A është i madh territori i kongregacionit tonë?
1 Jezui dha një dëshmi të plotë në të gjithë territorin e madh të Izraelit të lashtë, nga qytetet e Judës deri në fshatrat e Galilesë. (Mar. 1:38, 39; Luka 23:5) Edhe ne duhet të flasim për lajmin e mirë me sa më shumë njerëz që është e mundur. (Mar. 13:10) Megjithatë, kjo mund të jetë një sfidë. Përse?
2 Shumë kongregacione në Shqipëri kanë një territor ku përfshihen dhe fshatra që predikohen rrallë. Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar njerëzit në këto territore me shtrirje të gjerë, që të mësojnë të vërtetën rreth Jehovait, Jezuit dhe Mbretërisë?
3 Të planifikojmë me kujdes: Mbikëqyrësi i shërbimit dhe vëllai që merret me territoret duhet të bashkërendojnë përpjekjet e pjesëtarëve të kongregacionit për të pasur rezultate sa më të mira. Ndoshta mund të programohen disa të shtuna të veçanta kur shumica kanë mundësi t’i kushtojnë një ditë të plotë veprës së predikimit. Kur predikohet në territore të largëta, nëse është e mundur, të planifikohen ditë më të gjata për shërbim, duke marrë me vete edhe ushqim për mesditë. Atë ditë mund të takohemi për shërbim më herët se zakonisht, duke llogaritur kohën që duhet për të shkuar në territor ose për të mbajtur mbledhjen për shërbim pranë zonës ku do të jepet dëshmi. Të bëhen rregullime që në fshatra të predikohet gjatë periudhave kur moti dhe rrugët janë në një gjendje të mirë.
4 Të sigurohemi që të marrim me vete një sasi të mjaftueshme literature. Nëse një territor është predikuar rrallë, mund të jetë e përshtatshme të lëmë një fletushke ose një revistë të vjetër aty ku nuk gjendet njeri në shtëpi. Nëse e kemi në gjuhën tonë fletushkën A dëshiron të dish më shumë për Biblën? t’ia ofrojmë atë kujtdo që takojmë dhe të lëmë një kopje aty ku nuk gjendet njeri në shtëpi.
5 Disa kongregacione në Shqipëri kanë kërkuar që t’u caktohen disa fshatra për të predikuar në to të paktën një herë në vit. Kjo ka sjellë rezultate të mira dhe ka nxitur veprimtarinë e lajmëtarëve. Pleqtë ose vëllezërit përgjegjës inkurajohen që të marrin nisma të tilla për të zgjeruar territorin dhe për ta çuar lajmin e mirë në më shumë fshatra.
6 Të bashkëpunojmë në një masë të plotë: Predikimi në një territor të madh kërkon bashkëpunimin e secilit në kongregacion. Në rast se për këtë nevojitet të udhëtohet shumë, ata që udhëtojnë së bashku me ndonjë vëlla që ka makinë mund t’i ndajnë mes tyre shpenzimet e benzinës. Kjo gjë mund të bëhet edhe nëse përdoret një mjet publik ose me qira. Duhet treguar aftësi dalluese kur gjejmë pronarë shtëpie të gatshëm për të biseduar. Të jemi gjithnjë të vetëdijshëm për nevojën që t’u predikojmë të gjithëve në territor, por dhe të mbajmë parasysh ata që na presin në grupin tonë. Në qoftë se dëshirojmë ta vazhdojmë gjatë bisedën me një person të interesuar, a mund të bëjmë rregullime në mënyrë që të mos e pengojmë pjesën tjetër të grupit nga predikimi?
7 Të bëjmë rregullime të përcaktuara qartë për të ndjekur të gjithë interesin e gjetur. Përveç adresës, të përpiqemi të marrim numrin e telefonit të personit të interesuar, që të mund të lidhemi përsëri dhe t’i japim dëshmi të mëtejshme me anë të telefonit. Në rast se fshatrat nuk kanë emra ose nëse shtëpitë janë pa numra, të përpilojmë me kujdes një hartë ose të bëjmë një përshkrim të mënyrës se si mund ta gjejmë personin e interesuar gjatë rivizitës.
8 Çfarë privilegji kemi që të përmbushim udhëzimet e Jezuit: «Në çfarëdo qyteti ose fshati që të hyni, kërkoni atje atë që e meriton.» (Mat. 10:11) Me siguri që Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona, ndërsa i kushtohemi me gatishmëri kësaj vepre që është dhe vepra më shpërblyese!