Efes. 6:1, 2) Prindër, jeni të lutur t’i mbikëqyrni fëmijët tuaj që ata të mos bëhen një shqetësim për të tjerët duke përfshirë dhe rastet kur përdorin pishinat e notit dhe mjediset e tjera çlodhëse. Të gjithë duhet që të mos i përplasim dyert ose të mos bëjmë shumë zhurmë, veçanërisht vonë në mbrëmje.
5 Mund të bëjmë të mirën duke treguar nderim për mysafirët e tjerë që nuk janë Dëshmitarë e që ashtu si ne po përdorin hotelin ose vendin e strehimit. Disa hotele ankohen se delegatët e kongresit përdorin të gjithë akullin që gjendet në makinat e akullit për të mbushur ftohësit e tyre. Veç kësaj, nuk është e përshtatshme të merren me vete ushqime që jepen falas ose të mbushen enët me kafe për përdorim të mëvonshëm. Nuk duhet të mendojmë kurrë se ne bëjmë përjashtim kur është fjala për të zbatuar procedurat e hotelit ose të vendit të strehimit.
6 Të bëjmë atë që është e mirë: në vendin e kongresit. Është vënë re se disa delegatë nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me përcjellësit, duke u folur madje atyre në një mënyrë jo të krishterë. Duke qenë se nuk i kanë ndjekur udhëzimet e vëllezërve dhe kanë parkuar në një vend ku ligjërisht nuk lejohej, disa delegatëve u është marrë makina nga policia. Sigurisht një qëndrim, unë i pari, nuk e identifikon një person si bërës të së mirës dhe as i sjell lavdi Perëndisë Jehova. Prandaj, le të jemi të dashur, të durueshëm e bashkëpunues.—Gal. 5:22, 23, 25.
7 Kur hapen dyert e kongresit në orën 8.00, disa vëllezër e motra mund të shihen duke vrapuar e duke shtyrë që të zënë vendet «më të mira». Ka pasur dhe plagosje për shkak të një sjelljeje të tillë. Ndonëse është sugjeruar që të sillet me vete ushqim i lehtë për mbasdite, nuk është e përshtatshme që të shtrohen tryezat në vendet e parkimit për të pasur një vakt të madh. Kjo do të krijonte përshtypjen sikur jemi mbledhur për një piknik të madh.
8 Të bëjmë atë që është e mirë: me veshjen dhe krehjen tonë. Pasi ndoqi një nga kongreset krahinore të vitit të kaluar, redaktori i një gazete të njohur të një qyteti të madh shkroi: «Ajo që të bënte përshtypje më shumë se çdo gjë tjetër ishte sjellja e vetë Dëshmitarëve. Sa freskuese ishte të shihje kaq shumë njerëz me një pamje dinjitoze e që të ngjall respekt. Të veshur me rrobat më të mira, qindra familje duke paraqitur larminë e prejardhjeve raciale dhe etnike vërshonin qetë-qetë në stadium. Sjellja e tyre ishte në kontrast të thellë me atë të shumicës së turmave që mbushin zakonisht shkallët e stadiumeve. Në fakt, Dëshmitarët ndryshojnë mjaft nga shumica e turmave të tjera në përgjithësi. Është bërë më se e zakonshme të shohësh një sjellje të pahijshme të publikut. . . . Me të vërtetë, turma e Dëshmitarëve të kënaq syrin.» Mos lejofshim kurrë që veshja, krehja dhe sjellja jonë të zbehin në ndonjë farë mënyre atmosferën frymore të kongresit.—Filip. 1:10; 1 Tim. 2:9, 10.
9 Të bëjmë atë që është e mirë: gjatë pagëzimit. Kandidatët për pagëzim do të duan ta trajtojnë këtë rast me shumë dinjitet. Duke veshur një kostum banje modest do të tregohet çmueshmëria për shenjtërinë e rastit. Do të ishte shumë e dobishme për drejtuesit e studimit të Biblës që të shqyrtonin me studentët e tyre, përpara ndjekjes së kongresit, «Pyetje nga lexuesit» në numrin e Kullës së Rojës së 1 korrikut, 1995.
10 Sjellja jonë dinjitoze dhe e perëndishme jep dëshmi për bindjet tona të krishtere dhe e bën më të lehtë për personat me zemër të sinqertë që ta pranojnë të vërtetën. Atëherë, le të ‘vazhdojmë të bëjmë të mirën’ dhe të jemi për t’u lavdëruar, ndërsa ndjekim Kongresin Krahinor «Mësues të Fjalës së Perëndisë».—Rom. 13:3.