A mund të shërbejmë ku ka më shumë nevojë?
1 A kemi menduar ndonjëherë të transferohemi atje ku ka nevojë për më shumë lajmëtarë të Mbretërisë? Nëse na bëhet ftesa ‘të kalojmë . . . dhe të ndihmojmë’, a do të përgjigjeshim sikurse bëri dhe apostulli Pavël? (Vep. 16:9, 10) Në shumë kongregacione ka nevojë për familje të pjekura në kuptimin frymor ose për pionierë që të ndihmojnë për mbulimin e territorit. Gjithashtu, ka nevojë për pleq dhe shërbëtorë ndihmës të kualifikuar që të ndihmojnë në drejtimin e punëve. Territori mund të përbëhet nga qyteza të veçuara e të shpërndara në zona të gjera. Salla më e afërt e Mbretërisë mund të jetë shumë larg. Mundësia për punë mund të jetë e kufizuar. Moti mund të mos jetë gjithnjë i shkëlqyer. A do të ishim të gatshëm ta pranonim një sfidë të tillë? Si mund t’i dilet me sukses në këtë rast?
2 Nevojitet besim dhe të mbështetesh te Jehovai: Nën drejtimin e Perëndisë, Abrami la Urin, qytetin e tij të lindjes dhe udhëtoi 1.000 kilometra për në Haran bashkë me gruan e tij, nipin dhe të atin e moshuar, Terahun. (Zan. 11:31, 32; Neh. 9:7) Pas vdekjes së Terahut, Jehovai e urdhëroi Abramin, tani në moshën 75-vjeçare, që ta linte Haranin dhe të afërmit e tij dhe të udhëtonte drejt një vendi që do t’i tregonte Perëndia. Abrami, Saraja dhe Loti «u nisën». (Zan. 12:1, 4, 5) Sigurisht, Abrami nuk u transferua me qëllim që të shërbente atje ku kishte më shumë nevojë për shërbëtorë. Por transferimi i tij kërkonte diçka. Çfarë?
3 Abramit i duhej të kishte besim dhe të mbështetej te Jehovai për të ndërmarrë diçka të tillë. Mënyra e tij e të menduarit dhe e të jetuarit duhej të ndryshonte. Duhej të linte sigurinë që kishte pranë të afërmve të tij. Por Abrami u mbështet te Jehovai i sigurt se ai do të kujdesej për të dhe për familjen e tij. Në mënyrë të ngjashme, sot, shumë veta kanë treguar se mbështeten te Jehovai.
4 Caktime afatshkurtra: A i kemi shijuar ndonjëherë bekimet e pasura që vijnë kur punojmë në një territor të papredikuar? Ka shumë zona me qytete e fshatra në Shqipëri që nuk janë predikuar ndonjëherë. A do t’ia vlenin përpjekjet për të shërbyer atje?
5 Një vëlla nga Kalifornia, SHBA, shkroi: «Në fillim, kur m’u kërkua që të çoja një grup në një territor të punuar rrallë, ngurrova. Por, vendosa ta pranoja caktimin. Jo vetëm që nuk u pendova kurrë për këtë, por kjo gjë ndryshoi jetën time. E falënderoj Jehovain çdo ditë për privilegjin që pata të marr pjesë në atë udhëtim.» Një vëlla nga Florida që shkoi në një zonë shumë të largët tha se kjo ishte përvoja më e paharrueshme e 20 vjetëve të tij në të vërtetën. Kurse një adoleshent tha: «Kjo ishte përvoja më e bukur e jetës sime!» Shumica e lajmëtarëve pranojnë se duke shërbyer qoftë edhe për një kohë të shkurtër atje ku ka më shumë nevojë, u është thelluar çmueshmëria për shërbimin. Le të flasim me ata që e kanë bërë këtë. Do të vërejmë se kjo i ka forcuar frymësisht dhe se ka të ngjarë ta bëjnë prapë diçka të tillë nëse u jepet rasti.
6 Pranimi i një caktimi të përkohshëm për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë, mund t’i shërbejë edhe një qëllimi tjetër. Ata që e bëjnë këtë, mund të fitojnë informacion të dobishëm që i ndihmon ‘të llogaritin shpenzimet’ e transferimit në një pjesë tjetër të vendit.—Luka 14:28.
7 Jehovai është i vendosur të bëjë që lajmi i mirë të shpallet «në gjithë tokën e banuar» përpara se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Duke e ditur këtë, nëse kemi mundësi, a do të jemi të gatshëm të transferohemi atje ku ka më shumë nevojë? Në shumë zona ka një nevojë të tillë.
8 Të transferohemi ku ka më shumë nevojë: A kemi dalë në pension? A kemi të ardhura të vazhdueshme? Nëse jo, a mund të gjejmë ndonjë mënyrë për t’u vetëpunësuar? A jemi në gjendje të sigurojmë jetesën në çdo vend ku mund të jemi me anë të telefonit ose kompjuterit? Nëse vetë nuk mund të transferohemi në ndonjë vend tjetër, a mund të mbështetim ndonjë nga pjesëtarët e familjes që të shërbejë diku gjetkë?
9 Nëse pas shqyrtimit të çështjes në lutje, ndihemi se jemi në gjendje të përballojmë sfidën e transferimit në një vend ku ka më shumë nevojë, le ta diskutojmë çështjen me familjen dhe me pleqtë e kongregacionit ku bëjmë pjesë. Më pas, të përgatitim një letër e t’ia japim atë pleqve që ata të mund të shtojnë sugjerimet dhe këshillat e tyre përpara se t’ia dërgojnë atë zyrës së degës.
10 Çfarë duhet të përfshijmë në këtë letër? Moshën, datën e pagëzimit, përgjegjësitë që kemi në kongregacion, gjendjen civile dhe nëse kemi fëmijë të vegjël. Të përmendim vendet ku parapëlqejmë të shërbejmë, në përputhje me nevojat personale. Për shembull, a mund të jetojmë atje ku klima është e nxehtë dhe ka lagështirë? A mund t’i përballojmë dimrat e ftohtë? A mund të jetojmë në vende malore? A dimë ndonjë gjuhë të huaj?
11 A kemi zell dhe iniciativë? A na e lejojnë rrethanat që të shërbejmë atje ku ka më shumë nevojë? Nëse po, atëherë le të vërejmë se si Jehovai derdh vazhdimisht bekime të pasura mbi ata që mbështeten tek ai, ndërkohë që tregojnë një frymë vetëmohuese!—Psal. 34:8; Mal. 3:10.