Jemi «teatër»!
1 Apostulli Pavël shkroi: «Jemi bërë teatër për botën, për engjëjt dhe për njerëzit.» (1 Kor. 4:9) Çfarë do të thotë kjo dhe si duhet të ndikojë sot në shërbimin tonë?
2 Shprehja «teatër» ka të ngjarë t’i sillte ndër mend një korintasi mbylljen e një gare gladiatorësh në Romë, ku njerëzit e dënuar kalonin me radhë para mijëra shikuesish përpara se të vriteshin në një mënyrë të egër. Ngjashëm, një numër i madh shikuesish, i përbërë nga njerëz dhe engjëj, vërejtën vuajtjet që hoqën të krishterët e shekullit të parë, ngaqë dëshmuan për Mbretërinë. (Hebr. 10:32, 33) Udha e tyre si mbajtës të integritetit ndikoi te një numër i madh shikuesish, pikërisht siç ndikon qëndrueshmëria jonë në kohët e sotme. Për kë jemi ne teatër?
3 Për botën dhe për njerëzit: Disa herë mjetet e informacionit japin lajme rreth veprimtarive të popullit të Jehovait. Ndërkohë që i vlerësojmë lajmet ku flitet mirë, të cilat bazohen në fakte dhe janë pa paragjykime në lidhje me veprën tonë, presim, gjithashtu, që herë pas here të përhapen edhe lajme ku flitet keq nga ata që na përgojojnë. Megjithatë, duhet të vazhdojmë ta paraqesim veten si shërbëtorë të Perëndisë «nëpërmjet një emri të keq e një emri të mirë». (2 Kor. 6:4, 8) Për vëzhguesit me zemër të sinqertë është e qartë që ne jemi dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit.
4 Për engjëjt: Edhe krijesat frymore na vërejnë. Djalli dhe demonët e tij vështrojnë, por me «zemërim të madh», duke kërkuar ta ndalin «veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (Zbul. 12:9, 12, 17) Engjëjt besnikë të Perëndisë vështrojnë dhe gëzohen kur qoftë dhe një mëkatar pendohet. (Luka 15:10) Dijenia se engjëjt e shohin shërbimin tonë si veprën më urgjente e më të dobishme që po kryhet sot në tokë, duhet të na forcojë!—Zbul. 14:6, 7.
5 Kur hasim kundërshtime ose kur mendojmë që shërbimi ynë nuk po jep fryte, le të kujtojmë që jemi qendra e vëmendjes universale. Qëndrueshmëria jonë besnike flet kaq shumë. Së fundi, ‘lufta jonë e shkëlqyer e besimit’ do të na japë mundësi ‘të rrokim jetën e përhershme’.—1 Tim. 6:12.