«Të predikojmë plotësisht fjalën e Perëndisë»
1 Kur ndihemi sinqerisht mirënjohës për faktin që kemi marrë diçka të mirë, a nuk e tregojmë këtë mirënjohje me anë të qëndrimit dhe veprimeve tona? Sigurisht që po! Le të vërejmë se si reagoi Pavli ndaj mirësisë dhe dashamirësisë së dashur që tregon Jehovai për njerëzimin. Ai u shpreh: «Faleminderit Perëndisë për dhuratën e tij të papërshkrueshme falas!» Çfarë përfshin kjo ‘dhuratë falas’? Të gjithë ‘dashamirësinë e pamerituar tejet të madhe të Perëndisë’ që është treguar ndaj nesh, shfaqja më e madhe e së cilës ishte dhurimi i vetë Birit të tij si një shpërblesë për mëkatet tona.—2 Kor. 9:14, 15; Gjoni 3:16.
2 A ishte kjo shprehje falënderimi thjesht fjalë nga ana e Pavlit? Aspak! Ai e tregoi në shumë mënyra mirënjohjen e tij të thellë. Pavli interesohej shumë për mirëqenien frymore të të bashkëkrishterëve dhe donte të bënte atë që mundte për t’i ndihmuar që të nxirrnin dobi të plotë nga dashamirësia e dashur e Perëndisë. Lidhur me ta, Pavli tha: «Duke pasur përzemërsi të butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.» (1 Sel. 2:8) Përveçse ndihmoi që të siguronin shpëtimin ata që tashmë ishin pjesë e kongregacionit, Pavli predikoi, gjithashtu, pa u lodhur lajmin e mirë, duke përshkuar mijëra kilometra në tokë e në det për të gjetur ata «që ishin të prirur drejt jetës së përhershme». (Vep. 13:48) Mirënjohja e thellë e Pavlit për gjithçka që Jehovai kishte bërë për të, e nxiti ‘ta predikonte plotësisht fjalën e Perëndisë’.—Kolos. 1:25.
3 A nuk na nxit mirënjohja për të gjithë atë që Jehovai ka bërë për ne, që t’u japim ndihmë frymore atyre që kanë nevojë në kongregacionin tonë? (Gal. 6:10) Veç kësaj, a nuk na nxit kjo mirënjohje që të marrim pjesë sa më plotësisht në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë në gjithë territorin tonë?—Mat. 24:14.
4 Një mundësi për të treguar mirënjohje: Çdo vit, Përkujtimi i vdekjes së Krishtit na jep një mundësi të veçantë të tregojmë mirënjohje për atë që kanë bërë Jehovai dhe Jezui për ne. Kjo nuk është vetëm një mbledhje tjetër ose thjesht përkujtimi i një ngjarjeje. Jezui tha: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» (Luka 22:19) Përkujtimi i vdekjes së Krishtit është një rast për të medituar rreth llojit të personit që është Jezui. Është një kohë për të pranuar se sot ai është gjallë dhe veprues, me lavdinë dhe pozitën si mbret që iu dha për rrugën besnike që ndoqi në jetë dhe për sakrificën që bëri. Ky kremtim është, gjithashtu, një mundësi për të treguar nënshtrimin tonë ndaj kryesisë së Krishtit, ndërsa drejton çështjet dhe veprimtaritë e kongregacionit të krishterë. (Kolos. 1:17-20) Të gjithë në popullin e Perëndisë duhet ta ndjekin me respekt Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Këtë vit ai do të mbahet pas perëndimit të diellit, të enjten më 28 mars 2002.
5 Falë përpjekjes së zellshme që u bë vitin e kaluar përpara mbajtjes së Përkujtimit, numri i të pranishmëve arriti në 10.683 veta. Sa do të jetë pjesëmarrja këtë vit? Shumë do të varet nga ajo nëse ‘punojmë pa u lodhur dhe përpiqemi’ të ndihmojmë sa më shumë njerëz që të jenë të pranishëm.—1 Tim. 4:10.
6 Përveçse të jemi të pranishëm në Darkën e Zotërisë, ne mund edhe që ta shtojmë pjesëmarrjen tonë në shërbim. Pa dyshim, dhjetra mijë vëllezër e motra do të shërbejnë si pionierë ndihmës për një ose më shumë muaj. Vitin e kaluar kemi pasur një maksimum prej 1.230 pionierësh ndihmës, për periudhën e Përkujtimit, nga muajt mars deri në maj. A mund t’i rregullojmë punët tona në mënyrë që të gëzojmë privilegjin për të shërbyer si pionierë ndihmës këtë vit? Do të ishte një mënyrë e shkëlqyer për të treguar mirënjohjen tonë të sinqertë për dhuratën e dashur të Perëndisë, pra, flijimin e Krishtit. Mund të jemi të sigurt për bekimin e Jehovait, sikurse tregojnë dhe përvojat e mëposhtme.
7 Një motër që punon në kohë të plotë shkroi për përvojën e saj si pioniere ndihmëse gjatë marsit të kaluar: «Shërbimi ynë i Mbretërisë i shkurtit 2001, i nxiste të gjithë ata, të cilëve ua lejonin rrethanat, që të shërbenin si pionierë ndihmës gjatë periudhës së Përkujtimit. Duke qenë se marsi kishte pesë të shtuna, kjo u përputh mirë me programin tim. Kështu vendosa të dorëzoja kërkesën time.» Kur filloi muajin, i vuri si synim vetes që të përpiqej të fillonte një studim biblik. A ia doli? Po, kur kishte dëshmuar 52 orë për atë muaj! Cili ishte përfundimi që nxori? «Ka bekime të mrekullueshme kur bëjmë më shumë përpjekje se zakonisht.»
8 Cilat janë dobitë për pjesëtarët e një familjeje që shërbejnë të gjithë së bashku si pionierë? Për një familje prej katër vetash që e bëri këtë vitin e kaluar, prilli ishte një muaj i paharrueshëm. Nëna tha: «Ç’pikëpamje pozitive kishim për secilën ditë, duke qenë se ishim të bashkuar në shërbim! Diskutimet për veprimtaritë tona të ditës në shërbim e bënin kohën e drekës shumë të gëzueshme.» Djali tha: «U kënaqa që dola në shërbim me babin gjatë javës, kohë, që normalisht është në punë.» Babai shtoi: «Si kreu i familjes, ndjeva kënaqësi duke e ditur se po punonim së bashku në veprën më të rëndësishme të kohës sonë.» A mund të shërbejmë si pionierë ndihmës së bashku si familje? Përse të mos bëjmë një diskutim familjar rreth kësaj dhe të shohim nëse është e mundur që të gjithë pjesëtarët e familjes të shërbejnë si pionierë gjatë kësaj periudhe të Përkujtimit?
9 A mund ta bëjmë marsin muajin tonë më të mirë? Në fillim të vitit 2000, në Shërbimi ynë i Mbretërisë u bë pyetja: «A mund ta bëjmë prillin 2000 muajin tonë më të mirë?» Cila ishte përgjigjja? U arritën disa maksimume të reja. Pati një maksimum prej 640 pionierësh ndihmës. Veç kësaj, patëm maksimume të reja në orë, revista dhe rivizita. A e mbajmë mend entuziazmin që kishte në kongregacionin tonë nga veprimtaritë e shumta frymore gjatë atij muaji të veçantë? A mund t’i arrijmë përsëri apo madje t’i kalojmë këto rezultate gjatë këtij viti? Me një përpjekje të përbashkët nga të gjithë, marsi 2002 mund të bëhet «muaji ynë më i mirë». Përse marsi?
10 Për dy arsye marsi duhet të jetë një muaj i veçantë veprimtarie. Së pari, Përkujtimi do të mbahet nga fundi i marsit, duke na dhënë mundësi të mëdha të ftojmë që në fillim të muajit sa më shumë njerëz për të qenë të pranishëm. Së dyti, marsi i këtij viti ka pesë fundjavë të plota, duke e bërë më të lehtë shërbimin si pionierë ndihmës për ata që janë në punë ose që ndjekin shkollën. Përse të mos ulemi që tani e të bëjmë një program praktik, duke përdorur kalendarin që siguron kjo shtojcë? Shërbimi si pionier ndihmës mund të jetë më i lehtë nga ç’mund ta mendojmë. Për shembull, duke programuar 8 orë shërbim për secilën nga të pesë fundjavët, do të na duhet të programojmë vetëm 10 orë gjatë pjesës tjetër të muajit për të arritur kuotën e 50 orëve.
11 Çfarë mund të bëjnë pleqtë për t’i ndihmuar të gjithë në kongregacion që ‘ta predikojnë plotësisht fjalën e Perëndisë’? Të nxitin entuziazmin nëpërmjet pjesëve në mbledhje dhe bisedave personale. Mbikëqyrësit e Studimit të Librit të Kongregacionit dhe ndihmësit e tyre, mund të jenë të parët për të folur me secilin lajmëtar të caktuar në grupin e tyre dhe të ofrojnë ndihmë personale. E gjitha që mund të nevojitet mund të jenë disa fjalë dashamirëse inkurajimi ose disa sugjerime praktike. (Prov. 25:11) Shumë do të shohin se me disa rregullime të vogla në programin e tyre, mund të gëzojnë privilegjin për të shërbyer si pionierë ndihmës. Në një numër kongregacionesh, shumica, për të mos thënë të gjithë pleqtë, shërbëtorët ndihmës dhe gratë e tyre, japin një shembull të shkëlqyer duke shërbyer së bashku si pionierë ndihmës gjatë periudhës së Përkujtimit. Kjo ka nxitur shumë lajmëtarë që t’u bashkohen atyre. Për shkak të kufizimeve fizike ose të rrethanave të tjera, disa lajmëtarë mund të mos jenë në gjendje që të shërbejnë si pionierë. Ata mund të nxiten që të tregojnë mirënjohjen e tyre duke bërë aq sa munden në shërbim me pjesën tjetër të kongregacionit.
12 Suksesi varet nga një planifikim i kujdesshëm nga ana e pleqve. Mbledhjet për shërbim duhen programuar në kohë të volitshme gjatë gjithë javës. Nëse është e mundur, mbikëqyrësi i shërbimit do të caktojë që më përpara vëllezër të kualifikuar që të drejtojnë të gjitha mbledhjet për shërbim. Kërkohet përgatitje e mirë, në mënyrë që këto mbledhje të mos zgjasin më shumë se 10-15 minuta, duke përfshirë organizimin e grupeve, caktimin e territorit dhe lutjen. (Shih Kutia e pyetjes në Shërbimi ynë i Mbretërisë, shtator 2001.) Kongregacionit i duhet shpjeguar qartë programi i veprimtarisë për muajin dhe ky të vendoset në tabelën e informacionit.
13 Duhet të ketë territor të mjaftueshëm në dispozicion. Mbikëqyrësi i shërbimit duhet të takojë vëllanë që merret me territoret dhe të bëjë rregullime për të punuar ato territore që nuk janë predikuar shpesh. Duhet vënë theksi në gjetjen e atyre që nuk janë në shtëpi, në dhënien e dëshmisë në rrugë, dyqan më dyqan dhe në mbrëmje. Aty ku është e mundur, disa lajmëtarë mund të ndihmohen për të dhënë dëshmi me telefon.
14 T’i ndihmojmë që të shërbejnë përsëri: A ka në territorin e kongregacionit tonë ndonjë që nuk është më aktiv në predikimin e lajmit të mirë? Këta janë ende pjesë e kongregacionit dhe kanë nevojë për ndihmë. (Psal. 119:176) Duke qenë se fundi i kësaj bote të vjetër është kaq afër dhe se bota e re është tamam para nesh, kemi arsye të vlefshme që të bëjmë çdo përpjekje për t’i ndihmuar ata që janë bërë joaktivë. (Rom. 13:11, 12) Gjatë pesë viteve të fundit, i janë përgjigjur ndihmës dhe janë bërë sërish aktivë më shumë se 26.500 veta çdo vit. Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar edhe shumë të tjerë që të rigjallërojnë dashurinë dhe besimin që kishin në fillim?—Hebr. 3:12-14.
15 Trupi i pleqve do të diskutojë se si mund të ndihmohen ata që janë bërë joaktivë gjatë këtyre viteve të fundit. (Mat. 18:12-14) Sekretari duhet të kontrollojë kartelat e Regjistrimit të Lajmëtarit të Kongregacionit dhe të shënojë të gjithë joaktivët. Për t’i ndihmuar këta persona, duhet bërë një përpjekje e veçantë nëpërmjet vizitave baritore. Një plak mund të dojë të vizitojë një lajmëtar të veçantë, për shkak se e ka njohur dhe, më parë, kanë pasur shoqëri, ose mund të kërkohet ndihma e lajmëtarëve të tjerë. Ndoshta këta kanë studiuar me atë që tani është joaktiv dhe do të ishin të gatshëm të jepnin një ndihmë të veçantë në këtë kohë nevoje. Shpresohet që shumë prej atyre që janë bërë joaktivë, të nxiten për të filluar sërish të predikojnë fjalën e Perëndisë. Nëse kualifikohen, nuk do të ketë kohë më të mirë për ta për të filluar, se sa gjatë periudhës së Përkujtimit.—Shih Kutia e pyetjes në Shërbimi ynë i Mbretërisë, nëntor 2000, për hollësira të mëtejshme.
16 A kualifikohen të tjerë për të predikuar? Jehovai vazhdon ta bekojë popullin e tij duke sjellë në të «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve». (Hag. 2:7, BR) Çdo vit kualifikohen me mijëra si lajmëtarë të papagëzuar. Kush janë këta? Janë fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait dhe studentë të Biblës që bëjnë përparim. Si e dimë nëse janë të kualifikuar për të qenë lajmëtarë të lajmit të mirë?
17 Fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait: Shumë fëmijë i kanë shoqëruar prej vitesh prindërit e tyre në veprën shtëpi më shtëpi, ndonëse nuk shërbejnë ende si lajmëtarë të papagëzuar. Marsi mund të jetë një kohë e mirë për ta për të filluar. Si mund ta kuptoni nëse fëmija juaj është i kualifikuar? Faqja 100 në librin Të organizuar thotë se kjo kuptohet kur një fëmijë «është shembullor në sjelljen e tij dhe në gjendje për të bërë personalisht shprehjen e besimit tij, duke folur me të tjerët për lajmin e mirë, i nxitur nga zemra». Nëse mendoni se fëmija juaj është i kualifikuar, flitni me njërin nga pleqtë në Komitetin e Shërbimit të Kongregacionit.
18 Studentët e kualifikuar të Biblës: Pasi një student i Biblës ka marrë njohurinë dhe ka njëfarë kohe që i ndjek mbledhjet, mund të dojë të bëhet një lajmëtar i Mbretërisë. Nëse po drejtojmë studimin me një student të tillë, të shqyrtojmë këto pyetje: A po bën përparim, në përputhje me moshën dhe aftësitë e tij? A ka filluar ta ndajë besimin në mënyrë joformale me të tjerët? A po vesh «personalitetin e ri»? (Kolos. 3:10) A i plotëson kërkesat për një lajmëtar të papagëzuar, siç tregohet në faqet 97-99 të librit Të organizuar? Nëse po, duhet të flasim me Komitetin e Shërbimit të Kongregacionit, në mënyrë që dy pleq të takohen me ne dhe studentin. Nëse kualifikohet, të dy pleqtë do t’i thonë që mund të fillojë të marrë pjesë në shërbimin publik.
19 Ç’mund të themi për prillin dhe majin? Edhe këta do të jenë muaj të veçantë për një pjesëmarrje më të madhe në shërbim. Shumë që shërbejnë si pionierë ndihmës në mars, mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë përsëri në prill dhe/ose në maj. Gjatë prillit dhe majit do t’i japim përparësi prezantimit të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në shërbim. Ç’ndikim të dobishëm kanë pasur ato në jetën e atyre që i lexojnë! Këto revista kanë luajtur një rol të madh në rritjen e mrekullueshme që është përjetuar në mbarë botën. Gjatë prillit dhe majit do të bëhet një përpjekje e veçantë për t’ua ofruar revistat sa më shumë njerëzve që është e mundur. Të bëjmë plane që tani për të pasur një pjesëmarrje sa më të plotë.
20 Me këtë plan për të shtuar aktivitetin e predikimit, a kemi nevojë ta rritim numrin e revistave që marrim në kongregacion? Gjatë gjithë vitit të shërbimit, ne prezantojmë Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! çdo të shtunë, që është dita jonë e caktuar e revistave. Megjithatë, duke qenë se shumë do të marrin pjesë në shërbimin si pionier ndihmës dhe të gjithë do të prezantojnë revistat për plot dy muaj, mund të jetë e nevojshme që të porositim më shumë revista. Nëse është kështu, jemi të lutur të njoftojmë menjëherë vëllanë që merret me revistat në kongregacionin tonë. Ndërkohë, vëllai që merret me literaturën duhet të sigurohet se ka në dispozicion për t’u përdorur nga të gjithë, një sasi të mjaftueshme të fletushkës A dëshiron të dish më shumë për Biblën?
21 Shumë veta kanë shprehur mirënjohje për pjesën në Shërbimi ynë i Mbretërisë me titull: «Çfarë të themi për revistat?» A kemi nxjerrë dobi nga ky sigurim, duke mësuar prezantimet e thjeshta të revistave? Përse të mos përdorim një pjesë të studimit të përjavshëm familjar të Biblës për t’i praktikuar këto prezantime?
22 Të nxjerrim plotësisht dobi nga periudha e këtij Përkujtimi: Ashtu si apostulli Pavël, le t’i tregojmë Jehovait se sa shumë mirënjohës jemi për «dhuratën e tij të papërshkrueshme falas» duke marrë pjesë plotësisht në veprimtaritë frymore të planifikuara për këtë periudhë të Përkujtimit. Kjo përfshin (1) të jemi të pranishëm në rastin më të rëndësishëm të vitit, në kremtimin e Darkës së Zotërisë, që do të jetë të enjten më 28 mars 2002; (2) të ndihmojmë ata që janë bërë joaktivë të rigjallërojnë ‘dashurinë që kishin në fillim’ (Zbul. 2:4; Rom. 12:11); (3) të ndihmojmë fëmijët tanë dhe çdo student të Biblës që të kualifikohen për t’u bërë lajmëtarë të papagëzuar dhe (4) të përfshihemi në veprën e ungjillëzimit sa më plotësisht që është e mundur, duke shërbyer edhe si pionierë ndihmës në mars e në vazhdim.—2 Tim. 4:5.
23 Lutja jonë e zjarrtë është që të gjithë të kemi një pjesëmarrje të plotë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë në këtë periudhë të Përkujtimit, duke treguar se sa e thellë është mirënjohja jonë për gjithçka që Jehovai ka bërë për ne.
[Kutia në faqen 6]
Program personal shërbimi për muajin mars 2002
E hënë E martë E mërkurë E enjte E premte E shtunë E diel
1 2 3
Dita e revistave
4 5 6 7 8 9 10
Dita e revistave
11 12 13 14 15 16 17
Dita e revistave
18 19 20 21 22 23 24
Dita e revistave
25 26 27 28 29 30 31
PËRKUJTIMI Dita e revistave
PAS PERËNDIMIT
TË DIELLIT
A mund të programojmë 50 orë për të shërbyer si pionier ndihmës në mars?